Opozita takon Lajçakun, kërkon hollësi rreth draft-statutit të Asociacionit

Opozita takon Lajçakun, kërkon hollësi rreth draft-statutit të Asociacionit

12:49, 07/11/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha të martën se emisari i Bashkimit Evropian (BE), Mirosllav Lajçak, e përsëriti se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është në përputhje me Kushtetutën e vendit, por shtoi se “ne, fatkeqësisht, nuk patëm mundësi ta shohim përmbajtjen e tij”.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, u takua sot me Krasniqin dhe nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lufti Haziri, dy partive më të mëdha opozitare në vend, si dhe Ramush Haradinajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë vizitës së tij dyditore në Kosovë.

Duke folur pas takimit, Krasniqi tha: “Ne kemi nevojë t’i shohim hollësitë e tekstit [draft-statutit] për të qenë të sigurt se një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë dhe nuk do ta transformojë republikën e Kosovës nga idealet e themeluesve të këtij shteti.”

Krasniqi dhe Haziri thanë se i kanë kërkuar Lajçakut që BE-ja t’ia heqë Kosovës sanksionet.

Lajçaku u takua dje me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, me të cilin tha, në një postim në rrjetin social X, se u pajtua për hapat e ardhshëm dhe për zbatimin e plotë dhe pa vonesa e parakushte të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, Bislimi tha pas takimit se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.

Nuk është ende e konfirmuar nëse emisari i BE-së do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës së tij.

Lajçaku erdhi në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.

Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot.

Kurti ka thënë se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës.

Kosovës dhe Serbisë i është bërë e qartë se zbatimi i marrëveshjeve është rruga e vetme drejt integrimit në BE për të dyja vendet.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.

Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç u arrit pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco