Raporti i Progresit: Kosova kryesisht me 'progres të limituar' këtë vit

Raporti i Progresit: Kosova kryesisht me 'progres të limituar' këtë vit

10:39, 07/11/2023
A+ Aa A-

Kosova kryesisht ka marrë notën “progres i limituar” në shumicën e fushave që ka vlerësuar Komisioni Evropian këtë vit. Ky është niveli më i ulët i progresit. Më keq është vetëm kur vlerësohet se “nuk ka pasur progres” e edhe më keq kur ka pasur prapakthim. Nga aspekti pozitiv konfirmohet zbatimi i liberalizimit të vizave nga 1 janari 2024 dhe Kosova vazhdon t’i përmbushë të gjitha zotimet ndërsa progres është arritur edhe në agjendën e reformave evropiane. Edhe Kosova edhe Serbia qortohen për moszbatim të obligimeve nga procesi i dialogut.

Sikur edhe viteve të mëhershme edhe kësaj radhe për të dhënë një vlerësim të duhur të përmbajtjes së raportit të progresit që për Kosovën e ka përpiluar Komisioni Evropian duhet një lexim i kujdesshëm. Është një dokument voluminoz, mbulon të gjithë kapitujt ku analizohet suksesi në arritjen e standardeve që kërkon BE-ja, e në rastin e Kosovës vlerësohet edhe situata e sigurisë dhe progresi në normalizimin e raporteve me Serbinë. Por nga leximi i parë i draftit të këtij raporti, në të cilin KOHA ka pasur qasje, pa dyshim del konkludimi se progresi kryesisht ka qenë “i limituar” që është vlerësimi më i ulët që Komisioni Evropian i bën progresit. Më pak se kjo është vetëm kur thuhet se “nuk ka pasur progres”. E edhe këtu në disa fusha, “Reformën e administratës publike”, “ruajtjen e aqua-sistemit dhe fondit të peshqve”, “Mbrojtjen e natyrës” dhe disa tjera.

Nga aspekti pozitiv konfirmohet zbatimi i liberalizimit të vizave nga 1 janari 2024 dhe Kosova vazhdon t’i përmbushë të gjitha zotimet ndërsa progres është arritur edhe në agjendën e reformave evropiane.

Sipas Komisionit Evropian “përparim i limituar” është arritur në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, funksionimin të gjyqësorit, lirinë e shprehjes, Mbrojtjen e Mjedisit dhe shumë fusha tjera. Arsyet për vlerësim të tillë më së shpeshti janë se përkundër miratimit të ligjit dhe kornizës ligjore duhet më shumë sukses në implementim.

Komisioni vlerëson se Kosova ka një stabilitet politike me një qeveri të Vetëvendosjes e cila vazhdon të gëzojë shumicën e nevojshme në Kuvend. Pikërisht kjo, vlerësohet në raportin e Progresit, ka mundësuar që Kosova ta ketë një agjendë ambicioze të reformave evropiane (ERA). Edhe reforma zgjedhore është vlerësuar si progres, përfshirë edhe ligjin për financimin e partive politike.

Nuk është aspak befasi që në këtë raport si problem serioz përmendet funksionimi i Parlamentit ku vazhdon të dominojë polarizimi politik ndërsa shpesh nuk ka kuorum për miratimin e ligjeve, përkundër faktit se shumica qeveritare është e mjaftueshme në Kuvendë. Kur kësaj i shtohet edhe bojkoti i deputetëve serbë, pa të cilët nuk mund të miratohen ligjet me rëndësi të veçantë, atëherë puna e kuvendit rëndohet edhe më shumë.

Progres i limituar është vlerësuar edhe në fushën e lirisë së mediave, ku nënvizohet se ka pasur shumë rasteve të presioneve ndaj gazetarëve ndërkaq edhe mediat përballen me probleme financiare që i bën të jenë të ndjeshme nga ndikimet politike dhe të bizneseve. Përmendet rasti i mosdhënies së licencës një mediumi (fjala është për TV Klan Kosova) si potencial për presion ndaj mediave ndërsa problemi me financimin e Transmetuesit publik vazhdon. Përmenden edhe kritikat e opozitës për emërimin e drejtorit të RTK-së. Shqetësim serioz shprehet sidomos për lirinë e shprehjes në veri të Kosovës, përfshirë edhe rastet e sulmeve ndaj gazetarëve gjatë trazirave në atë pjesë të Kosovës.

Kësaj radhe një fokus i madh në raportin e Progresit i është dhënë procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Të dyja vendet kritikohen për mungesë të gatishmërisë për fillimin e zbatimit të obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit nga ky vit, por edhe shumë marrëveshjeve nga e kaluara.

Për dallim nga vitet e mëhershme kësaj radhe Komisioni Evropian hapur ka kritikuar edhe Serbinë për mosrespektim të obligimeve nga dialogu, si në fushën e energjisë, IBM-it, hapjes së urës në Mitrovicë, kadastrave, njohjes së diplomave dhe disa tjera. Madje për Serbinë thuhet se ka bërë edhe “kthim serioz prapa në implementimin e obligimeve nga Marrëveshja e vitit 2013 dhe 2015” për shkak të tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës dhe bojkotit të zgjedhjeve lokale nga ana e tyre.

Për Kosovën kritikat kanë të bëjnë me moszbatimin e zotimeve për themelimin e Asociacionit dhe disa hapave të cilët, sipas raportit, kanë ndikuar në tensionimin e situatës në veri dhe humbjes së madhe të besimit mes autoriteteve të Kosovës dhe serbëve.

Përmenden edhe masat që BE-ja i ka në fuqi ndaj Kosovës dhe thuhet se Kosova ka ndërmarrë disa hapa për të shtensionuar situatën, por duhet bërë më shumë.

Komisioni Evropian ka rikujtuar se në shkurt ishte arritur marrëveshje në Bruksel ndërsa në mars aneksi për implementim në Ohër dhe shpreh keqardhje se palët nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga këto marrëveshje.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia mbetet të nisin zbatimin e obligimeve të tyre përkatëse të cilat dalin nga Marrëveshja, që janë të vlefshme dhe obliguese për palët dhe pjesë e rrugëtimit të tyre evropian. Palët duhet urgjentisht të nisin angazhimin më konstruktiv dhe të fillojnë implementimin pa vonesa tjera apo para kushte“, thuhet në tekst.

Kërkohet që puna në themelimin e Asociacionit të bëhet në bazë të propozimit të fundit Evropian që me 21 tetor u është dorëzuar palëve.

“Nga Kosova pritet që të nis procesi i cili çon deri te themelimi i Asociacionit, bashkësisë së komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian i propozuar para palëve me 21 tetor 2023 dhe nga Serbia kërkohet që të mbështesë këtë proces dhe paralelisht të nis përmbushjen e obligimeve të saja kyçe nga Marrëveshja. Formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e progresit në implementim“, thuhet në dokument.

Gjerësisht përshkruhet edhe kriza në veri, si ajo e muajit maj ashtu edhe sulmi i fundit në Banjskë, që quhet në një vend si “sulm i dhunshëm” ndërsa në një vend tjetër si një “operacion i madh i kontrabandës me armë”.

“Kriza më serioze gjatë periudhës së raportimit ndodhi me 24 shtator të vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga individë të armatosur rëndë, të cilët u zunë në befasi gjatë një operacioni të madh të kontrabandës së armëve, duke lënë një polic të vrarë dhe tre të plagosur. Gjatë operacionit sulmuesit morën peng disa pelegrinë duke u barrikaduar në Manastirin ortodoks serb në Banjskë, të cilët i lanë pas kur u larguan“, thuhet në raport. Nga Serbia kërkohet bashkëpunim i plotë në hetime dhe nxjerrje para drejtësisë të përgjegjësve”, thuhet në raport ndërsa kërkohet që të ndërmerren masa edhe ndaj atyre që janë përgjegjës për dhunën ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it në trazirat e majit.

Raporti për Kosovën, sikur edhe për nëntë vende tjera në procesin e zgjerimit, pritet të miratohet të mërkurën në takimin e kolegjit të Komisionerëve./KOHA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco