Rohde: Kosova të bëjë përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë

Rohde: Kosova të bëjë përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë

12:56, 20/11/2023
A+ Aa A-

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i ka bërë thirrje Kosovës që të bëjë edhe më tej përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, duke shtuar se ajo ka qenë e përkushtuar “në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Sipas tij, është e rëndësishme “që të arrihet një momentum në bisedimet me Serbinë”.

Në një takim në Komisionin për Integrim Evropian, Rohde ka thënë të hënën se sfiduese për Kosovën mbetet lufta ndaj korrupsionit, reforma e administratës publike dhe sundimi i ligjit.

“Gjermania i ka ofruar asistencë të madhe shtetit të Kosovës në arritjen e reformave...Kosova ka mbetur e përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por duhet akoma përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura”, ka thënë ai.

Ambasadori gjerman është shprehur se është bërë progres i kufizuar në sesionet parlamentare, duke përmendur mungesën e bashkëpunimit mes partive për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Raporti për Kosovën duhet të shihet që të na kujtojë të gjithëve se cilat reforma duhet të bëhen që Kosova të avancojë në qëllimin e saj që të bëhet anëtare e BE-së. Reformat nuk duhet bërë vetëm nga Qeveria, por edhe nga Kuvendi”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, njëherit deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shprehur se bazuar në raporte, Kosova është më e përgatitur se Bosnjë-Hercegovina për t’u anëtarësuar në BE.

“Përderisa ne i gëzohemi rekomandimit për nisjen e negociatave me Bosjën, për qytetarët është vështirë të kuptojmë se pse Bosnja është e gatshme, e Kosova jo. Sipas raporteve, Kosova është më e përgatitur për anëtarësim në BE se Bosnja. Ne duhet të fokusohemi në detyrat e shtëpisë. Në reformën e administratës publike, raporti thotë se nuk është shënuar asnjë progres...Mbetet ende shumë punë për institucionet e Kosovës”, ka shtuar ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco