EKSKLUZIVE/ Fazliu: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi është spastrim etnik! Shqipëria të ngrejë zërin!

EKSKLUZIVE/ Fazliu: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi është spastrim etnik! Shqipëria të ngrejë zërin!

11:48, 16/11/2023
A+ Aa A-

"Për sa i përket pasivizimit të adresave , që është një spastrim etnik administrativ, nuk është ngritur një zë nga Shqipëria, nga politika shqiptare, që të ketë më shumë vëmendje në aspektin ndërkombëtar."

"Unë nuk kam më adresë ligjërisht në Serbi! Në momentin që më pasivizohet adresa, nuk ke një vendbanim atje, Shkon, por shkon vetëm si mysafir!" 

"Shqipëria duhej të kishte qenë më e zëshme sepse nëse fillojnë të pasivizohen edhe shqiptarët në Bujanoc e pastaj kalohet edhe në Preshevë, atëherë ai do të jetë një spastrim etnik edhe ndër vite nuk do të ketë shqiptarë atje."

Për pasivizimin apo thënë shkoqur, fshirjen e adresave të shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë, që është një spastrim etnik administrativ, nuk është ngritur asnjë zë nga Shqipëria, nga politika shqiptare, me qëllim që kjo shkelje e të drejtave ndërkombëtare e pakicave të ketë më shumë vëmendje në aspektin ndërkombëtar.

Ky është shqetësimi i znj. Teuta Fazliu nga Lugina e Preshevës, por që jeton në Kosovë, e cila ka mbetur edhe vetë viktimë e spastrimit etnik të heshtur nga autoritetet serbe. Por, znj. Fazliu, një zyrtare e qeverisë së Kosovës, e cila punon në njësinë për të drejtat e pakicave, ka vendosur të mos heshtë dhe ta denoncojë Serbinë ndërkombëtarisht. E jo vetëm ka, por i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë së drejtuar nga Edi Rama të ngrejë zërin për pasojat e të ashtuquajturit “masivizim adresash”, që çon në humbjen e të gjitha të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë, në Medvegjë dhe Bujanoc.

Znj. Fazliu u ftua për intervistë sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, ku shpjegoi me hollësi se çfarë nënkupton “pasivizimi”, fshirja e adresës së banimit të një shqiptari që jeton në Serbi.

Kafe Shqeto: Znj. Fazlliu, duket se Serbia po bën disa përpjekje të reja “më elegante” për asimilim, për shfarosje, por pa armë kësaj radhe. Pse?

Teuta Fazliu: Siç e treguat edhe në reportazhin tuaj, kohët e fundit ka ndodhur një spastrim etnik administrativ në të cilin shteti i Serbisë, qeveria serbe thirret me një shkresë të saj për vendbanime dhe vendqëndrime. Do të kishte qenë mirë që të mos kishte ndodhur kjo, pasi ata janë në një fazë të procesit të anëtarësimit në Bashkimit Europian, ku e kanë dhe një ndër kushtet kryesore, respektimin e të drejtave të pakicave në vendin e tyre. Por një gjë e tillë është duke ndodhur vitet e fundit, është një numër shumë i madh i pasivizimit të adresave ku të drejtën qytetare, për shembull, nuk mund ta kem, në votimet që do të mbahen në Serbi.

Kafe Shqeto: Znj. Fazliu, jeni rasti i vetëm ju që njiheni deri tani apo ka dhe raste të tjera?

Teuta Fazliu: Jo. Në Medvegjë njihet një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, të cilët janë pasivizuar dhe janë shifrat aktuale, ndërsa në Bujanoc kanë filluar kohët e fundit. Por, siç e kam dëgjuar, edhe të tjerët, në shënjestër janë qytetarët e Luginës së Preshevës, të cilët punojnë në qeverinë e Kosovës,sidomos ata që punojnë në përgjithësi në Kosovë.

Kafe Shqeto: Në Shqipëri, por edhe në Kosovë, një nga diskutimet kryesore të politikës, kohët e fundit, është pikërisht për të drejtat e pakicave. Sa mbështetje keni nga qeveria e Prishtinës apo dhe ajo e Tiranës, që do të duhej të kishte një vëmendje të posaçme për shqiptarët e Luginës?

Teuta Fazliu: Siç e thatë edhe ju, dihet që me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ne jemi “nën ombrellën” e Shqipërisë, mirëpo, aspak. Për sa i përket pasivizimit të adresave , që është një spastrim etnik administrativ, nuk është ngritur një zë nga Shqipëria, nga politika shqiptare, që të ketë më shumë vëmendje në aspektin ndërkombëtar. Ndërsa Kosova nuk mundet, sepse ne jemi “nën ombrellën” e Shqipërisë; ata kanë hapësirë sa kanë pasur për të na mbështetur dhe janë munduar vazhdimisht për të na mbështetur dhe gjithmonë krahasimet i kanë bërë mes serbëve që jetojnë në Kosovë me ata shqiptarë që jetojnë në Serbi.

Unë vetë punoj në qeverinë e Kosovës dhe jam në fushën e pakicave kombëtare , domethënë në njësinë për të drejtat e njeriut ku punoj dhe e di se sa të drejta kanë pakicat kombëtare në Kosovë. Jashtëzakonisht janë të mirë në të gjithë rajonin e Ballkanitl një ndër pakicat që i gëzojnë të drejtat e tyre që nga Kushtetuta, ligjet dhe rregulloret që i ka miratuar qeveria dhe parlamenti i Kosovës, mirëpo Shqipëria duhej të kishte qenë më e zëshme sepse nëse fillojnë të pasivizohen edhe shqiptarët në Bujanoc dhe pastaj të kalohet edhe në Preshevë, atëherë ai do të jetë një spastrim etnik edhe ndër vite nuk do të ketë shqiptarë atje. Ata bazohen në ligjin për vendbanimet dhe vendqendrimet, që thuhet që “ne vetëm po e pasivizojmë adresën, nuk po marrim nënshtetësinë e personit...”

Kafe Shqeto: Ma shpjegoni konkretisht, çfarë do të thotë “pasivizimi i adresës”? Ti banon në shtëpinë tënde dhe adresa jote nuk vlen për asgjë?

Teuta Fazliu: Ashtu! Edhe të them të drejtën mbrëmë po mendoja “si ma kanë pasivizuar adresën dhe të gjithë dokumentet e gjykatës kanë ardhur prapë në adresën time?!” Domethënë unë jam e fshirë si adresë ndërkohë që prapë më vijnë…

Kafe Shqeto: Megjithatë, kur Serbia do të komunikojë me ty, ta di adresën?

Teuta Fazliu: Po, e di adresën, ndërsa unë nuk kam adresë ligjërisht në Serbi! Në momentin që pasivizohet adresa, ti domethënë nuk ke një vendbanim atje, Shkon, por shkon vetëm si mysafir! Aktualisht, unë kam afat të dokumenteve në letërnjoftim dhe në pasaportë dhe në momentin që skadon afati i letërnjoftimit dhe i pasaportës dhe shkon për të aplikuar për vazhdimin e dokumenteve, ti nuk ke adresë dhe nuk mund t’i fitosh dokumentet në rikthim e humb të drejtën. Unë të drejtën e votës e kam humbur që në vitin që jam pasivizuar. Në vitin 2020 jam pasivizuar dhe e kam humbur të drejtën e votës, kur kanë qenë zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Kafe Shqeto: Që do të thotë se shqiptarë mjaftueshëm pasivizohen po asnjë përfaqësues politik si Shaip Kamberi nuk arrin dot më të zgjidhet?

Teuza Fazlliu: Po. Është një vështirësi shumë e madhe sepse ne, edhe në këtë kohë që kemi pasur dokumente shqiptare atje, ka qenë vështirësi shumë e madhe që ai të fitojë mandat në parlamentin e Serbisë. Por nëse fillojnë njerëzit të pasivizohen,atëherë do të jetë edhe më e vështirë. Kam dëgjuar që ka edhe një pasivizim brenda vendit, për shembull nëse një vajzë martohet nga një fshat në fshatin tjetër dhe nuk lajmëron në Polici që unë kam ndërruar vendbanimin, ajo automatikisht pasivizohet. Edhe ky është një lloj diskriminimi jashtëzakonisht i madh. Gjithçka është politike, mendoj se gjithçka është politike. Por aspekti politik, si në Kosovë  dhe në Shqipëri, por në përgjithësi duhet të ishte më i fuqishëm dhe më i zëshëm që të mos ndodhte kjo, sepse me vite mund ta humbin atë vend, sepse në Bujanoc, popullsia është: 40% serbë dhe 60% shqiptarë. Nëse shkon pasivizimi e të bjerë gjer në atë përqindjen 50 ose 60, atëherë ata mund ta fitojnë pushtetin lokal që ne e kemi fituar në 2003-shin.

Unë personalisht nuk kam pronë në emrin tim atje. Por bashkëqytetari im kam dëgjuar se ka pronën  e tij dhe sipas ligjit e sipas momentit që nuk ke identitet, nuk ke numër personal, ti nuk mund ta shesësh atë pronë; ndërsa karta e shëndetësisë në momentin që nuk mund të kesh letërnjoftim me afat skadimi, atëherë humb dhe të drejtat shëndetësore. Unë nuk kam shfrytëzuar kartën shëndetësore, sepse jam vazhdimisht në Kosovë, mirëpo ka njerëz që lëvizin.

Kafe Shqeto: Përveç të drejtës së votës që iu është penguar, ky pasivizimi i adresave a do ta bënte të pamundur për fëmijët që të shkonin në shkollë, për të moshuarit që të mjekohen dhe shërbime të tjera të kësaj natyre?

Teuta Fazliu: Është normale. Ti i humb të gjitha të drejtat në momentin që ti nuk ke identiteti, nuk ke numër personal, nuk i ke të drejtat në atë vend dhe kjo është një shkelje shumë e madhe në bazë të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, është një shkelje shumë e madhe, sepse është një e drejtë fondamentale. Unë mund të jetoj në Kosovë, mund të jetoj në Amerikë, mund të jetoj në Evropë, por të drejtë për të ma fshirë adresën nuk ka shteti. Unë kam familjarë që jetojnë në Europë. Ata nuk janë të fshirë nga adresa, sepse Serbia nuk guxon t’i fshijë ata që jetojnë në Europë sepse bie ndesh me të gjitha komventat që ka ratifikuar në parlamentin e saj të Serbisë.

Kafe Shqeto: Cila është ndërhyja që mund të bëjë Shqipëria në këto momente, përveç një note proteste ndaj Serbisë? Megjithëse shokët nuk protestojnë ndaj njeri-tjetrit.

Teuta Fazlliu: Do të ishte mirë, do të jetë një zë më i fuqishëm edhe do të ishte mirë që edhe shqiptarët e Luginës, pse të mos i kenë pasaportat shqiptare?! Pse të mos i kenë pasaportat shqiptare, sepse në vazhdimësi Serbia ka një lloj tendence se “shqiptarët që nuk po jetojnë në Luginën e Preshevës, po i  marrim pasaportat e vetëm për shfrytëzim për shkak të liberalizimit  të vizave dhe nuk po udhëtojnë”...  Kjo nuk është e vërtetë, sepse ne kemi familjarë.  Unë jetoj vetë në Prishtinë dhe gjithë familja ime e gjerë dhe e ngushtë që themi ne, jetojnë në Luginë dhe unë deri vonë, deri në vitin 2022, kam udhëtuar çdo ëeekend për tek prindërit e mi. Kam qëndruar katër muaj atje dhe do të shkoj edhe pas dimrit e do të qëndroj.

Ditën kur më kanë ftuar për deklaratë në Polici “a jam në banesë apo jo”, zyrtarja në Polici më ka thënë ne nuk e pranojmë Kosovën si shtet të pavarur sovran dhe për këtë ti nuk ke të drejtë të shkosh të punosh. “Pse nuk vjen të punosh në Bujanoc ose të punosh në Vrajë që është më afër Bujanocit apo dhe në Nish?!”

Po ne e dimë shumë mirë që në Vrajë dhe në Nish një shqiptar nuk lejohet të punësohet.  Ne kemi problem të punësohemi edhe në Bujanoc. Nuk është se unë pas studimeve nuk kam kërkuar punë në Bujanoc, por vendi është aq shumë i vogël dhe mundësitë janë shumë të vogla për të pasur mundësi për të gjetur punë dhe e vetmja mundësi e jona, e shqiptarëve, e të rinjve në Luginën e Preshevës është që të punojmë në Kosovë edhe pse, e kohët e fundit, atje janë duke reaguar rinia në masë të madhe ... sepse kemi qytetarë të Luginës që jetojnë në Kosovë dhe nuk gëzojnë të drejtat, të paktën një dokument të Kosovës se duhet të qëndrosh dhe të paraqitesh dhjetë vjet në Kosovë për ta fituar të drejtën e nënshtetësisë./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqeni të plotë intervistën me znj. Teuta Fazliu në videon e Kafe Shqeto.   

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco