SYRI TV/ Studentët e mjekësisë protestë tek Ministria e Arsimit: Shteti të heqë kushtëzimin për ne

16:55, 11/10/2023
A+ Aa A-

Protesta e studentëve të mjekësisë ka vijuar edhe këtë të mërkurë. Nga godina e kuqe në QSUT ku u mblodhën fillimisht, ata marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku përdorën mesazhe, simbolika dhe thirrje të fuqishme. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me anullimin e ligjit që i detyron të qëndrojnë 5 vite në vend pas studimeve, dorëheqjen e zv. ministres së Arsimit Albana Tole dhe takim me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu. Studentët paralajmërojnë se nuk do i ndalin protestat dhe bojkotin deri në plotësim të kërkesave të tyre. 

SYRI TV

Më të shumtë në numër dhe të bashkuar, studentët e mjekësisë marshuan edhe këtë të mërkurë, nga Godina e Kuqe në QSUT drejt Ministrisë së Arsimit. 

Me simbolika dhe thirrje të fuqishme është shoqëruar kjo protestë e studentëve, të cilët përmes një manikine të veshur me uniformë të bardhë, me gojë të mbyllur dhe rrethuar nga tymuese, përcollën mesazhin e kaosit të krijuar dhe burgosjes së mjekëve të rinj si pasojë e ligjit për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë.

Studentët kërkojnë anullimin e ligjit që u mban peng diplomën për 5 vite pas studimeve, takim me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, si dhe dorëheqjen e zv.ministres së Arsimit, Albana Tole pas deklaratës së saj se ata që nuk duan të nënshkruajnë kontratën, mund të ndërpresin studimet. Në shenjë revolte ata grisën përpara ministrisë foton e zv. ministres. 

Në protestë kanë qenë të pranishëm studentët e mjekësisë nga viti i parë deri në vitin e gjashtë, teksa janë përkrahur edhe nga studentë të programeve të tjera, por edhe nga qytetarë të shumtë të cilët i janë bashkuar thirrjeve të tyre. 

Ndërsa janë në javën e dytë të bojkotit të mësimit, studentët nuk do i ndalin protestat, duke paralajmëruar edhe përshkallëzim.

Gaz: F.Çela, Op: E. Jahelezi, Mont: O. Pajo

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco