SYRI TV/ OKB, raport për ekonominë e Shqipërisë: Bujqësia, sektor kryesor në rënie

13:02, 10/10/2023
A+ Aa A-

OKB publikon raportin më të fundit për ekonominë shqiptare. Sipas këtij raporti, edhe pse Shqipëria vijon një rritje të lehtë, diferenca e të ardhurave për frymë krahasuar me Bashkimin Europian mbetet shumë e lartë. Komisioni Ekonomik për Europën thekson se problem në ekonominë shqiptare janë largimet, ulja e fuqisë punëtore, apo pamundësia për hapjen e tregut.

Nga SYRI TV

Komisioni Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara ka publikuar raportin më të fundit sa i përket situatës në Shqipëri.

Sipas raportit të OKB-së, Shqipëria ka arritur të ruajë rritje ekonomike pas tkurrjes së shkaktuar nga pandemia e COVID-19, por gjithsesi kjo nuk i ka shërbyer asaj për të mbyllur hendekun që ka me Bashkimin Europian në terma të PBB-së për frymë në standardin e fuqisë blerëse.

Më tej në raport renditen një sërë problematikash që duhet të rikuperojë vendi ynë. Në raportin e OKB theksohet se pavarësisht rezultatit rritës, ritmi i rritjes ka qenë mjaft i ngadaltë dhe Prodhimi i Brendshëm për frymë në Standardin e Fuqisë Blerëse mbetet më pak se një e treta e mesatares së BE-së, çka tregon një hendek të madh dhe situatën ku ndodhet popullsia në Shqipëri më tej theksi vihet edhe te emigracioni masiv, ku sipas raportit largimet kanë qenë të mëdha, duke rezultuar në remitanca që janë afër 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe një popullsi në moshë pune në tkurrje.

Një tjetër sektor në rënie është bujqësia që sipas raportit deri më tani zë peshën kryesore në ekonomi me 35 %.

Hapja tregtare cilësohet se është relativisht e ulët, gjë që e pengon vendin të kapërcejë në mënyrë më të plotë kufizimet e tregut të vogël vendas. “Aftësia për t’u integruar më plotësisht në ekonominë globale kufizohet nga të metat e mjedisit rregullator dhe infrastrukturës së papërshtatshme, e cila dëmton lidhjen”- thekson raporti.

Shqipëria vlerësohet se ka një performancë të dobët të inovacionit dhe rritja e ulët e produktivitetit ngadalëson përfitimet nga zhvillimi. “Tregu i punës karakterizohet nga nivele të larta papunësie, përqindje të ulëta pjesëmarrjeje dhe informalitet të përhapur.

Së bashku me mangësitë e aftësive, këto karakteristika strukturore kufizojnë rritjen e produktivitetit, ndërkohë që pjesa e punësimit në profesionet me aftësi të larta është shumë më e ulët se ajo e vërejtur në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Performanca e inovacionit është e dobët, me një hendek kundrejt BE-së që po bëhet më i madh. Ka një hapësirë të konsiderueshme për të përmirësuar mjedisin e biznesit, duke gjykuar nga renditjet e ndryshme ndërkombëtare, në dimensione të ndryshme”, vlerëson raporti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco