Standardi i dyfishtë/ Drejtësia e re godet Beqajn me pambuk

Standardi i dyfishtë/ Drejtësia e re godet Beqajn me pambuk

22:22, 18/11/2023
A+ Aa A-

Pas më shumë se tre vitesh hetime dhe vetëm pas këmbënguljes së Gjykatës së Posaçme, Prokuroria Speciale SPAK vendosi të regjistrojë emrin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, në listën e personave nën hetim për aferën 100 milionë euro të Koncesionit të Sterlizimit.

Por, edhe kur vendosi të marrë këtë hap ndaj njeriut që konsiderohet si një ndër miqtë e afërt të kryeministrit Edi Rama, sërish SPAK “goditi me pambuk”.

Këtë të Shtunë, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ndaj Beqjas është vendosur masa e sigurimit “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Masa është fare minimale, duke mbajtur në konsiderate se, për një çështje të ngjashme, SPAK ka aplikuar masën e arrestit në burg për ish.zv.kryeministrin Arben Ahmetaj.

Image

Megjithatë, edhe përse u vendos një masë sigurimi Ilir Beqjan, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion nuk është ende në gjendje t’i thotë opinionit publik se ku përfunduan mbi 60 milionë euro, të cilat përbëjnë shtesën fiktive të kontratës koncesionare të Sterilizimit.

Kontrata koncesionare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale u nënshkrua në Shkurt të vitit 2015, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare “Sani Service”, e drejtuar nga një emigrant shqiptar murator, Ilir Rrapaj.

Kontrata është me afat 12 vjeçar, me kosto koncesionare 80 milionë euro. Në vitin 2020, Partia Demokratike dhe “Nisma Thurrje” dorëzuan kallëzime në SPAK për aferën e Sterilizimit, por edhe për tre kontratat e tjera koncesionare të nënshkruara në “epokën Beqja”- koncesioni i Check Up, Koncesioni i Laboratorëve dhe Hemodializa.

Deri më tani, prokurorët e posaçëm kanë arritur të zbulojnë disa parregullsi vetëm tek kontrata e Sterilizimit, për të cilën, së fundmi u vendos “detyrim për paraqitje” për Ilir Beqjan. Ndërsa për tre kontratat e tjera, nga SPAK-u nuk ka asnjë sinjal, megjithëse kanë kaluar mbi 3 vjet.

Beqja goditet “me pambuk”

Në opinionin publik, emri i Ilir Beqjas lidhet shpesh me fjalën “korrupsion”. Megjithatë, përtej pritshmërive të qytetarëve, nga SPAK-u nuk po vjen asnjë mesazh shpresëdhënës për hetimet ndaj koncesioneve qindra miliona euro të nënshkruara prej tij, në emër të qeverisë shqiptare.

Pak muaj më parë, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, për të caktuar masën e sigurimit “arrest me burg” për ish.zv.ministrin e Shëndetësisë në kohën e Beqjas, Klodian Rrjepaj dhe “bosit” të kompanisë koncesionare të Sterilizimit, “Sani Service”, Ilir Rrapaj.

Image

Vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Rrjepaj-Rrapaj zbuloi një problematikë shumë të madhe në hetimin e SPAK-ut.

Sipas gjyqtarit paraprak, megjithëse prokurorët kishin identifikuar një rol thelbësor të Ilir Beqjas në hartimin dhe miratimin e kontratës koncesionare të Sterilizimit, ata e kishin përjashtuar tërësisht nga hetimi.

Pasi konstatoi këtë “mangësi të madhe”, gjykata orientoi prokurorët e çështjes që të kryejnë veprime të ndryshme hetimore, për të zbuluar përgjegjësitë e Ilir Beqjas.

Vendimi krijoi një përplasje mes gjykatës dhe prokurorëve, si edhe krijoi bindjen në opinionin publik se SPAK-u nuk ka guxim të prek një prej njerëzve më të afërt të Ramës.

Kryeministri dhe Ilir Beqaj janë miq të vjetër, që në kohën e rinisë së tyre. Ata kanë luajtur basketboll në një ekip dhe bashkëkohës së tyre thonë që Beqaj e mbante shpesh afër Edi Ramën e ri, i cili, për shkak të natyrës së tij kontraverse, krijonte pakënaqësi tek shokët e ekipit.

Pasi Rama mori drejtimin e Partisë Socialiste në vitin 2005, ai e vuri Ilir Beqjan në listën e kandidatëve fitues për deputet. Ilir Beqja humbi mandatin e parlamentarit në vitin 2009, për shkak të konfliktit të interesave.

Kur Rama mori pushtetin, në vitin 2013, Ilir Beqjas i besoi postin e Ministrit të Shëndetësisë. Ishte ministria që tenderoi më shumë fonde publike, nëpërmjet kontrata koncesionare.

Image

Më tej, Beqja nuk arriti të sigurojë mandat deputeti në vitin 2021, por miku i tij, kryeministri Edi Rama, i siguroi “një vend pëllumbash”-menaxhimin e projekteve që realizohen nga fondet e Bashkimit Europian.

Këtë emërim, Rama e bëri pikërisht në momentin kur akuzat e opozitës ndaj Beqjas kishin arritur kulmin. Shefi i qeverisë tregoi edhe njëherë se Ilir Beqja ishte miku i tij dhe i dërgoi sinjal SPAK-ut se nuk mund ta prekte.

SPAK-u e mori mesazhin dhe, deri në një moment, nuk e përfshiu emrin e tij në listën e personave nën hetim për aferën 100 milionë euro të Sterilizimit.

Tashmë, i detyruar nga presioni i opinionit publik, prokurorët e posaçëm, vendosën ta godasin “me pambuk”, duke i caktuar një masë sigurimi minimaliste.

Ku shkuan 60 milionë euro?

SPAK është një strukturë hetimore elitare. Në krah të saj gjendet Byroja Kombëtare e Hetimit. Të gjithë anëtarët e SPAK-ut kanë marrë trajnime të specializuara dhe të thelluara, sidomos për krimin ekonomik dhe korrupsionin.

Edhe pak ditë më parë, një trupë e rëndësishme nga SPAK-u zhvilloi takime informuese dhe trajnuese në Departamentin Amerikan të Drejtësisë dhe në zyrat e Byrosë Federale të Hetimit.

Por, pavarësisht të gjithë këtyre, SPAK-u nuk arrin të thotë se ku përfunduan 60 milionë euro, të cilat iu dhanë shtesë në mënyrë fiktive koncesionarit “Sani Service”.

Image

Hetimet e vetë SPAK-ut treguan se zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësë fryn në mënyrë fiktive me 56 përqind koston e koncesionit të Sterilizimit.

Tashmë që kostoja totale koncesionare Sterilizimit llogaritet në mbi 100 milionë euro, pikëpyetja më e madhe është-ku shkoi ajo shtesa fiktive prej 56 përqind, ose e thënë në shifra më konkrete-rreth 60 milionë euro?

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, edhe pas tre vitesh hetime, nuk është në gjendje ta thotë se ku përfunduan paratë./ Boldnews.al

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco