Kushtetuta dhe Protokolli 4 i KEDNJ e konsiderojnë kufizimin e lirisë së lëvizjes jashtë shtetit, si kufizim të lirisë së individit

Kushtetuta dhe Protokolli 4 i KEDNJ e konsiderojnë kufizimin e lirisë së lëvizjes jashtë shtetit, si kufizim të lirisë së individit

22:02, 09/11/2023
A+ Aa A-

Nga Av. Genc Gjokutaj dhe Av. Sokol Mëngjesi

Dje GJKKO u mblodh në seance mbi kerkesen e avokateve te Sali Berishes dhe Jamarber Malltezit për deklarimin e humbjes se fuqise ligjore të masave te sigurise kunder tyre, për shkak të moszbardhjes së vendimeve në afatin e përcaktuar nga ligji dhe për rrjedhojë, të mosdhënies së vendimit tek personat nën hetim, siç e përcaktojnë nenet 248 pika 2 dhe 249 pika 7 K.Pr.P.

Po gjatë kësaj seance, gjykateses se GJKKO Irena Gjoka iu kërkua te jepte dorëheqjen, në bazë të nenit 19 paragrafi 1 dhe nenit 17 pika ë) KPrP, nën dritën e informacioneve të zbuluara rishtazi se ajo, në vitin 1996, kur ushtronte detyren së gjyqtare në një gjykate te shkalles se pare, ishte shkarkuar nga detyra për korrupsion, me vendim te KLD së kohës, të kryesuar nga Sali Berisha, atehere president i vendit[1]. Avokatet i kërkuan gjykateses te jepte doreheqjen ose te prononcohej për faktin ne fjalë. Gjyqtarja Gjoka refuzoi te dy opsionet dhe rrezoi kerkesen e mbrojtjes si te papranueshme.

Më tej, në kundërshtim me çdo nocion juridik dhe interpretim llogjik të akteve madhore ndërkombëtare si Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe protokollet, si dhe kushtetuten e vendit ajo u shpreh se: “Masa e sigurimit personal e detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë shtetit të dhëna ndaj personit nën hetim Sali Berisha, nuk përbëjnë heqje të lirisë personale, por një kufizim të lirisë për të lëvizur jashtë shtetit”. Ndaj, sipas tyre, nuk ka asnjë arsye për të kërkuar miratimin e Parlamentit për vendosjen e këtyre masave.

Përkundër deklaratave të mësipërme, liria e lëvizjes është liri themelore në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe njëra nga liritë themelore që qëndrojnë në bazë të akteve themeluese të Bashkimit Europian. Siç theksohet në tekstet interpretuese të Protokollit të 4t të Konvetës Europiane të të Drejtave të Njeriut “Diferenca midis privimit të lirisë sipas nenit 5§1 të Konventes dhe kufizimit të lirisë së lëvizjes në kuptimin e nenit 2 të Protokollit 4, ka të bëjë me dallimin e masës dhe intensitetit të kufizimit dhe jo me natyrën apo thelbin e tyre( De Tommaso v. Italy [GC], 2017, § 80; Austin and Others v. the United Kingdom [GC], 2012, § 57; Guzzardi v. Italy, 1980, § 93)”[2].

Në të njëjtën frymë, liria e lëvizjes është një nga liritë themelore të individit, e garantuar në Kushtetutën e RSH, dhe ndalimi i lëvizjes së individit jashtë shtetit është një formë e heqjes së lirisë së tij, pavarësisht se në intensitet mund të mos jetë në të njëjtin nivel apo intensitet me burgosjen.

Pikërisht në këtë frymë kushtetuta e Shqipërisë, neni 38 pika 2 sanksion:”Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit”. Neni 73 pika 2 e saj përcakton se: ‘deputetit nuk mund t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme pa autorizim të Kuvendit të Shqipërisë.’. Liria e lëvizjes jashtë shtetit është pra një nga liritë kryesore, që ligjvënësi i konsideron kaq të rëndësishme sa të garantohet me Kushtetutë dhe heqja apo kufizimi i saj në rastin e një deputeti, mund të bëhet vetëm duke respektuar nenin 73, pika 2 të Kushtetutës pra, pas marrjes së autorizimit të Kuvendit. Fraza ‘në cfarëdo lloj forme’ qartazi i referohet masave që kufizojnë lirinë e individit në forma dhe intensitet te ndryshem, e ku përfshihet edhe kufizimi i lirisë së lëvizjes.

Për sa më sipër, vendimi i gjyqtares Gjoka eshte vendim i marrë në shkelje të hapurt të ligjeve themelore të vendit dhe konventave nderkombetare të lirive dhe te drejtave te njeriut të ratifikuara nga Shqipëria.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco