SYRI TV/ KE publikon progres - raportin për Shqipërinë: Kritika për pengimin e Komisioneve Hetimore

14:52, 08/11/2023
A+ Aa A-

Komisioni Evropian publikoi progres raportin  për Shqipërinë për vitin 2023 sa i takon procesit të zgjerimit në Union. Në raportin voluminoz,  KE  shpreh kritika për  refuzimin e komisioneve hetimore parlamentare, përjashtimin e deputetëve të opozitës nga Kuvendi, dhe bllokimin e komisionit për Reformën Zgjedhore. Po ashtu Komisioni Evropian  ngre shqetësimin për keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa thekson se ka pretendime për blerje votash. Më shqetësim progres raporti shprehet edhe për luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias

Syri tv

Komisioni Evropian ka publikuar raportin vjetor mbi politikat e zgjerimit të BE 2023 për Shqipërinë, i cili do të prezantohet nga Komisioni për Parlamentin Evropian, Këshillin, Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian dhe Komitetin e Rajoneve. Në raportin 144 faqe ku bëhet një skanim i situatës politike, zgjedhjeve, qeverisë, parlamentarizmit dhe drejtësisë, theksi është vënë edhe në çështjet që kanë shkaktuar debate në vend. Kështu  Komisioni Evropian, i ka kushtuar vëmendje  refuzimit të Komisioneve Hetimore nga mazhoranca, që së fundmi ka shkaktuar kaos në punimet e Kuvendit. Raporti i Komisionit Evropian konstaton se e drejta e opozitës për Komisione Hetimore garantohet nga Kushtetuta. Refuzimi i mazhorancës me argumentin qe do ndryshojë ligjin për Komisionet Hetimore nuk qëndron për sa kohë ligji ekzistues është në fuqi.

“Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë të dyja kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të inicuar komisione të tilla garantohet me Kushtetutë. Argumenti i mazhorancës në të dyja rastet ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore. Ligji aktual, megjithatë, mbetet në fuqi.”

Në Raportin për Shqipërinë të Komisionit Evropian është përfshirë edhe rasti i përjashtimit të 23 deputetëve të opozitës. Komisioni Evropian e konsideron si të paprecedentë dhe nxit një dialog politik më konstruktiv midis opozitës dhe mazhorancës.

“Mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht për refuzimin e kryeministrit për të marrë pjesë në shumicën e interpelancave të kërkuara nga opozita, shkaktuan një ndërprerje të përkohshme në funksionimin normal të Kuvendit. Sekretariati i Etikës vendosi disa masa disiplinore, duke rezultuar në përjashtimin e paprecedentë të 23 deputetëve të opozitës brenda një muaji. Nevojiten standarde më të larta etike në punimet e Kuvendit për të nxitur një dialog politik më konstruktiv midis opozitës dhe mazhorancës.”

Po kështu, në raport, kritikikohet  edhe puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore që është kthyer në shkakun kryesorë të konfliktit politik mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita me argumentin që Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk ka arritur asnjë rezultat kërkoi riformatimin e tij, por kërkesa nuk u pranua nga mazhoranca. Komisioni Evropian i bën thirrje palëve të përfshihen në një dialog politik

“Pavarësisht krijimit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, nuk u arrit asnjë përparim as në miratimin e ndonjë teksti dhe as në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Kjo kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”

Sa i takon zgjedhjeve lokale të 14 majit,  raporti thekson se ka shqetësime për  keqpërdorimin e resurseve shtetërore,  presion ndaj votuesve, dhe  fenomenin e shitblerjes së votës

Shqetësimet kanë të bëjnë me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, pretendimet për presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit, dhe pretendimet për blerje votash,”

Nder të tjera në raport, shprehet edhe shqrtësimi për abuzimin me fondet ipard 2 për  bujqësinë në Shqipëri, ku theksohet se do të ketë hetim për mashtrimet e instancave përgjegjësi, ndërsa i bëhet thirrje Shqipërisë të ofrojë asistencë për hetuesit e BE.

“Në vitin 2022, raportohen 71 raste të parregullsive dhe mashtrimeve të dyshuara në programet IPA dhe IPARD. SHhqipëria duhet të shtojë përpjekjet e saj në zhvillimin e një historie solide në bashkëpunimin në hetime, duke ofruar, ndër të tjera, asistencë efektive operacionale për hetuesit nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) në mënyrë që ata të mund të delegojnë plotësisht detyra e tyre në kryerjen e një kontrolli në vend në përputhje me Rregulloren e BE

Komisioni Evropian thekson më tej se lufta ndaj korrupsionit mbetet një fushë me shqetësim  serioz dhe duhen bërë përpjekje të mëtejshme. Kritika ka edhe për lirinë e medias, ku vlerësohet se përparimi në këtë fushë  ka qenë i kufizuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco