Samiti i Disporës, Dasho refuzon ftesën: Shpopullimi kërkon trajtim shkencor, jo demagogji dhe folklor!

Samiti i Disporës, Dasho refuzon ftesën: Shpopullimi kërkon trajtim shkencor, jo demagogji dhe folklor!

10:24, 22/11/2023
A+ Aa A-

Por Shqipëria ka hyrë tashmë në uljen e popullatës dhe parashikohet që fundi i këtij shekulli na gjen me më pak se 1 milionë banorë dhe kuptohet pastaj që tendenca sa vjen e ulet, tendenca vjen drejt shuarjes dhe për shqiptarët kjo është dilemë ekzistenciale.

Ftesat tashmë janë dërguar nëpër botë dhe nesër, më datë 23 nëntor në Tiranë do të zhvillohet Samiti III i Diasporës. Fokusi i tij:“Mbi të ardhmen e përbashkët sociale, politike dhe ekonomike të vendit”. Takimi mbahet në Pallatin e Kongreseve dhe nënvizohet: “Nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama”.

Z. Erion DASHO, MD, MPH, specialist i Shëndetit Publik në Gjermani, analist dhe kritik i zhvillimeve në vendin e tij, është një nga të ftuarit, i cili e deklaroi sot arsyet pse nuk do të marrë pjesë në këtë samit.

I ftuar në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV për një intervistë, Dr. Dasho gjykoi se kemi të bëjmë me një falsitet, pasi në vitet që qeveris forca aktuale politik bëhet fjalë për shpopullim, nuk bëhet fjalë për emigrim... Për plakje të popullatës që e ka futur Shqipërinë në rrethin vicioz të ndryshimeve demografike e që nëse nuk merren masa, shkojnë drejt zvogëlimit gradual të popullatës...”

Pjesë nga intervista:

Kafe Shqeto: Z. Dasho, a do të merrni pjesë në këtë Samit III të Diasporës?

Erion Dasho: Fakti që sot ju flas nga Frankfurti tregon se nuk do të marr pjesë në samit dhe fakti se kam bërë edhe atë reagim që e publikova në rrjetet sociale dhe më pas u publikua edhe nga portali Syri.net, tregon se është një samit ndaj të cilit kam rezerva esenciale. Ju e përmendët shumë mirë se është një samit i organizuar jo me qëllime për të thithur realisht kontributet e shqiptarëve që jetojnë në emigracion, por është një samit propagandistik, sikurse kanë qenë të gjithë organizimet e mëparshme.

Ne kemi pasur ministri diaspore, ne kemi pasur organizime të shumta; flitet se do të instalohen nëpër ambasadat shqiptare, oficerë të diasporës, mund të jenë në fakt ato sanksionimet e patronazhistëve, të cilët tashmë kthehen edhe në punonjës.

Pra, jemi në një situatë ku diaspora është përdorur, përdoret fatkeqësisht dhe do të vazhdojë të përdoret si fasadë, si mjet propagandistik dhe në asnjë moment me mendimin e mirë dhe me dëshirën e mirë për të thithur kontributet e shqiptarëve të diasporës për të ndihmuar në përparimin e Shqipërisë, në zgjidhjen e problemeve të shumta që ka Shqipëria për të krijuar ashtu sikurse unë e kam thënë, një bashkëpunim midis shqiptarëve të Diasporës dhe të atyre që jetojnë e punojnë në Shqipëri , që ka si synim vetëm përparimin e vendit dhe zhvillimet pozitive në Shqipëri.

Kafe Shqeto: Sa e vështirë është për propagandën e qeverisë që të prekë problemin më të nxehtë që ka sot kombi shqiptar, emigrimin?

Dasho: Fatkeqësisht prej vitesh në Shqipëri bëhej fjalë për emigrim, por në vitet që qeveris forca aktuale politik bëhet fjalë për shpopullim, tashmë nuk bëhet fjalë për emigrim. Pra, kemi largim masiv të shqiptarëve i cili ka ndryshuar strukturën demografike. Ka rezultuar në plakje të popullatës dhe e ka futur Shqipërinë në atë rrethin vicioz të ndryshimeve demografike që pashmangshmërisht pastaj, nëse nuk merren masa, shkojnë drejt zvogëlimit gradual të popullatës.

Para disa vitesh ne përjetuam për herë të parë rënien e popullatës dhe sot bëhet një artific, bëhet një artific duke marrë vetëm shifrat dhe  raportin lindje-vdekje të INSTAT; është vendosur bonusi i bebes që të nxiten shqiptarët në emigracion që të regjistrojnë fëmijët në Shqipëri dhe krijohet një përshtypje e rreme për qytetarët që ndjekin shifrat e INSTAT, shifrat mashtruese të INSTAT, që sikur Shqipëria vazhdon të ketë një rritje (shumë të lehtë, kuptohet), por një rritje. Në fakt kjo rritje i dedikohet numrit të bebeve që lindin në emigracion dhe që regjistrohen në Shqipëri në periudhën e verës dhe prandaj kemi ato shifrat e çuditshme që në tremujorë të caktuar kemi tendencë negative, pra pakësim të popullatës dhe në verë duket sikur kemi shtim të popullatës, ndërkohë që lindjet janë konstante gjatë gjithë vitit. Por në verë vijnë emigrantët që regjistrojnë fëmijët e lindur në emigracion dhe kjo bën që të duket dhe të krijohet një artific sikur popullsia të paktën nuk po ulet.

Por Shqipëria ka hyrë tashmë në uljen e popullatës dhe parashikohet që fundi i këtij shekulli na gjen me më pak se 1 milionë banorë dhe kuptohet pastaj që tendenca sa vjen e ulet, tendenca vjen drejt shuarjes dhe për shqiptarët kjo është dilemë ekzistenciale. Bëhet fjalë që Shqipëria mund të humbë popullatën dhe të shuhet si komb në këtë vend ku jemi dhe të ngelemi vetëm të shpërndarë nëpër botë .

Ka dhe teori konspirative që unë nuk dua t’i hyj, unë shikoj si mjek  dhe si njohës edhe i demografisë. Natyrisht, nuk jam demograf, por duke studiuar në kuadrin e shëndetit publik dhe të specialitetit tim si specialist i Shëndetit Publik, mund të jap këto konsiderata.

Pra, kemi hyrë në një tranzicion demografik, kemi hyrë në plakje të popullatës dhe i gjithë ky është një problem jashtëzakonisht i madh që duhet trajtuar në mënyrë shkencore, dhe jo në mënyrë politike propagandistike dhe folkloristike.

Samite të tillë diaspore që nuk adresojnë problemet që ia kanë çuar shqiptarët të largohen nga vendi i tyre dhe po i shtyjnë shqiptarët të largohen nga vendi i tyre janë samite të panevojshme dhe në qoftë se nuk adresohet bashkëpunimi midis shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri dhe shqiptarëve që kanë emigruar, i manifestuar ndër të tjera dhe në të drejtën e votimit, atëherë është e kotë që të flasim për samit diaspore, por kemi thjesht një festë folklorike dhe një festë që i shërben vetëm propagandës së qeverisë.

Në rastin e sistemit shëndetësor që unë kam analizuar, kolegët e mi mjekë kanë marrë disa ftesa skandaloze, ftesa të dërguara në adresa jo individuale drejtuar mjekëve ndonëse këta mjekë janë të njohur nga ambasadat shqiptare, janë mjekë që kanë pasur aktivitete dhe kanë marrë pjesë edhe në aktivitete që bëjnë politikanët shqiptarë kur shkojnë në vendet përkatëse, por në mënyrë ofenduese këta kanë marrë një e-mail që i drejtohet një grupi të madh, një e-mail që unë e kam quajtur “kap ç’të kapësh, të vijë kush të vijë”, jo ftesa nominale, jo ftesa me emër drejtuar personave në fjalë.

Edhe mënyra se si janë organizuar panelet: organizohen rreth personave që janë edhe të panjohur. Unë p,sh, në panelin e shëndetësisë njihja vetëm prof. Sallabandën, kurse personat e tjerë nuk i kisha dëgjuar dhe nuk i njihja. Nuk i paragjykoj mund të jenë persona me vlerë, persona me kontribute, por e përsëris edhe njëherë, duke qenë se Kryesia e Diaporës për Shqipërinë e Lirë ka konstatuar edhe elementë nepotizmi, (unë kam besim tek kolegët e mi që nuk flasin dhe nuk akuzojnë kot), pra bëhet fjalë për një organizim që siç e thashë çalon, nuk ka një përmbajtje, nuk ka disa tematika diskutimi ai panel i shëndetësisë që të prekë problemet bazike dhe problemet themelore dhe thelbësore që ka sistemi shëndetësor në Shqipëri.

Pra, kuptohet, të gjitha këto janë elementë që flasin për një eveniment dhe një event propagandistik, demagogjik dhe folkloristik, dhe jo për një eveniment që i shërben situatës dhe diasporës.”/ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë me dr. Erion Dashon në video.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco