VIDEO/ Alizoti: Veliaj i vdekur politikisht, Rama nuk ngjallet më edhe sikur të ketë 100 mandate

19:51, 04/04/2024
A+ Aa A-

Deputeti demokrat Tomor Alizoti në një intervistë për SYRI TV tha se Edi Rama, sa herë ka qenë në vështirësi ka zgjedhur të shmangë interpelancat, këtë ka bërë edhe në rastin McGonigal.

Gjate bisedes me moderatoren Armela Ferko ne Edicionin e 'Ora 19', Alizoti e konsideroi si anti-Kushtetuese zgjedhjen e Ramës, ndërsa theksoi se ai me këtë veprim ka injoruar Parlamentin.

“Nuk kemi shtet të së drejtës, kemi autokraci, pasi pasioni apo dëshira e liderit, është mbi shtetin. Interpelanca i bëhet Kryeministrit për tu marrë në pyetje nga opozita, ai thyen ligjin, sepse ne nuk kemi një shtet të së drejtës”, tha Alizoti.

Sipas tij, nëse ligji do të ishte edhe mbi Kryeministrin, atëherë do të kishim demokraci, shtet të së drejtës.

“Edhe në diktaturë, ligji nuk merrej me të pushtetshmin”, tha Alizoti.

Deputeti demokrat tha se Taulant Balla nuk plotëson asnjë kriter për të qenë ministër, aq më tepër i Brendshëm, duke e cilësuar një politikan folklorik.

“Drejtësia është selektive, atëherë ke bërë padrejtësi. Kur godet të dobëtin dhe favorizon të fortin, ke bërë padrejtësi jo drejtësi”, tha Alizoti.

Deputeti i PD-së kërkoi një qartësim të qëndrimeve nga Grupi Parlamentar i PD-së, në mënyrë që të mbahet një qëndrim i njëjtë për çështjet.

“Institucionet në Shqipëri përdoren rreth pushtetit. Denoncimi më brilant është ai për dosjen ‘5D’ bërë nga Belind Këlliçi, është tërësisht i kompletuar, ka përpiluar dosjen nga A te ZH dhe askush nuk e kundërshton dot.

Pyetja ime është: në të gjithë këtë aferë të madhe, Kryetari i Bashkisë nuk ka asnjë përgjegjësi? Kryetari i Bashkisë ka krijuar errësirën dhe kanë përfituar këta të tjerët”, tha Alizoti. AI shtoi se Kryebashkiaku ka firmosur dhe përsa kohë firmos ai ka përgjegjësi të mirëfilltë penale.

“Kur lëvrohen kaq para, dhe kur thotë unë s’di gjë, atëherë për çfarë është Kryetar Bashkie ky? Tradhëti kombëtare është të vjedhësh buxhetin e shtetit të një vendi të varfër. Shpërdorimi më i madh, gati 500 mln euro me inceneratorët dhe kjo vjedhja në Bashki, është tradhëtia më e madhe që i bëhet shqiptarëve”, tha Alizoti.  

Deputeti demokrat tha se Veliaj ka vjedhur paratë e qytetarëve, i shpërndan me horrat e tij dhe SPAK këtë duhet të hetojë sepse këta blenë votat, blenë pushtetin.

Ai theksoi se Erion Veliaj është i vdekur politikisht në Tiranë, ndërsa Edi Rama nuk ngjallet më edhe sikur të ketë 100 mandate, pasi nuk mund të bëjë më asgjë përveç të vjedhë.

Sipas tij, PD duhet të hartojë pikat strategjike, që të ketë një qasje ndaj njerëzve, që njerëzit të besojnë, që të garantojë përshembull që ata që kanë vjedhur apo vjedhin do të përballen me ligjin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco