Zbardhet letra e vitit 1992/ Kur Sali Berisha kërkonte mbrojtjen e Kosovës

Zbardhet letra e vitit 1992/ Kur Sali Berisha kërkonte mbrojtjen e Kosovës

09:41, 15/02/2024
A+ Aa A-

Nga Mal Berisha

Në prag të 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës: na ishte një kohë kur Kosova nuk ishte ende shtet, por i dilte zot shteti shqiptar.

Lexoni letrën që Presidenti Sali Berisha i dërgonte Cyrus Vance, ish-Sekretar Amerikan i Shtetit dhe i Mbrojtjes (1967–1980) dhe bashkëkryetar i Konferencës Ndërkombëtare për Jugosllavinë, datë 25 dhjetor 1992. Lexoni tekstin në shqip dhe në anglisht. “Proud to be Albanian!”

Republika e Shqipërisë

Presidenti

Tiranë, 25 dhjetor 1992

Shkëlqesia e tij Cyrus Vance, bashkëkryetar i Konferencës Ndërkombëtare të ish-Jugosllavisë

Gjenevë.

"I dashur Cyrus Vance,

Kam nderin t'ju drejtohem Juve, të ndaj me Ju shqetësimin tim në rritje për zhvillimet e fundit në Kosovë, të cilat po tregojnë qartë shenja alarmante të një synimi për të përshkallëzuar konfliktin e Bosnjës dhe Hercegovinës më në jug. Një numër njerëzish janë vrarë nga forcat e policisë dhe ushtrisë serbe gjatë muajit të fundit në Kosovë, një sërë incidentesh provokuese kanë kërcënuar të gjithë zonën, duke përfshirë edhe zonat kufitare; në Maqedoni ka qenë i njëjti skenar. Spastrimi etnik, i cili në Kosovë ka filluar vite më parë, po merr karakter sistematik.

Këta janë elementë të rinj që u shtohen atyre që kryeministri Meksi ka sjellë në Kombet e Bashkuara në një letër drejtuar Presidentit të Këshillit të Sigurimit më 29 tetor 1992. Janë shenja të njohura po të kemi parasysh ngjashmërinë e kësaj situate me atë të paraluftës në Bosnje. Këta janë hapat përfundimtar për të arritur një qëllim të vetëm: "Serbinë e Madhe".

Kosova tashmë ka hyrë në agjendën e jetës ndërkombëtare me një thirrje urgjente. Mbledhja e Këshillit të OSBE-së në Stokholm më 14-15 dhjetor theksoi rolin e pazëvendësueshëm të dislokimit parandalues të Kombeve të Bashkuara, siç përshkruhet në "Agjendën e Paqes" të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Kombet e Bashkuara mund të shpëtojnë rajonin dhe, ndoshta, të gjithë Evropën, prej një lufte të mëtejshme vetëm duke siguruar një prani të konsiderueshme në rajonin e paqëndrueshëm.

Republika e Shqipërisë ka përshëndetur Rezolutën 795 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për dërgimin e forcave të OKB-së në Maqedoni, si garanci për ruajtjen e paqes delikate atje. I nxitur nga të njëjtat qëllime, gjej rastin të kërkoj nga ju, Shkëlqesia Juaj, mbështetjen e qeverisë suaj për dërgimin e këtyre forcave në Kosovë. Koha po ecën shumë shpejt. Paqja varet nga shpejtësia dhe bashkëpunimi."

Ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.

Sinqerisht Juaj

Sali Berisha

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco