Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Skandali, dokumenti që 'fundos' Irena Gjokën

‘Protektorati për veriun interes i Botës Serbe’/ ‘Pas terrorizmit në Banjskë s’ka shans’: Kritikohet ashpër kërkesa e Ramës

‘Protektorati për veriun interes i Botës Serbe’/ ‘Pas terrorizmit në Banjskë s’ka shans’: Kritikohet ashpër kërkesa e Ramës

12:36, 29/09/2023
A+ Aa A-

Veriu i Kosovës po shkon drejt shndërrimit në një “Republike të KFOR-it” dhe “për kush e di sa kohë...kjo do të ishte lamtumirë për kontroll formal shtetëror”, paralajmëronte në një konferencë për media para mëse tre muaje, kryeministri shqiptar, Edi Rama, në kohën e tensioneve të ashpra në rastin e instalim të kryetarëve shqiptarë legalë (ndonëse jolegjitimë) në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Hiç më larg se dje, Rama iu kthye sërish fjalëve të tij. Kësaj here jo si një prospekt i frikshëm, por si një projektim që, sipas tij, është punë e kryer se duhet të ndodh – tha që KFOR-i “duhet të merr nën kontroll” pjesën veriore të vendit në aspektet e sigurisë; pas sulmit terrorist mbi vendin që ngjau më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur forca paramilitare i morrën jetën rreshterit Afrim Bunjaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pyetur nga mediumi boshnjak “Istraga” rreth kërkesës së Ramës qe i prerë që formati trepalësh i reagimit të operatorëve të sigurisë nuk ka të ngjarë të ndërrojë – reagues i parë Policia e Kosovës, reagues i dytë EULEX-it, ndërkaq i treti dhe përfundimtari – KFOR-i.

Përmes toneve dramatike e të papërmbajtshme, mediumi tradicionalisht pro-Vuçiq në ShBA, “The Pavlovic Today”, shkroi “përmes burimeve të larta diplomatike” se kjo gjë ishte propozuar në New York në margjinat e OKB-së: Që KFOR-it “të merr përsipër” veriun e Kosovës. Madje, autorja e shkrimit shkruante se një gjë të tillë e kishin kërkuar edhe kryeministrat e rajonit për shkak “të veprimeve të njanshme” të kryeministrit kosovar, Albin Kurti.

Një skenari të tillë i druhet tepër ish-kryediplomatja kosovare Meliza Haradinaj-Stublla; ngase siç beson ajo do të ishte një “prapakthim shqetësues” teksa edhe numëron dy probleme esenciale me këtë skenar. Në një bisedë me Nacionalen Haradinaj-Stublla përkthen në praktikë se çfarë do të nënkuptonte kjo mundësi.

“Prapakthimi më shqetësues në veri do të ishte skenari që do të zhvleftësonte mandatin e Policisë së Kosovës si reaguesi i parë i sigurisë në veriun e territorit të saj, por edhe do të rifuqizonte rezolutën defakto të skaduar UNSC1244 - të cilën shumë shpesh ne e kemi quajtur ‘zombie rezolutë’ e cila sot nuk përkon me realitetin politik e ligjor të Kosovës së pavarur e sovrane pas 17 shkurtit”, na tha ish-Ministrja e Jashtme.

Se për se do të mund të vinte një i ashtuquajtur “protektorat”, ish-top diplomatja kosovare s’e ka asnjë dilemë që kjo s’ka të bëjë me ndofarë cënimi të të drejtave të serbëve-kosovarë, siç rëndom propagandohet nga shteti serb apo nga akterë të tyre brenda shtetit kosovarë. Dy gjëra, sipas saj, përbëjnë “problem esencial” me këtë skenar protektorati.

“Një: Nevoja për protektorat nuk vjen nga rreziku i cenimit të të drejtave të komunitetit serb në veri nga qeveria e Kosovës, por nga nxitja, financimi, e orkestrimi i dhunës, terrorizmit e investimit për konflikt më të gjerë të armatosur nga Serbia; dhe...”

“Dy: ‘Protektorati ndërkombëtar’ për veriun do të përbënte një rrezik real që shteti i Kosovës – i njohur ndërkombëtarisht prej gjithsej 117 shteteve sovrane që përbëjnë gati 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së – do të mund të vendoste Kosovën përballë një rishqyrtimi më të gjërë ndërkombëtar të funksionimit të saj si shtet. Pa kontroll efektiv në gjithë territorin e saj, Kosova do të rrezikonte plotësimin e 1 nga 4 kritereve themelore të Konventës së Montevideos që e definojnë ligjërisht një shtet”, na tha ajo.

Për analistin kroat dhe njohësin e shquar të çështjeve rajonale, Davor Gjenero, megjithatë një skenar i mundshëm i kthimit të veriut në protektorat, s’ka të ngjarë të jetë e mundshme. Ndonëse thotë se mbase gjer më tash do të mund të kishte qenë e paramendueshme, pas sulmeve terroriste, ky prospekt del krejtësisht nga loja.

“Nëse flasim para këtij akti terrorist, mbase diçka e tillë do të ishte e mundshme. Pas sulmit mbi policinë kosovare nuk më asnjë shans për çfarëdo zgjerimi të ndikimit ndërkombëtar në veri të Kosovës”, thotë Davor Gjenero në një bisedë me Nacionalen.

Duke qenë se, siç thotë ai, “është evidente që autoritetet shtetërore serbe janë thellësisht të përfshira në këtë aksion terrorist”, kjo e përjashton një skenar të tillë. Por, thotë ai, përkundrazi kjo e bën edhe më të fuqishme tash e tutje mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën si shtet mëvete dhe sovran.

“Mendoj se ka shumë e shumë shans që komuniteti ndërkombëtar të ngul këmbë në sovranitetin e Kosovës dhe mbrojtjen e atij sovraniteti”, na thotë Gjenero.

Meliza Haradinaj-Stublla i tha Nacionales se “kërkesa për kontroll ekskluziv të KFOR-it” assesi s’përkon me interesat e shtetit kosovar, por me projektin shovinisht dhe serbo-madh të së ashtuquajturës “botë serbe” të artikuluar më së shumti nga tash-Shefi famëkeq i BIA-s, Aleksandar Vulin.

“Ndonëse ne jemi me fat që kemi KFOR-in prezent në Kosovë dhe faktikisht kështu jemi edhe indirekt pjesë e NATOs aty ku kemi synim strategjik, kërkesa për kontroll ekskluziv të KFOR-it në veriun e vendit nuk përkon me interesat strategjike të Republikës së Kosovës në dialog me Serbinë, por përkon me interesat e idesë së të ashtuquajturës “botë serbe” – ku pas ‘protektoratit’ në veri synohet një koncesion tjetër pastaj për të ndryshuar gjendjen faktike në terren pas protektoratit – dhe kjo padyshim është parathënie për një ‘Dodik Republikë’ brenda Kosovës”.

Haradinaj-Stublla lexon edhe dy gjëra, që sipas saj, janë tejet indikative në këtë drejtim; artikulli i botuar në “The Pavlovic Today” por edhe deklarimi i sërish i Ramës në kërkesë për kontroll të KFOR-it.

“Riaktualizimi i skenarit të kahmotshëm të Serbisë për të aneksuar pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, u jetësua ditëve të fundit edhe përmes mediumeve të financuara nga Serbia duke u thirrur në burime kinse ndërkombëtare diplomatike, por edhe përmes politikanëve që për një arsye apo tjetrën - janë në linjë me qëllimet e Serbisë. Edhe konferenca e kryeministrit Rama është po në atë linjë – e dëmton interesin strategjik të Kosovës në dialog, ia mjegullon asaj pafajësinë shtetërore pas sulmit të paprovokuar terrorist nga Serbia, dhe i ndihmon pretendimit të Serbisë për ndarje të Kosovës – një qëllim të Serbisë që Rama e ka përkrahur edhe vetëm pak vite më parë përmes idesë së shkëmbimit të territoreve”, na tha Haradinaj-Stublla.

Eksperti kroat i çështjeve rajonale, tashmë pas sulmit terrorist beson se piktura e gjerë është ndërruar krejtësisht – dhe thotë se edhe për ndërkombëtar “është evidente...kush është kush”.

“Sulmi në Banjska në mënyrë evidente ishte akt terrorist. Dhe është evidente që autoritetet shtetërore serbe janë thellësisht të përfshira në këtë aksion terrorist. Tash është edhe më e qartë që politika evropiane dhe ajo amerikane e kuptojnë këtë; dhe kjo mund të jetë një përmirësim tejet i rëndësishëm në procesin që lidhet me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur i përgatitur për integrime evropiane”, u shpreh Gjenero.

“Po ashtu Vuçiqi po humbet mbështetjen në vendet perëndimore. U bë e qartë edhe që ai nuk ka kontroll mbi krejt strukturat të përfshira në aksionin terrorist. Mendoj se përfundimisht Bashkimi Evropian fillon të kuptojë rrrethanat e përnjëmendta dhe lidhjet e përnjëmendta në Ballkanin Perëndimor e në veçanti marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.

Gjenero kujton edhe detajet tejet të rëndësishme – dhe atë hiç më larg se dje – se misionet e BE-së në Prishtinë dhe Beograd, dhanë sinjale saktësisht të kësaj “kush është kush”. Në Prishtinë Zyra e BE-së vendosi flamurin në gjysmë shtizë për vrasjen tragjike të Afrim Bunjakut, ndërsa në Beograd jo, kur shteti serb shpalli ditë zie për terroristët e vrarë në Bansjkë.

“Dallimi mes trajtimit të ditës së zisë në Kosovë dhe asaj në Serbi nga Komisioni Evropian e dëshmon faktin se tash ka qartazi trajtim ndryshe të palëve në këtë konflikt. Kosova, për çka BE-ja e vendosi flamusin në gjysmë shtizë, vendet anëtare të BE-së, ndërkaq në Serbi s’u vu flamuri në gjysmë shtizë fare. Tash kjo dëshmon se kush është kush në krejt këtë situatë problematike”, përfundoi ai./nacionale.com/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco