'Ne do të vazhdojmë të jemi faktor stabiliteti dhe paqeje!' - Mesazhi i Bujar Spahiut, rizgjedhur në krye të KMSH

'Ne do të vazhdojmë të jemi faktor stabiliteti dhe paqeje!' - Mesazhi i Bujar Spahiut, rizgjedhur në krye të KMSH

13:26, 02/03/2024
A+ Aa A-

H. Bujar Spahiu, kryetari i ri i sapozgjedhur për një mandat të dytë në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i është drejtuar me një mesazh sot besimtarëve myslimanë dhe qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, vetëm pak minuta pasi ai fitoi një mandat të dytë drejtimi. Ai nënvizoi në fjalën e tij se “në 100 vite KMSH, themelim, ne kemi qenë faktor stabiliteti, paqeje dhe mirëkuptimi në shoqërinë shqiptare, e kemi ruajtur e do të ruajmë këtë traditë.”

“Të nderuar vëllezër dhe motra! – tha Spahiu. -  Kam qenë dhe do të jem i hapur ndaj çdo kritike konstruktive. Inkurajoj cilindo që ka nijetin e sinqertë dhe qëllim përmirësimin e punëve të shprehin lirisht mendimet e tyre.

Ju garantoj se cilido prej jush do të vijojë të gjejë tek institucioni, një atmosferë të të menduarit i lirë, të shkëmbimit të shëndoshë të ideve, kritikës dhe këshillimit të ndërsjelltë deri në atë masë sa kjo i shërben qëllimit dhe misionit tonë të përbashkët.

Por gjithashtu, institucioni që unë do të drejtoj nuk do të ngurrojë të ndjekë të gjitha rrugët ligjore ndaj kujtdo që akuzo pa fakte apo nxit urrejtje dhe përçarje mes besimtarëve dhe në shoqëri.

Motra dhe vëllezër, shqiptarë që po na dëgjoni në këto momente!

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vijojë të jetë vazhdues i traditës së paraardhësve tanë. Në 100 vite KMSH, themelim, ne kemi qenë faktor stabiliteti, paqeje dhe mirëkuptimi në shoqërinë shqiptare. Kemi ruajtur e do të ruajmë këtë traditë,” premtoi Bujar Spahiu.

LEXO: Me 82 vota pro, Bujar Spahiu rizgjidhet kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Fjalimi i plotë i Kryetarit të KMSH, z. Bujar Spahiu

Të dashur anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të dashur konkurentë të mi në këtë garë, 
Motra dhe vëllezër shqiptarë.

Sot, ju më keni ngarkuar me një peshë edhe më të rëndë se ajo e 5-së viteve më parë.

E them që është peshë edhe më e rëndë sepse ridhënia e besimit nga ana juaj, pas një pune timen pesë vjeçare në krye të KMSH, tregon se pritshmëritë tuaja karshi meje mbeten ende shumë të larta. 

E ky besim juaji vjen si një peshë shumë më e rëndë sesa herën e parë.

Unë dua ta nis këtë fjalë me lutje ndaj Zotit të gjithësisë që të më mbështesë në këtë mision kaq të rëndësishëm dhe me kaq përgjegjësi. 

Ashtu sikurse kam qenë këtë mandat që po le pas, unë do të vijoj ta shoh këtë përgjegjësi që po më jepni si shërbim. 

Do të mundohem të jem shërbëtor i denjë i fesë së Zotit.

Do të mundohem të jem shërbëtor besnik i parimeve dhe principeve më të larta të kësaj feje.

Do të mundohem të ndjek rrugën dhe shembullin e Profetit Muhamed (a.s.) me devocion e përkushtim të lartë. 

Udhëheqësi dhe i udhëhequri janë të lidhur në besnikëri ndaj Zotit të Madhërishëm, i tillë do të mundohem të jem. 

Çdo njeri që beson në këtë fe, për mua, konsiderohet si niveli më i lartë i përfaqësimit të kësaj feje në shoqëri, ndaj edhe unë do vijoj ta shoh veten si njëri prej jush. 

Hierarkia në fenë tonë është, kush ka devocion më të lartë ndaj Zotit. 

Do të vijoj të dëgjoj me vëmendje kritikat e sinqerta dhe të qenësishme ndaj meje personalisht dhe ndaj institucionit që përfaqësoj. 

Komuniteti jonë është shembull në respektimin e lirisë së shprehjes dhe mendimit të secilit. 

Ky institucion përfaqëson gjithë myslimanët në Republikën e Shqipërisë dhe është pasuri kombëtare e shoqërisë shqiptare. 

Ky amaneti i ngarkuar nga ju sot më detyron ta kryej këtë detyrë me vetëdijen e përgjegjësisë e llogaridhënies para Zotit dhe para jush. 

”Allahu i ndihmon edhe ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zekatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.” (Surja Haxh, ajeti 41)

Zot na mundëso një fund të mirë në përfundim të kësaj çështje! 

Do të ndjek me besnikëri, ashtu siç kam bërë deri më sot tre parime themelore vepruese: 

-Këshillimin me njerëzit e fushës në çdo vendim që do marr.

-Drejtësinë, do të veproj të drejtën në veprimtarinë time në drejtim me çdo kosto që ajo të vijë. 

-Do të respektoj dhe garantoj lirinë e mendimit të secilit, qoftë pjesë e strukturave të KMSH apo jo.

-Drejtësia

Urdhëron Zoti që të jemi të drejtë. Të sillemi me njerëzit në mënyrë të mirë me cilindo, pavarësisht nga raca e tyre, ngjyra, prejardhje kombëtare apo religjioni. Kurani i urdhëron myslimanët që të jenë të drejtë madje edhe kur kanë të bëjnë me ata, të cilët i kundërshtojnë.
“O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë…” (Surja Nisa)

-Liria e mendimit

Kam qenë dhe do të jem i hapur ndaj çdo kritike konstruktive.  Inkurajoj cilindo që ka nijetin e sinqertë dhe qëllim përmirësimin e punëve të shprehin lirisht mendimet e tyre. 

Ju garantoj se cilido prej jush do të vijojë të gjejë te institucioni një atmosferë të të menduarit të lirë, shkëmbimit të shëndoshë të ideve, kritikës dhe këshillimit të ndërsjellë deri në atë masë sa kjo i shërben qëllimit dhe misionit të përbashkët. 

Motra dhe vëllezër shqiptarë që po na dëgjoni, 

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vijojë të jetë vazhdues i traditës së paraardhësve tanë. Në 100-vite KMSH ne kemi qenë faktor stabiliteti, paqeje e mirëkuptimi në shoqërinë shqiptare. Kemi ruajtur e do të ruajmë këtë traditë.

Do të vijojë të jetë kontribues i pakursyer në ruajtjen me fanatizëm të harmonisë e dialogut mes besimeve fetare në vend.

Ne do të vijojmë të japim kontributin që na takon që Shqipëria të bëhet vend më i mirë e më i begatë për fëmijët tanë, për më të moshuarit e për njerëzit në nevojë. 

Ne do të vijojmë të japim mbështetjen tonë me vendosmëri që vendi ynë të përparojë drejt familjes europiane.

Vëllezër dhe motra,

Familja është qeliza bazë e shoqërisë, e ne do të bëjmë çmos që kjo qelizë të jetë e shëndetshme.

I lutem Zotit që të jetë krah nesh për ta çuar para këtë punë si amanet e mision fisnik!

Në fund dua të kërkoj një lutje për ju këtu, besimtarët dhe gjithë shqiptarët, le të kthejmë sytë nga Zoti, le t’i lutemi Atij të na udhëzojë në rrugën e drejtë e të na bëjë njerëz që i kontribuojmë të mirës e refuzojmë të keqen! Amin!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco