SYRI TV/ Shkojnë në shkollë një orë para mësimit, prindërit e fëmijëve në protestë

13:08, 07/11/2023
A+ Aa A-

Prindër të nxënësve që ndjekin mësimin në shkollën e Balldrenit në Lezhë, protestuan për shkak të orareve të transportit të fëmijëve nga fshati në drejtim të shkollës. Sipas prindërve, fëmijët presin rreth 1 orë në oborrin e shkollës në mëngjes, për shkak se autobusi që i transporton i merr shumë herët nëpër banesa. Nga institucionet arsimore kanë premtuar zgjidhje të këtij problemi.

Nga SYRI TV

Ndonëse janë vetëm 3 km larg nga shkolla ku mësojnë, fëmijët e fshatit Balldre në Lezhë detyrohen të zgjohen në orën 6 e 30 minuta dhe të qëndrojnë çdo mëngjes përreth 1 orë në oborrin e shkollës, pasi autobusi i çon shumë herët.

Për këtë arsye, prindërit e nxënësve të kësaj shkolle, protestuan këtë të martë, duke kërkuar rishikim të orareve nga kompania e cila  kryen transportin e fëmijëve në drejtim të shkollës.

Afrimi i stinës së dimrit, por edhe siguria gjatë qëndrimit në ambientet e shkollës në pritje të mësimit, janë dy nga shqetësimet kryesore të prindërve.

I kontaktuar për këtë çështje Drejtori Rajonal i Arsimit Parauniversitar në Lezhë Hasan Muça, tha se menjëherë pas sinjalizimit për situatën janë vënë në lëvizje, ku do të zhvillohet një takim me kompaninë që bën transportin e nxënësve për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco