Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Gabriel Escobar 'sikleti' diplomatik i DASH

Magazinat doganore të imigrantëve

Magazinat doganore të imigrantëve

07:33, 13/11/2023
A+ Aa A-

Një marrëveshje e përfunduar, të paktën për Shqipërinë, në një fshehtësi të plotë, ngre një sërë pikëpyetjesh mbi juridiksionet dhe të drejtat e detyrimet e palëve pjesëmarrëse në operacion, shkruan revista Monitor në editorialin e saj.

Italia, që të gjithë e njihnin edhe para viteve ’90, nga programet televizive, u bë shteti fqinj pritës pas viteve ’90, kur shtetasit shqiptarë emigruan masivisht në kërkim të një jete më të mirë.

Fillimi ishte i vështirë, mes ikjes me anije e skafe, duke rrezikuar edhe jetën, e qëndrimit nëpër kampe, por sot, ata janë ndër më të integruarit si emigrantët, jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në biznes, art e kulturë.

Në periudhën 2008-2022, kur janë të disponueshme të dhënat, Italia ka dhënë 409 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë, që është sa 50% e lejeve gjithsej që janë dhënë për të njëjtën periudhë nga të gjitha shtetet e Bashkimit Europian.

Numri i lejeve për të njëjtën periudhë është 50% më i lartë në krahasim me Greqinë, që është shteti tjetër fqinjë që ka pritur një valë të madhe emigrantësh pas viteve ’90.

Edhe sot, Shqipëria vijon ta ketë emigracionin një plagë sociale teksa është ende vend eksporti për emigrantët dhe jo pak shqiptarë janë të specializuar në sektorin e transportit të emigrantëve klandestinë. Sot nuk ka më ndoshta emigracion të bujshëm drejt Italisë. Ka sigurisht drejt Francës dhe Anglisë.

Por, lidhjet me Italinë vijojnë të jenë të forta. Drejt këtij shteti shkuan 43% e eksporteve në vitin 2022, pjesa më e madhe e të cilave janë tekstile e këpucë, një industri që ka qenë kyç për punësimin e një shtrese të brishtë gjatë gjithë këtyre dekadave. Italia është partneri kryesor edhe për importet, me 22% të totalit, sipas INSTAT.

Në vite, lidhjet janë forcuar dhe po bëhen gjithnjë e më shumë reciproke. Po në vitin 2022, italianët u bënë grupi i dytë më i madh i turistëve në vend, pas atyre të Kosovës, me gati 10% të totalit.

Shumë pensionistë italianë janë zhvendosur në zonat e ngrohta bregdetare të Shqipërisë dhe po kalojnë aty vitet e pensionit. Shtetasit italianë po nxisin turizmin dentar.

Kryeministri ynë ka bindjen se Italisë, në këto dekada, i kemi një “borxh” të madh. E duket se këtë detyrim, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po përpiqet që t’ia kthejë disi në një formë tjetër.

Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë, njoftoi pak ditë më parë se ka arritur një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama, që ka në fokus krijimin e qendrave për të vendosur emigrantët e shpëtuar në Mesdhe nga anijet italiane.

Sipas kryeministrit Rama – qendra, që do të jetë afër portit të Shëngjinit, do të presë azilkërkuesit e destinuar për riatdhesim me procedura të përshpejtuara kufitare për maksimumi 30 ditë. Kjo marrëveshje do t’i mundësojë Italisë të administrojë 36 mijë migrantë në vit në Shqipëri.

Lajmi erdhi i papritur, pa konsulta apo diskutime paraprake dhe ka ngjallur shumë debate e pikëpyetje jo vetëm në Shqipëri. Vendi e meriton më shumë transparencë.

Sa do të jenë kostot, si do të paguhen, çfarë rreziqesh i krijohen shtetit shqiptar dhe si do të administrohen ato.

Të dhëna nga forumi i emigracionit, që nuk i referohen Shqipërisë, bëjnë të ditur se kosto e administrimit të një emigranti mund të kalojë edhe 200 dollarë në ditë (qëndrimi, ushqimi, kostot e sigurisë, infrastruktura që duhet për menaxhimin e tyre etj.).

Në kahun tjetër, mediat italiane kanë ngritur disa pikëpyetje mbi vetë procesin.

Së pari, do të jetë e vështirë që në procesin e shpëtimit të bëhet zbarkimi vetëm i meshkujve (pasi në Shqipëri do të mbahen vetëm meshkujt në moshë madhore, sipas kryeministres italiane).

Së dyti, identifikimi i emigrantëve se cili vjen nga vende të sigurta dhe cili jo, pasi këta të fundit, në bazë të ligjeve, duhet të trajtohen në Itali si azilkërkues.

Së treti, ata që do t’i nënshtrohen procesit, do të duhet të flasin me një avokat apo të shqyrtohen nga gjykatësi që mund të kërkojë rrugë vajtje-ardhje të personelit italian në Shqipëri. Nëse emigranti do të lirohet, sipas marrëveshjes, ai nuk mund të lihet i lirë në territorin shqiptar, dhe si rrjedhojë duhet dërguar menjëherë në Itali, duke e komplikuar situatën.

Së katërti, për ata që brenda 30 ditëve të parashikuara në procedurë, do të dëbohen, do të duhet të organizohet menjëherë udhëtimi i riatdhesimit në vendin e origjinës. Por emigrantit të dëbuar nga qendra shqiptare nuk mund t’i jepet urdhri i zakonshëm i dëbimit që kërkon që ai të largohet nga vendi brenda shtatë ditëve. Fillimisht do të duhet të sillet në Itali.

Pra një marrëveshje e përfunduar, të paktën për Shqipërinë, në një fshehtësi të plotë, ngre një sërë pikëpyetjesh mbi juridiksionet dhe të drejtat e detyrimet e palëve pjesëmarrëse në operacion. Por këto çështje janë ngritur nga ana e palës italiane, shteti që në këtë marrëveshje paraqitet më serioz dhe mbron interesat e tij.

Nga pala shqiptare, natyrshëm lindin një mori pyetjesh dhe shqetësimesh. Cili institucion ka kompetencën të trajtojë dhe miratojë marrëveshje të tilla?

A përbën dorëzim territori, qoftë edhe të përkohshëm, një marrëveshje e tillë dhe çfarë raporti krijohet me dispozitat e mbrojtjes dhe integritetit territorial të vendit?

Deri në çfarë mase mund të dorëzojë territor të tillë Republika e Shqipërisë dhe a përbën precedent për keqpërdorimin e territorit të saj në të ardhmen?

Çfarë rreziku i krijohet Shqipërisë në raport me shtetet e tjera dhe angazhimet ndërkombëtare që ka për trajtimin e emigracionit? Nëse procedura administrative e përpunimit të emigrantëve në këto qendra nuk respekton detyrimin kontraktor, çfarë rreziqesh i krijohen Shqipërisë?

Nëse trajtimi i emigrantëve nuk respekton konventat ndërkombëtare, ligjet e shtetit italian apo çdo legjislacioni tjetër që aplikohet, a krijohet dhe çfarë ekspozimi i krijohet Shqipërisë?

Kush do të vihet para përgjegjësisë nëse ka krime, keqtrajtime, abuzime brenda qendrave? Këto e një sërë pyetjesh të tjera ngrihen natyrshëm nga ndërlikimet që krijohen si rrjedhojë e legjislacioneve mbi hapësirat territoriale, dhe ndërveprimit me detyrimet ndërkombëtare.

Në aspektin më teknik, pyetje të tjera ngrihen mbi rrezikun që krijohet për rendin dhe sigurinë. Nëse emigrantët dalin jashtë qendrave të pritjes, sa e aftë është pala shqiptare të administrojë një rrezik të tillë?

Sa të afta janë institucionet shqiptare që kjo prani të mos shndërrohet në faktor ushqyes për trafikun e qenieve njerëzore, apo industrinë e hashashmbjelljes në Shqipëri?

Çfarë efekti të pritshëm mund të ketë në turizëm, tani që turizmin po e shndërrojmë në sektor të rëndësishëm të ekonomisë? Çfarë pasojash mund të na prodhojë një prani e tillë në regjimin e lëvizjes me shtete fqinje apo të BE-së? Etj., etj.

Dhe më e rëndësishmja, nëse nesër Shqipëria ka një qeveri që nuk e rinovon këtë marrëveshje, a kemi garanci se nuk do të shndërrohet në instrument zemërimi dhe përdorimi kundër interesave të Shqipërisë në të ardhmen?

E thënë ndryshe, sa vite marrëveshje të tilla nevojiten për të shlyer “borxhin” e supozuar nga kryeministri i Shqipërisë?/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco