SYRI TV/ Mjekët praktikë të dyfishtë pune nga 1 shkurti, 3 mijë lekë për konsultë pas orarit zyrtar

15:37, 31/01/2024
A+ Aa A-

Pasi dështoi me premtimin për shëndetësi falas, duke nisur nga 1 shkurti qeveria vendos të ofrohen konsulta edhe pas orarit zyrtar brenda spitalit publik, kundrejt tarifës 3 mijë lekë të rinj. Kjo tarifë duket se po kthen edhe spitalet publike në private, pasi konsultat ofrohen me çmime më të ulëta ose të njëjta në disa klinika private. Të pyetur nga Syri Tv, pjesa dërrmuese e qytetarëve shprehen kundër këtij vendimi që do të rrisë kostot e tyre për marrjen më shpejt të shërbimit shëndetësor.

SYRI TV

Stand Up Duke nisur nga 1 shkurti, në spitalet publike që kanë fituar autonominë, mjekët mund të ofrojnë konsulta edhe pas orarit zyrtar, brenda spitalit publik. Ky shërbim ofrohet kundrejt tarifës 3 mijë lekë të rinj, ku 70% i merr mjeku dhe 30% shkojnë për nevojat e spitalit.

Pas dështimit me shëndetësinë falas qeveria shqiptare ka miratuar vendimin që shëndetësia të ofrohet me më shumë parà. Korsitë e gjelbëra dhe vizitat me pagesë pas orarit zyrtar të punës do të zbatohen duke nisur nga 1 shkurti. Spitali Memorial i Fierit është i pari që nis këtë praktikë, ku për një konsultë me mjekun specialist pas orarit zyrtar në spitalin publik, qytetarët do duhet të paguajnë tarifën 30 mijë lekë të vjetër. Praktika e dyfishtë e punës për mjekët brenda spitalit publik ku punojnë, do të zbatohet edhe në 5 spitalet që kanë fituar autonominë, si QSUT dhe spitalet rajonale të Vlorës, Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit.

Por kjo tarifë duket se i kthen edhe spitalet publike në private, madje me tarifa disa herë më të larta, pasi i njëjti shërbim në klinika të ndryshme private ofrohet edhe me çmime më të ulëta ose të njëjtin çmim.  

Të pyetur nga Syri Tv, pjesa dërrmuese e qytetarëve shprehen kundër këtij vendimi që do të rrisë kostot e tyre për marrjen më shpejt të shërbimit shëndetësor.

Edhe një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë nxorri në pah se shqiptarët kryesojnë listën botërore të shpenzimeve nga xhepi për shëndetësinë. Në vitin 2021, sipas OBSH, shqiptarët paguan rreth 60% të shpenzimeve shëndetësore nga buxheti i tyre familjar, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga shteti. Të dhënat tregojnë se pas vitit 2015, qytetarëve shqiptarë u janë rritur kostot private për mbulimin e shpenzimeve shëndetësore, ndërsa qeveria ka sponsorizuar më pak.

Gaz: F. Çela, Op: V. Selamaj, Mont: L. Islamaj   

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco