‘Ishim gati të ndërhynim’/ Reagimi i dytë i KFOR-it pas sulmit të grupit paramilitar serb në Veri

‘Ishim gati të ndërhynim’/ Reagimi i dytë i KFOR-it pas sulmit të grupit paramilitar serb në Veri

20:56, 26/09/2023
A+ Aa A-

Dy ditë pas sulmit të armatosur të grupit paramilitar serb në Zveçan, që la të vdekur efektivin e policisë Afrim Bunjaku, ka reaguar për herë të dytë misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Lidhur me situatën e nderë të krijuar në Veri, përmes një komunikate për mediat, KFOR përsërit qëndrimin e shprehur ditën e dielë, se policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me të drejtat e saj si reaguese e parë.

KFOR nënvizon se trupat e tyre ishin të pranishëm në zonën pranë manastirit të Banjskës, ku Njësia Speciale e policisë së Kosovës kreu një operacion policor për arrestimin e të ashtuquajturve terroristë nga ana e qeverisë dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Në deklaratë theksohet se trupat e KFOR kanë vëzhguar situatën nga afër dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej nga autoritetet kosovare.

“Siç është theksuar edhe në deklaratën e KFOR-it të lëshuar më 24 shtator 2023, pas sulmit të kryer kundër Policisë së Kosovës në Banjska, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me të drejtat e saj të zbatimit të ligjit, si reaguese e parë. Trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë. Ata vëzhguan nga afër situatën dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej. Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë vepruar në koordinim të ngushtë, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë.”

Pjesë nga deklarata e KFOR-it

Në vijim theksohet se komandanti i KFOR-it “mbetet në kontakt të rregullt me EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të sigurisë së Kosovës si dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë”.

Një thirrje për të vazhduar me dialogun, me ndërmjetësimin e BE-së i drejtohet Prishtinës dhe Beogradit në fund të deklaratës së KFOR.

“KFOR-i gjithashtu do të vazhdojë të ofrojë kushtet e sigurisë të nevojshme që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.”

Pjesë nga deklarata e KFOR-it

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco