Mediat suedeze, kritika ndaj marrëveshjes së emigrantëve: Guantanamo italiane

Mediat suedeze, kritika ndaj marrëveshjes së emigrantëve: Guantanamo italiane

18:46, 09/11/2023
A+ Aa A-

Kur kryeministrja italiane Giorgia Meloni papritur ndërpreu pushimet e saj verore në brigjet e bukura të Apulias për të nisur një udhëtim me traget drejt Shqipërisë në të nxehtin e  gushtit, kjo befasoi disi median italiane.

Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar në Itali - vetëm gjatë verës së kaluar, afër gjysmë milioni italianë kanë vizituar vendin - dhe kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se i kishte dërguar një ftesë personale Melonit.

‘Giorgia dhe familja e saj do të qëndrojnë disa ditë këtu me ne për tu relaksuar’, tha Rama për gazetën italiane.

Por qëndrimi i kryeministres italiane nuk është përqendruar vetëm në plazh dhe pirjen e aperitivëve, pasi ajo dhe kolegu i saj shqiptar në Romë të hënën paraqitën një marrëveshje të re për migrantë midis dy vendeve.

Sipas kësaj marrëveshjeje, deri në 36,000 persona mund të dërgohen nga Italia në Shqipëri, ku ata do të jetojnë në kampet e pritjes për të parë çështjet e tyre të azilit. Kampet planifikohet të hapen tashmë në pranverën e vitit 2024.

‘Duket në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare’, thotë opozita.

Ky lajm vjen pas një viti të ngarkuar për Italinë me një valë të madhe të migracionit - sidomos në ishullin e Lampedusës. Deri më tani, vendi ka pritur më shumë se 144,000 njerëz, një rritje prej 65% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin e kaluar, sipas UNHCR.

Image

Lajmi i të hënës i publikuar nga kryeministrat e dy vendeve ka befasuar disi, jo vetëm në BE, ku një zëdhënës i Komisionit pretendon se kanë marrë ‘pak a shumë asnjë paralajmërim’ për marrëveshjen, siç shkruan The Guardian.

Opozita italiane kundërshton masivisht këtë marrëveshje, që sipas Elly Schlein, kryetare e Partisë Socialdemokrate, ‘duket se kundërshton të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën europiane’, sipas Il Sole 24 Ore.

‘Meloni duhet të bindë më shumë bashkëpunëtorët e saj në Evropë për të ndarë përgjegjësinë e pritjes së migrantëve,’ tha ajo.

Edhe Riccardo Magi, kryetar i partisë së majtë ‘Më Shumë Europë’, kritikon marrëveshjen e dy vendeve, siç shkruan La Repubblica.

‘Ata krijojnë pak a shumë një 'Guantánamo italian', përtej rregullave ndërkombëtare dhe jashtë BE’, tha ai.

-Heshtja e Salvinit

Marrëveshja duket gjithashtu të krijojë pak konfuzion në qeverinë e  koalicionit të kryeministres italiane.

Matteo Salvini, kryetar i partisë së ekstremistëve të djathtë Lega, i cili më parë e ka akuzuar kryeministren se ka humbur kontrollin e migracionit - zgjodhi të mos komentojë lajmin gjatë 24 orëve të para.

Kjo është interpretuar në median italiane si një shenjë se Salvini mund të ketë qenë i painformuar mbi përmbajtjen e marrëveshjes para se ajo të bëhej publike. Vetëm të hënën ai komentoi marrëveshjen - në një deklaratë mjaft të ashprë në X.

‘Është mirë që qeveria ka nënshkruar një marrëveshje për të dërguar imigrantë të paligjshëm që tentojnë të hyjnë në vendin tonë në Shqipëri. Është një hap konkret dhe i rëndësishëm’, shkroi Salvini në postimin e tij.

Përgatiti Arben Vata

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco