Basha: Përlan 1-miliardë lek të demokratëve duke u mbajt peng vulën

Basha: Përlan 1-miliardë lek të demokratëve duke u mbajt peng vulën

14:15, 20/02/2024
A+ Aa A-

Pa elektorat, por me vulën e shtrënguar fort pas vetes, Lulzim Basha arrin të marrë më shumë se 1 miliard lekë nga fondet vjetore të shpërndara për partitë politike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

KQZ miratoi këtë të martë projektvendimin “për shpërndarjen e fondeve vjetore partive politike në formën e ndihmës financiare vjetore për vitin 2024”.

Shpërndarja e fondit prej 345 600 000 Lekë, i përfituar nga të ardhurat e taksapaguesve, sipas përcaktimeve në Kodin Zgjedhor, mbështetet në rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Sipas projektvendimit të votuar nga KQZ, “pjesa e luanit” i takon Partisë Socialiste në pushtet që merr më shumë se 1.5 miliard lekë – 151.494.783 Lekë (të reja), me 74 mandatet e fituara në parlamentaret e vitit 2021.

E dyta është Partia Demokratike me mbi 1 miliard Lekë – 106.661.181 Lekë.

Por fondi nuk shkon për Partinë Demokratike që proteston këtë të Martë në sheshin para kryeministrisë, por për atë të vulës, e drejtuar nga Lulzim Basha.

Në përcaktimin se kush duhet të njihet si Partia Demokratike një rol thelbësor ka luajtur kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, i cili ka vlerësuar se PD është ajo e drejtuar nga Lulzim Basha.

Po sipas projektvendimit, Partisë së Lirisë së Ilir Metës i kanë shkuar 15.577.215 Lekë, pasuar nga PSD e Tom Doshit që do të arkëtojë 12.266.269 Lekë. Më pak fonde do të ndahen për partitë e tjera të vogla.

Ndërkohë, për Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha nuk është akorduar asnjë qindarkë.

 Fondet që përfitojnë partitë politike sipas projektvendimit të miratuar këtë të martë nga KQZ

Basha pa elektorat merr miliarda nga KQZ

Në të njëjtën formë si këtë vit, partia e vulës mori edhe mbi 1 mln lekë në 2023, ndërsa Lulzim Basha proklamon se është ai kryetari i Partisë Demokratike. Megjithatë, dy testet e fundit elektorale kanë treguar se Basha është kryetari i një partie pa elektorat në krahasim me PD e drejtuar nga Sali Berisha.

Testi i parë ishin zgjedhjet lokale të 6 Marsit 2022, ku u votua në 6 bashki. Pesë u fituan nga PS, ndërsa Shkodra nga koalicioni opozitar i drejtuar nga Partia Demokratike e Berishës. Partia e vulës së Bashës jo vetëm që nuk rezultoi fituese në asnjë nga bashkitë, por në të gjitha mori numër më të ulët votash se Partia Demokratike e Berishës.

Zgjedhjet e fundit lokale në 14 Maj 2023 dëshmuan rezultatin e një viti më parë. Koalicioni opozitar i drejtuar nga PD e Berishës nxori 7 kryetarë Bashkisë, ndërsa partia e Bashës asnjë.

Përveç elektoratit, Basha ka humbur edhe pjesën dërrmuese të deputetëve që e mbështetët fillimisht pasi ai përjashtoi nga partia në Sali Berishën vitin 2021, fill pasi u bë publike “non grata” amerikane.

Që prej çarjes së madhe, ish-kryeministri ka vërtetuar si përmes zgjedhjeve, ashtu edhe mbështetjes nga deputetët demokratë të dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, se është ai njeriu që drejton Partinë Demokratike. Lulzim Basha nga ana tjetër vijon të kapet fort pas utopisë se është ende kryetar i Partisë Demokratike dhe përmes ndihmës së institucioneve shtetërorë si KQZ e Celibashit apo gjykatave, po mban peng vulës e partisë më të madhe opozitare të vendit.

Berisha nga ana tjetër shprehet i bindur se në këtë lojë pushtetesh, Basha po mbështetet fuqishëm nga Edi Rama. Ky i fundit, sipas ish-kryeministrit, preferohet nga Rama si opozitë fasadë në mënyrë që kreu i qeverisë të mos shqetësohet në aferat e veta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco