Fatjon Gjinaj në Kukës: Votat e pavlefshme, të konsiderueshme, kurse Safet Gjici nuk preferoi të votojë

Fatjon Gjinaj në Kukës: Votat e pavlefshme, të konsiderueshme, kurse Safet Gjici nuk preferoi të votojë

09:32, 25/09/2023
A+ Aa A-

"Parashikohet që brenda mesditës së sotme rreth orës 12 – 13, gjithçka të ketë përfunduar".

Gazetari i SYRI TV, Fatjon Gjinaj, ka raportuar këtë mëngjes nga bashkia e Kukësit lidhur me ecurinë e procesit të numërimit të votave në 74 qendrat e votimit të kësaj bashkie.

Gjinaj njoftoi se deri në orën 8, sipas të dhënave zyrtare paraprake nga KQZ-ja për vetëm 48 qendra votimi, Albert Halilaj i Partisë Socialiste ka arritur të marrë 7983 vota, ndërkohë që kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Emri Vata, ka marrë 4546 vota.

Gjinaj po ashtu solli në vëmendje edhe një numër votash të pavleshme, rreth 215 deri tani, një fakt që duhej analizuar.

Gjinaj solli edhe një fakt, që ish-kryebashkiaku i shkarkuar, Safet Gjici, që ndodhet në paraburgim, edhe pse e ka pasur të drejtën e votës, nuk ka votuar.

“Kanë kaluar disa orë të pandërprera në pesë tavolina ku janë vendosur numëruesit e votave të shprehura nga qytetarët kuksiane ditën e djeshme, - tha gazetari nga salla e numërimit në Kukës këtë mëngjes në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV.

“Përgjatë gjithë orëve të mbrëmjes ka vijuar pa ndërprerë procesi i numërimit ndërkohë që në statistikat zyrtare të KQZ, rezulton se deri më tani kur janë numëruar 48 kuti nga 74 në total, Albert Halilaj i PS ka arritur të marrë deri tani 7983 vota, ndërkohë që kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Emri Vata, ka marrë 4546 vota.

Janë 74 qendra votimi dhe kuti votimi që janë grumbulluar gjatë mbrëmjes në KZAZ nr.11 në qytetin e Kukësit, nga të cilat janë numëruar deri tani të paktën zyrtarisht 48 kuti. Ndërkohë, pesë të tjera, që përbëjnë një total prej 53 kutish votimi ndodhen në tavolinat e numërimit.

Kafe Shqeto: A ka pasur shkelje përsa i përket procesit, ditën e votimit?

Fatjon Gjinaj: Kanë qenë të paktën dy raste të dokumentuara edhe me pamje filmike, por edhe me reagimet që kanë ngjallur ditën e djeshme, në njësinë administrative të Topojanit, e cila qendrën e saj e kishte vetëm pak metra larg qendrës ë votimit.

Persona që paraqiteshin për të votuar, të paktën disa prej tyre të dokumentuar me pamje filmike, hynin në ambientet e njësisë administrative dhe takonin persona të tjerë pavarësisht se bëhej fjalë për ditë pushimi zyrtar. Ishte ditë e diel dhe ata e gjenin derën e njësisë administrative të hapur dhe pasi qëndronin disa minuta në ambientet e kësaj zyre, zhvendoseshin disa metra më tutje ku ishte qendra e votimit duke ngjallur reagime dhe dyshime për mundësinë e ndikimit në vullnetin e zgjedhësve.

Një qëndrim të tillë ka mbajtur edhe Partia Demokratike dhe koalicioni “Bashkë fitojmë” ndërkohë që një tjetër episod kishte të bënte me prezencën pranë qendrave të votimit të një numri të konsiderueshëm zyrtarësh të larët vendorë e qendrorë. Sjellim rastin e dokumentuar edhe me foto e të publikuar dhe nga opozita, ku shefi i Urbanistikës në Kukës, kryetari i komanduar i bashkisë, drejtoresha e njërit prej gjimnazeve në Kukës, një tjetër drejtor Kadastre dhe një doganier... Përkrah emrave në fjalë dhe funksioneve  janë dokumentuar dhe denoncuar nga opozita edhe fotot apo videot përkatëse të tyre.

Çfarë nënkupton?! Në fakt pretendimi dhe fakti që u evidentua ditën e djeshme kishte të bënte me prezencën e tyre në një perimetër në shkelje të Kodit Zgjedhor, pasi nuk është zbatuar distanca e personave të paautorizuar që duhet të respektonin persa i përket qendrës së votimit e për më tepër, pretendimet e opozitës kanë qenë se mbanin shënime emra të qytetarëve që merrnin pjesë në votime, duke e konsideruar këtë si një formë shantazhi apo ndikimi e orientimi të votës.

Kafe Shqeto: Çfarë impakti kanë pasur veprime të tilla në rezultatin apo projeksionin që është deri tani? A ka pasur komente nga shtabi i kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë”?

Fatjon Gjinaj: Në fakt ka pasur një qëndrim ditën e djeshme nga zoti Emri Vata, kandidati që përfaqëson koalicionin opozitar në këtë garë elektorale vendore të pjesshme për kreun e bashkisë së Kukësit, lidhur me problematikat që janë evidentuar, sipas tij në këto zgjedhje. Ai tha në të vetmen deklaratë që ka bërë publike  në momentin kur ka votuar në orën 11 pranë qqndrës së tij të votimit se janë dokumentuar disa elementë dhe shkelje të rënda të Kodit Zgjedhor por nuk preferoi të komentonte se me çfarë kishin të bënin, pasi paralajmëroi se ishte në fazë të grumbullimit të çdo fakti apo prove për ta adresuar tek autoritetet përkatëse, qoftë zgjedhore, misionet ndërkombëtare të monitorimit të zgjedhjeve apo zyrat diplomatike të akredituara në Tiranë.

Ndërkohë, dua të sjell një çështje për sa i përket pyetjes që bëtë, tek ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve. Mund të sjell një fenomen që nuk është i pakonsiderueshëm. Deri tani kur janë numëruar rreth 50 kuti votimi, rezulton se në kutitë përkatëse janë hedhur 215 vota të pavlefshme, që nënkupton se një numër i konsiderueshëm në fakt votuesish, kanë marrë pjesë në zgjedhje. Nuk mund të faktohet se në çfarë rrethanash, nëse kanë qenë të shantazhuar apo nën presion për shkak të funksioneve apo punëve ku janë të angazhuar, por mund të merret si statistikë për t’u analizuar, një numër i konsiderueshëm i votave të pavlefshme.   

Kafe Shqeto: Kur mund të kemi një rezultat përfundimtar, Fatjon?

Fatjon Gjinaj: Mendoj se rreth mesditës së sotme gjithçka do të përfundojë, kjo edhe për shkak se ky proces zgjedhor ka qenë me vetëm një fletë votimi që ka të bëjë me dy emra kandidatësh, Albert Halilajn nga PS dhe Emri Vatën nga koalicioni “Bashkë fitojmë” dhe nuk ka pasur ngarkesë, nëse mund ta themi kështu, të një flete të dytë votimi. Anëtarët e Këshillit Bashkiak mbeten ata që janë zgjedhur në zgjedhjet vendore të 14 majit në bashkinë e Kukësit. Parashikohet që brenda mesditës së sotme rreth orës 12 – 13, gjithçka të ketë përfunduar.

Kafe Shqeto: Po ish-kryebashkiaku Safet Gjci, është parë apo është ndier prania e tij në këto zgjedhje? Ka qenë objekt komentesh?

Fatjon Gjinaj: Në Kukës është e pamundur të mos e dëgjosh emrin e tij dhe në fakt shumë qytetarë kuksiane shprehen të habitur kur i takon rrugëve të qytetit që vjen një rezultat i tillë paraprak, të paktën deri në këtë fazë të numërimit të votave, pavarësisht asaj çfarë ndodhi me kryebashkiakun. Por nga ana tjetër di të them, duke qenë se mbulojmë edhe çështjet e gjykatave, të sistemit gjyqësor e të akuzës, që Safet Gjici e ka pasur të drejtën për të ushtruar të drejtën e votës për shkak se ndodhet në ambiente paraburgimi, por nga informacioni që unë  kam është, e para se nuk ka votuar dhe e dyta, nuk ka pasur një kërkesë nga ana e tij për të votuar. Pra, as ish-drejtuesi i i bashkisë së Kukësit për një mandat të plotë dhe një mandat që nuk e nisi dot për shkak të video-skandalit, me sa duket nuk ka preferuar të votojë në këto zgjedhje pavarësisht se e ka pasur të drejtën ta ushtrojë këtë. /ar.sh/SYRI.NET 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco