Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

'Pakti me Ramën i intereson vetëm Melonit, opozitarët italianë po planifikojnë ta çojnë në Kushtetuese'

'Pakti me Ramën i intereson vetëm Melonit, opozitarët italianë po planifikojnë ta çojnë në Kushtetuese'

11:20, 25/01/2024
A+ Aa A-

Marrëveshja Rama-Meloni për ngritjen e dy kampeve të emigrantëve në Shqipëri me një kosto të madhe prej gati 700 milionë eurosh për buxhetin e Italisë, pavarësisht kundërshtive të forta nga opozita italiane në parlament, u miratua nga Dhoma e Deputetëve dhe u përshëndet nga Kryeministrja Giorgia Meloni.

Gazetarja Alba Kepi duke e komentuar këtë lajm nga Roma, në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV,  tha se pakti me Edi Ramën i intereson vetëm Qeverisë Meloni dhe kryeministres italiane pasi përpara fushatës evropiane për zgjedhjet në BE, konsiderohet si një premtim i mbajtur prej saj për të zgjidhur krizën e refugjatëve në Itali. Po ashtu,  i shërben garës politike të Melonit brenda vendit me parti të djathta si Lega e Matteo Salvinit, duke ia rrëmbyer kauzën këtij të fundit.

Pavarësisht të gjtihave, tha Kepi, ka një grup deputetesh opozitarë në Itali që po shqyrtojnë mundësinë ta dërgojnë këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese të Italisë, ashtu siç është vepruar në Shqipëri.

“Ka ndodhur një fakt mjaft i çuditshëm, - shpjegoi gazetarja Alba Kepi. -  Edhe në parlamentin italian u hodhën pikëpyetje dhe çudi të mëdha se si një pakt kërkohet të miratohet nga Qeveria Meloni me shumë urgjencë në Dhomën e Deputetëve dhe më pas në Dhomën e Senatit, ndërkohë që në Shqipëri ky pakt është i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

E quajtën një absurditet këtë lloj procedure. Të gjithë propozimet që deputetët e opozitës italiane kanë propozuar nuk janë pranuar; nuk janë pranuar propozime të ndryshme.

Nuk është pranuar që deputetët italianë të nxitojnë në këto qendra emigrantësh dhe të paraqesin një raport gjashtëmujor në parlament;

nuk është pranuar që përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që merren me çështjet e emigracionit, me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të emigrantëve, të hyjnë në këto qendra;

nuk është pranuar gjithashtu që qeveria italiane të bëjë një deklaratë të shkruar ku të shkruhet se personat vulnerabël nuk do të lejohen të qëndrojnë asnjë ditë në qendër. Pra, u mohua gjithçka që ata kërkuan.

U quajt një pakt afarist, një pakt propagandistik, një pakt që i intereson vetëm Qeverisë Meloni për të arritur në prag të fushatës elektorale evropiane me çështjen e kryer, me premtimin e kryer me atë çka ka thënë në fushatë para se të merrte qeverinë italiane se e ka zgjidhur problematikën e emigracionit.

Por një pikë e rëndësishme që është hedhur në parlament është ndoshta dhe një luftë apo ndoshta një lloj konkurrence që bëhet midis partisë Lega të Matteo Salvinit dhe forcave të tjera të djathta, Forza Italia dhe Fratelli d’Italia.

Çështja e emigracionit ka qenë gjithmonë një pikë e fortë e partisë së Matteo Salvinit, që e ka pasur në çdo fushatë elektorale, qoftë kombëtare, qoftë në nivel evropian për të garantuar se do të shpëtojë Italinë nga halli i madh i emigrantëve klandestinë dhe duket se kësaj radhe ka qenë Meloni dhe Forza Italia, pra Fratelli d’Italia që kanë kërkuar t’i marrin Lega-s së Salvinit këtë lloj pike të fortë të fushatës elektorale.

Një pikë tjetër e rëndësishme që i bashkon me Shqipërinë është se kanë qenë deputetë të opozitës që kanë thënë (një grup i përzier i disa deputetëve) se po mendojnë, po gjykojnë, se edhe pse ky fakt u aprovua në Dhomën e Deputetëve e  me shumë gjasa do të shkojë edhe në Dhomën e Senatit, po përgatitet të bëjë një reklamim në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar që të hidhet poshtë.

Pra, edhe në Itali ka mbërritur çështja kushtetuese që sipas tyre, një pakt i tillë, që impenjon një shumë prej 700 milionë eurosh për të ndërtuar vetëm dy qendra emigrantësh në Shqipëri ku thuhet se do të priten vetëm 3 mijë emigrantë (përballë 53-55 milionë eurosh që janë harxhuar për të ndërtuar dhjetë qendra të tilla në territorin italian) dhe përballë shifrave mjaft negative siç janë mbi 157 mijë emigrantë ilegalë që kanë hyrë në Itali me ata tremijë që priten të strehohen në Shqipëri, ka një absurditet të madh.

Sipas tyre kjo rëndon si në Buxhetin 2024-2026 të qeverisë italianë, edhe në faktin se këto 700 milionë euro janë hequr nga investimet që qeveria ka bërë si në ministrinë e Kulturës, në kërkimin shkencor të universitetit, në ministrinë e Sportit, në ministrinë e Ekonomisë... Pra, kanë bërë një llogari të mirë financiare se si janë reduktuar fondet për këto ministri dhe kanë shkuar për të paguar dhe garantuar një pakt që ka një afat 5 deri në dhjetë vjet”./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco