‘Politico’: Presidenti serb Vuçiç i drejtohet Rusisë mes tensioneve në rritje me Kosovën

‘Politico’: Presidenti serb Vuçiç i drejtohet Rusisë mes tensioneve në rritje me Kosovën

20:16, 25/09/2023
A+ Aa A-

Nga Claudia Chiappa, Politico

Serbia i është kthyer aleatit të saj të vjetër, Rusisë, pasi Kosova e akuzoi atë për orkestrimin e një sulmi në rajonin me shumicë etnike në veri të Kosovës të dielën.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u takua me ambasadorin rus Aleksandr Botsan-Kharchenko të hënën për të diskutuar pasojat nga një përplasje vdekjeprurëse në një manastir ortodoks serb mes sulmuesve etnikë të armatosur serbë që sulmuan fshatin dhe policisë së Kosovës. Një polic dhe tre nga rreth 30 persona të armatosur u vranë, sipas forcave të Kosovës.

Udhëheqësit e Kosovës, të cilët e shpallën të hënën ditë zie, e përshkruan si një sulm terrorist dhe fajësuan Serbinë se kërkon të destabilizojë vendin e tyre.

“Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit tonë, nga një grup njerëzish të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe të planifikuar, të mbështetur politikisht, të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia,” tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një ceremonie për nder të policit që u vra.

Në përgjigje, Vuçiç e akuzoi Kurtin se po kryen ‘spastrim brutal etnik’ me mbështetjen e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare. Rusia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka lidhje të ngushta me Serbinë, tha se po e vëzhgonte nga afër situatën ‘potencialisht të rrezikshme’ në Kosovë, duke thesuar se ekziston një ‘paragjykim i njëanshëm ndaj serbëve’.

Vuçiç mohoi se Beogradi kishte ndonjë përfshirje në sulmin, të cilin e quajti ‘absolutisht të dënueshëm’ dhe tha se personat e armatosur ishin serbë vendas të Kosovës, të cilët ‘nuk duan të vuajnë më nën terrorin e Kurtit’.

Kosova dhe Serbia kanë qenë prej kohësh në mosmarrëveshje për të drejtat e serbëve etnikë në veri të Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, por Serbia refuzoi ta njohë atë.

Komuniteti ndërkombëtar reagoi me shpejtësi për të dënuar sulmin e të dielës. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e quajti atë ‘të papranueshëm’ dhe i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të ‘shmangin veprimet që mund të nxisin më tej tensionet dhe të kthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE’.

Ndërsa gjuetia për personat e armatosur të mbetur vazhdon, forcat kosovare bllokuan fshatin Banjska të hënën dhe thanë se gjetën trupin e një sulmuesi të katërt dhe një sasi të madhe armësh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco