Inceneratori i Tiranës/ Emisioni Plug sjell dy dosje të plota hetimore

19:47, 13/12/2023
A+ Aa A-

Hetimi për inceneratorin e Tiranës, cilësuar nga opozita si “Afera e Shekullit”, ka nisur të hedhë hapat e para, por deri më tani rezultatet nuk janë aspak ato që do të duhej të ishin nga zbardhja e aferës më të rëndë financiare për shqiptarët.

Tre vjet pasi u mbajt në sirtar, me dy vite pa u kryer asnjë veprim procedural për hetimet, më në fund SPAK ka disa emra të akuzuar zyrtarisht edhe për aferën e inceneratorit të Tiranës. Por, njësoj si për aferën e Elbasanit dhe të Fierit, edhe në Tiranë në rrjetën e SPAK kanë mundur të ngecin vetëm të quajturit “peshq të vegjël”, pasi të mëdhenjtë, ata të cilët duket se janë personat kyç të aferës, jo vetëm që nuk u është afruar rrjeta e SPAK, por tashmë duket se do ta mbajnë larg…

Për Tiranën, SPAK ngriti përsëri Akuzë për Lefter Kokën, ish vartësin e tij Alqi Bllako, dhe disa ish zyrtarë të kësaj ministrie të akuzuar më herët për aferën me inceneratorët në Elbasan dhe Fier, si palë të ministrisë së Mjedisit. Nga bashkia e Tiranës, e cila së paku në hetimet e vetë SPAK në të paktën tre dosje të ndryshme, ka të implikuar direkt kryebashkiakun Erion Veliaj, është marrë nën akuzë vetëm një drejtor I saj, Taulant Tusha si dhe disa ish zyrtarë, që u bën pjesë e komisionit të posaçëm për këtë aferë, ndërsa pala e tretë nën akuzë janë të përhershmit Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të cilët vijojnë të jenë në arrati.

Në këtë emision, “Plug” do të sjellë dy dosjet hetimore të inceneratorit të Tiranës, ajo e muajit korrik kur u vendos masa e sekuestros dhe kjo e muajit dhjetor kur u dhanë masat e sigurisë, ndërsa do të sjellë gjithashtu pjesë nga relacioni I SPAK që disa muaj më parë iu dorëzua Kuvendit për të lejuar arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Në analizë të fakteve, do të tentojmë t`I japim përgjigje pikëpyetjes së madhe, ashtu si në rastin e Ilir Beqaj, se pse SPAK po amniston Erion Veliajn.

Të enjten e 7 dhjetorit 2023, gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka firmosi 15 urdhër arreste për aferën e inceneratorit të Tiranës, me kërkesë të prokurorit të çështjes, Dritan Prençi. Fletë arresti u prenë për Lefter Kokën, ish ministër I mjedisit, aktualisht në burg për aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit. Alqi Bllako, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Alba Thoma, Namik Simixhiu, Taulant Tusha etj. Këta dy të të fundit janë zyrtarët e bashkisë së Tiranës, të cilët ishin pjesë e komisionit që përgatiti dhënien me koncension të landfillit të Sharrës me qëllim ndërtimin e inceneratorit. Por, të gjithë emrat për të cilët u pre urdhër arresti rishtazi dhe për të disatën herë, ishin të pritshëm për shkak se implikimi I tyre ishte vërtetuar përpara se SPAK të niste hetimet. Mirëpo, qytetarët dhe jo vetëm prisnin që nga këto hetime të kishte së paku një masë sigurie edhe për zyrtarët e tjerë të bashkisë së Tiranës, përfshirën Erion Veliajn I denoncuar nga opozita si personi kyç I kësaj afere.

Por prokurorët që kanë hetuar dosjen, jo vetëm që nuk kanë ngritur akuzë për Erion Veliajn, Edi Ramën dhe Ëngjëll Agaçin, por duket se kanë tentuar të fshehin akte të rëndësishme duke mos kryer hetime të thelluara për emrat e sipërpërmendur.

Le ti marrim me radhë faktet, që në analizë të tyre, duket se implikojnë në aferë direkt kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Hetimi nis pikërisht me një shkresë të 23 dhjetorit të vitit 2015, që Erion Veliaj I dërgon Ministrisë së Mjedisit, ku e njoftonte se Bashkia e Tiranës së bashku me Koorporatën Ndërkombëtare Financiare IFC, kanë përfunduar studimin për përmirësimin e shërbimit dhe trajtimit të mbetjeve në qytetin e Tiranës, ku I hapej rrugë partneritetit public privat për trajtimin e mbetjeve urbane.

Ky fakt, konstatohet në të dy vendimet, atë të muajit korrik për masën e sekuetros së kompanisë Integratet Energy BV dhe vendimin e 7 dhjetorit, për masat e arrestit. Gjithashtu, pika e radhës e hetimit është pikërisht, përgjigjja që Ministria e Mjedisit I kthen Bashkisë së Tiranës më 3 mars 2016, ku konfirmohet se midis stafeve teknike të dy institucioneve është arritur në përfundimin që kjo procedurë të vazhdohet nga Ministria e Mjedisit duke propozuar ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës.

Deri këtu, duket se gjithçka është normale, pasi në të dy dosjet e vendimeve, prokuroria ka konstatuar korrekt korenspodencën mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Mjedisit. Por, pikërisht, që në hyrje të këtij hetimi, Prokuroria ka nisur të mos kryejë veprime të thelluara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, pasi ka shmangur nga aktet administrimin e një prove, që mungon në të dy vendimet e GJKKO-s. Bëhet fjalë për dosjen hetimore të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ku kreu i SPAK Altin Dumani, në cilësinë e prokurorit të çështjes, i dërgoi Kuvendit për të lejuar arrestin e Z.Ahmetaj. pikërisht, në dosjen e Ahmetaj, të hetuar nga Altin Dumani, dalin të dhëna mjaft të rëndësishme, të cilat implikojnë direkt Erion Veliajn në aferën e inceneratorin e Tiranës, por që çuditërisht këto të dhëna nuk janë administruar nga Arben Kraja dhe Dritan Prençi. Fillimisht, bëhet fjalë për shkresën Nr.2657, të datës 28 janar 2016, ku Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i është adresuar Ministrit të Financave Shkëlqim Cani me një shkresë me lëndë:

 “Përmiresimit te menaxhimit të mbetjeve urbane për qytetin e Tiranës në të cilën parashtron se “Bashkia Tiranë, ne vijim të përmiresimit te shërbimit për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve të qytetit të Tiranës, ka përfunduar studimin e fizibilitetit me IFC, per mundësinë e përfshirjes së sektorit privat nëpërmjet PPP ne përputhje me ligjet në fuqi, si dhe strategjinë kombëtare të menaxhimit të mbetjeve urbane kopje të së cilës do ta gjeni bashkëlidhur. Pozicioni strategjik i landfillit ekzistues si dhe një sërë faktorësh të tjerë tekniko ekonomik dhe ambjentale përbëjnë një bazë mjaft të mirë për zgjidhjen prespektive të aktivitetit të depozitimit dhe të menaxhimit të mbetjeve të qytetit të Tiranës. Opsioni i zgjerimit të landfillit të Sharrës është vlerësuar dhe nga ekspertët e JICA-së në kuadër të master planit te menaxhimit të mbetjeve për qytetin e Tiranës. Bazuar në sa me sipër kërkohet miratim i MF për këtë nismë, e cila do te siguroje nje sherbim cilesor dhe sipas standarteve evropiane për qytetaret dhe mjedisin ne Tiranë... ” Bashkëlidhur është projekti i menaxhimit te mbetjeve në Tiranë i nëntorit 2015

Erion Veliaj, një muaj pasi kishte njoftuar Ministrinë e Mjedisit, vë në dijeni edhe Ministrinë e Financave për studimin e IFC, ku i hapet rrugë pikërisht përfshirjes së operatorëve privat në trajtimin e mbetjeve urbane. Dhe pak ditë pasi i merr shkresën nga Erion Veliaj, ministri i kohës Shkqlim Cani i kthen përgjigje më 4 shkurt 2016 kryebashkiakut të Tiranës, duke refuzuar mbështetjen e koncensionit, për shkak se dokumentacioni ende nuk ishte i plotë.

MF shqyrton kërkesën për mbështetje financiare vetëm nëse referuar studimit të fizibilitetit rezulton se projekti ka nevojë për mbështetje financiare. Në këtë rast praktika i nënshtrohet parashikimeve dhe kërkesave të neneve 17 dhe 18 te VKM nr.575/2016 “Për miratimin e rregullave dhe vlerësimin dhe dhënien me koncension/partneritet publik privat” dhe vetëm pas dërgimit dhe vlerësimit të të gjithë dokumentacionit të parashikuar në nenin 19 të këtij akti nënligjor. Në këtë rast sugjerojmë që Bashkia e Tiranës të qartësojë dhe saktësojë nëse projekti kërkon ose jo miratim në bazë të nenit 42 të ligjit nr 125/2013 “Për koncensionet dhe partneritetin publik privat” i ndryshuar.

Pra, ky letërkëmbim midis Erion Veliajt dhe Shkëlim Canit, kryer shumë më herët se Ministria e Mjedisit të merrte përsipër të vijonte procedurat si autoritet kontraktor për koncensionin e Sharrës, nuk është administruar nga dy prokurorët e SPAK, që kanë hetuar këtë aferë.

Madje, përgjigja negative ndaj Erion Velliajt, duket se i kushtoi shtrenjtë Shkqlim Canit, i cili në 16 shkurt të vitit 2016, u shkarkua nga detyra si ministër i financave. Arsyet e shkarkimit nuk u zbardhën kurrë, por mesaduket, 7 vjet më pas, dhe pas hetimeve të aferës së inceneratorëve, duket qartë se Shkëlqim Cani ka ikur nga detyra për shkak të refuzimit që i bëri bashkisë së Tiranës për të mbështetur koncensionin e inceneratorit të Tiranës në vend të Shkëlqim Canit u vendo Arben Ahmetaj. Pas këtyre ndryshimeve në qeveri, Erion Veliaj nuk humb kohë dhe në datën 11 mars të vitit 2016 ridërgon përsëri të njëjtën kërkesë, që i dërgoi më herët Shkëlqim Canit edhe ministrit të ri të financave Arben Ahmetaj, duke i kërkuar mbështetje.

Por, ndonëse i ri në detyrë, duket se dhe Arben Ahmetaj dhe më i ashpër me këtë koncension. Në përgjigjen që i kthen bashkisë së Tiranës më 12 prill të vitit 2016, ndër të tjera Arben Ahmetaj shkruan:

kerkesa per miratimin e mbeshtetjes buxhetore nuk eshte paraqitur ne zbatim te nenit 19 pika 3 e VKM nr.575/2013 dhe nuk eshte e shoqeruar me draft kontrate dhe pasqyrat financiare per dy vitet e meparshme te AK-se....Ne permbajtjen e studimit te fizibilitetit...nuk rezulton te kete nje argumentim te qarte ne lidhje me analizen e bere per arritjen ne konkluzion qe koncensioni/PPP eshte procedure me e favorshme se prokurimi publik...Konstatojme se supozimet e bera ne seksionin 4.2.2 “Krahasuesi me sektorin publik jane te paargumentuara mjaftueshem me fakte dhe analiza sasiore konkrete gje qe nuk na lejojne te gjykojme drejt nese propozimi ne fjale eshte vertet i leverdisshem se sa metoda tradicionale e prokurimit publik”. ...Duke ju referuar kendveshtrimit buxhetor shprehet se: …propozimi …mbart detyrimin e Bashkise Tirane per kryerjen e pagesave periodike vjetore ndaj koncensionit 5-6.3 milion euro, per 16 vjet. Nderkohe qe praktikat e meparshme te ngjashme me te, te paraqitura per trajtim ne MF ( psh propozimi per landfill-in e Durresit) nuk parashikonin nje mbeshtetje financiare direkte persa kohe qe keto lloj koncensionesh/ppp do te gjeneronin te ardhura te mjaftueshme. Ne keto kushte eshte e nevojshme qe Bashkia e Tiranes te sqaroje hollesiht se ku ndryshon ky propozim me implikime buxhetore nga te ngjashmit e tij te ketij lloji. Njekohesisht kerkojme qe kete propozim Bashkia e Tiranes te marre domosdoshmerisht edhe opinionet e Ministrise se Mjedisit,Ministrise se Zhvillimit urban dhe Ministrise se Transportit dhe Infrastruktures, te cilat duhet ti percjelle zyrtarisht bashke me propozimin e e ripunuar.

Këto fakte, të administruara nga dosja hetimore e Arben Ahmetaj, nuk janë rikuperuar si pjesë integrale e dosjes hetimore të inceneratorit të Tiranës, pasi dukshëm ngarkojnë me përgjegjësi direkte si inciator të koncensionit Erion Veliajn.

Me një dokument të datës 08.02.2016 te nisur shtetasit Spiro Brumbulli, shef kabineti në Ministrinë e Financave, rezulton i depozituar një dokument në gjuhën angleze IFC me titull “Studim fizibilitetit te menaxhimit te landfillit Tirane” ku parashikohen disa ndryshime që mendohen për rritjen e sasisë se mbetjeve. Por teksa rritja artificiale e sasisë së mbetjeve, që sjellë për pasojë kosto për taksapaguesit shqiptarë nuk është hetuar, nga ana tjetër, vetë Erion Veliaj, në këtë shkresë që shihni në ekran, ka firmosur anekskontratën për sasinë e mbetjeve që do të depozitoheshin në landfill.

Nga prokurori Prenci nuk është kryer asnjë marrje në pyetje të punonjësve të Ministrisë së Financave dhe as është hetuar komunikimi me shtetasin Spiro Brumbulli ku janë ndryshuar sasitë e mbetjeve në studimin e kryer nga IFC. Nuk janë marrë në pyetje punonjësit e Bashkisë Tiranë që kanë konceptuar këto shkresa dhe as Erion Veliaj për të sqaruar rolin e tij si propozues fillimisht e më pas si bashke firmosës në miratimin e koncensionit në gusht të vitit 2017. Në komunikimet shkresore mes MF dhe Bashkise Tirane, kjo e fundit cilësohet si Autoriteti Kontraktor që po e bënte këtë propozim.

Vijon...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco