KAFE SHQETO/ Xhaferri: Nga faktori ndërkombëtar presim korrektesë

KAFE SHQETO/ Xhaferri: Nga faktori ndërkombëtar presim korrektesë

10:32, 25/12/2023
A+ Aa A-

"Nëse zgjedhjet nuk kanë standardin e BE, atëherë është shumë kollaj të thuash që "këto zgjedhje nuk e kanë këtë standard dhe ne i kritikojmë pa fund" dhe këtu fillon menjëherë iniciativa dhe e drejta e qytetarëve opozitarë; nuk po e them “e partisë opozitare”, por e qytetarëve që mendojnë ndryshe nga kjo qeveri, që të ngrihen."

Besart Xhaferri, kryetari i FRPD, është pyetur sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV për aksionin opozitar që ka filluar të ndihet në Shqipëri përballë rrezikut të diktaturës së re, krahasuar kjo edhe me protestat e fundit të opozitës në Serbi.

Moderatori Flavio Qarri i pyeti drejtpërsëdrejti kreun e FRPD-së për këtë:  Z. Xhaferri, duhet t’ju ketë kompleksuar sjellja e opozitës në Beograd. Zgjedhjet e 17 Dhjetorit ata, të 14 Majit ju: të njëjtat metoda të vjedhjes, hile dhe stile. Hilet dhe stilet janë një binom që i përbashkon z. Rama dhe z. Vuçiç e megjithatë pika ku ndahen Shqipëria dhe Serbia është reagimi i opozitës. Atje, greve urie, protesta të dhunshme në shesh, përpjekje për t’u futur në bashkinë e Beogradit, kurse në Shqipëri nuk e pamë një gjë të tillë. A jeni ende në kohë apo është shumë vonë për opozitën shqiptare?

Dhe Besart Xhaferri u përgjigj: “Këto aksione nuk janë asnjëherë vonë për t’u bërë dhe unë kam qenë një mbështetës shumë i madh i idesë së protestave të forta dhe jo masive. Nuk është nevoja për të mbushur sheshin me 50-mijë apo 60-mijë njerëz, por nevoja është për protesta të forta që ky regjim të shkundet, se vetëm nga forca merr vesh. Por edhe një ndryshim tjetër është se ndërkombëtarët reaguan në kohë rekord kur vjen puna për zgjedhjet e vjedhura dhe të manipuluara në Serbi, ndërkohë që në Shqipëri…

Flavio: Më falni që ju korrigjoj, por Ambasada Amerikane përdori atë gjuhën e çuditshme të kritikës ë lehtë por pa ndonjë shqetësim të madh…

Xhaferri: Po them se në Serbi, Zyra e Ministrisë së Jashtme Gjermane reagoi në kohë rekord dhe të fortë; edhe shumë shtete të BE-së. Ne e dimë, Ambasada Amerikane gjithmonë është as mish dhe as peshk e pret gjithmonë impulse, pra, Ambasada Amerikane kudo në botë ka vendosur të shkojë drejt stabilokracisë dhe jo standarteve të demokracisë.

Problemi i zgjedhjeve: në Shqipëri ato të 14 Majit, përveçse ishin zgjedhje vendore, lokale, bashkiake, ndryshe nga Serbia që ishin zgjedhje qendrore, pra njësoj si ato të 25 Prillit, ku janë interesat shumë herë më të mëdha të gjeopolitikës dhe mbarëvajtjes së një vendi, qeveritë e BE-së reaguan.

Edhe unë në fjalimin tim, në Kuvendin e 2 Dhjetorit, këtu e fokusova, te këto faktorë ndërkombëtarë, qe ne nuk kemi nevojë për mbështetjen e tyre, por kemi nevojë për korrektesën e tyre, që të bardhës t’i thonë të bardhë dhe të zezës t’i thonë të zezë.

Nëse zgjedhjet nuk kanë standardin e BE, atëherë është shumë kollaj të thuash që këto zgjedhje nuk e kanë këtë standard dhe ne i kritikojmë pa fund dhe këtu fillon menjëherë iniciativa dhe e drejta e qytetarëve opozitarë. Nuk po e them “e partisë opozitare”, por e qytetarëve që mendojnë ndryshe nga kjo qeveri, që të ngrihen dhe të përplasen sepse kanë një lloj vistoje, një lloj korrektese nga ndërkombëtarët. Dhe unë përmenda shembullin e Ukrainës. Në Ukrainë dy herë janë bërë revolucione dhe dy herët kur Jankuviç vidhte zgjedhjet dhe ndërkombëtarët menjëherë nuk i njihnin zgjedhjet. Atëherë ngrihej populli dhe bënte revolucion,  në 2005 dhe në 2014.

Pra, unë prapë nuk e quaj alibi pse ndërkombëtarët nuk reaguan dhe përsëri e quaj një detyrë tonën për të bërë një reagim shumë të fortë dhe po ashtu, një dështim tonin që nuk e kemi bërë akoma, po kjo do të ndodhë në momentin kur PD-ja të ndajë mendjen që kjo është një betejë pa kthim, që nuk ka as armëpushim, as negociata, asgjë tjetër por është “pa kthim”./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë në studion e Kafe Shqeto.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco