Studiuesit e huaj: Rreziqet e zhvendosjes së refugjatëve si në Shqipëri dhe vende të treta

Studiuesit e huaj: Rreziqet e zhvendosjes së refugjatëve si në Shqipëri dhe vende të treta

12:09, 20/11/2023
A+ Aa A-

Planet e Evropës për të transferuar kërkesat për azil, me qëllimin për të frenuar fluksin e emigrantëve, pongrihen përkundër pengesave të mëdha ligjore.

Sipas Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët, 204,000 kërkesa për azil janë paraqitur në Gjermani në gjysmën e parë të 2023.

Disa vende evropiane po kërkojnë t’i transferojnë kërkesat për azil tek vendet e treta në një përpjekje për të përballuar presionet e migracionit.

Susan Fratzke, një eksperte në Institutin e Politikave të Migracionit tha për Euronews se ideja po fiton terren në kontinentin e Evropës: "Vendet evropiane janë gjithnjë e më të interesuara për mundësinë e përpunimit të kërkesave për azil jashtë kufijve të BE-së".

Danimarka, Italia, Gjermania dhe Austria po e shqyrtojnë këtë zgjidhje për të ngadalësuar ardhjen e emigrantëve.

Sipas Tania Racho, një studiuese në Universitetin e Paris-Saclay dhe një anëtare e Désinfox Migrations, azili është një "barrë" që qeveritë po përpiqen ta shkarkojnë.

"Qeveritë evropiane e shohin këtë politikë si një mënyrë për të lehtësuar kthimin e njerëzve që nuk kanë nevojë për mbrojtje. Aplikimi i tyre refuzohet, ata kthehen nga një vend i tretë dhe nuk hyjnë kurrë në BE", shtoi Fratzke.

Italia arriti një marrëveshje me Shqipërinë më 6 nëntor për të transferuar emigrantët e shpëtuar në det, ndërsa ata janë duke pritur që të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.

Philippe De Bruycker, një profesor i ligjit të azilit dhe imigracionit në Université Libre de Bruxelles, tha se ky ishte "një gjest politik nga ana e [kryeministres] Meloni për t'i treguar elektoratit të saj se ajo po merr masa për çështjen e migracionit".

Sipas mendimit të De Bruycker, zhvendosja e tyre mund të kushtojë më shumë, "pasi një kamp do të duhet të ndërtohet në Shqipëri me shpenzimet e Italisë, të menaxhohet, të transferohet personeli dhe, natyrisht, të organizohet ndihma ligjore për azilkërkuesit në vend".

Rreziku i trajtimit diferencial

Ndonëse nuk vlen për të miturit, gratë shtatzëna dhe personat e tjerë vulnerabël, projekti ka vënë në qendër të vëmendjes një sërë çështjesh të tjera.

“Memorandumi i Mirëkuptimit krijon një regjim ad hoc ekstraterritorial të azilit, i karakterizuar nga paqartësi të shumta ligjore”, tha Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic. “Në mungesë të sigurisë juridike, garancitë thelbësore të të drejtave të njeriut dhe detyrimi për t'u përgjigjur për shkeljet, mund të mos respektohen”, shtoi ajo.

“Ekziston rreziku i trajtimit të diferencuar midis kërkesave për azil të shqyrtuara në Itali dhe atyre të ekzaminuara në Shqipëri”, konfirmoi Carmine Conte, eksperte ligjore në Grupin e Politikave të Migracionit, pasi “Shqipëria nuk është e detyruar të respektojë legjislacionin europian të azilit”, vazhdoi ai.

A zbatohet ligji evropian?

Marrëveshja parashikon ndërtimin e dy qendrave në portet e Shëngjinit dhe Gjadrit, të cilat mund të paraqesin problem për sa i përket respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe europian.

"Ligji evropian nuk lejon që të gjithë azilkërkuesit të ndalohen automatikisht dhe kërkon një ekzaminim individual në secilin rast. Prandaj, ndalimi nuk duhet të jetë përgjigja e parë", shpjegoi De Bruycker.

Një problem tjetër i ngritur nga ekspertët ligjorë ishte shkelja e parimit themelor të 'mos-kthimit', i cili është parashikuar në Konventën e Gjenevës. Ai ndalon një vend që pranon azilkërkuesit t'i kthejë ata në një vend në të cilin ata do të ishin në rrezik të mundshëm persekutimi bazuar në racë, fe, kombësi, anëtarësi në një grup të caktuar shoqëror ose opinion politik.

“Nëse njerëzit paraqiten si azilkërkues tek autoritetet italiane dhe më pas zhvendosen me forcë, ky është rikthim”, tha Racho.

Megjithatë, një vlerësim fillestar ligjor nga Komisioni Evropian tregon se ligji evropian nuk është i zbatueshëm jashtë territorit të BE-së.

Por marrëveshja ngre edhe pyetje morale.

"Ai normalizon eksternizimin e përgjegjësive të shteteve anëtare", tha Ivana Belén Ruiz Estramil, një studiuese në Universitetin e Coimbra.

Deri më tani, asnjë shtet anëtar nuk i ka dëbuar me sukses azilkërkuesit nga BE-ja, tek një vend i tretë.

Të mërkurën, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar anuloi planin e qeverisë për të dërguar azilkërkues në Ruandë.

Ajo vendosi se partneriteti i planifikuar me Ruandën ishte i paligjshëm. Gjykata e lartë e Britanisë tha se azilkërkuesit përballeshin me "një rrezik real keqtrajtimi" dhe mund të ktheheshin nga Ruanda në vendet e origjinës nga ata kishin ikur.

“Nëse Britania e Madhe, e cila nuk është më në BE, nuk do ta bënte dot, do të habitesha nëse Italia do ta bënte”, tha Racho. Shumë pyetje në lidhje me realizueshmërinë e një projekti të tillë mbeten pa përgjigje./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco