SYRI TV/ Akuzat e Albin Kurtit, reagon DASH dhe BE: Njohim përpjekjet e palodhura të Lajçak

12:50, 19/09/2023
A+ Aa A-

Deklaratave për njëanshmëri të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, DASH dhe BE i janë përgjigjur me një reagim për mediat. Departamenti Amerikan përsëriti thirrjen për rrugën drejt normalizimit dhe përshëndeti punën e palodhur të Lajçak në dialog. Ndërsa BE i kërkoi Kosovës të themelojë Asociacionin pa vonesa e parakushte teksa theksoi se ndëshkimet mbeten në fuqi!

Nga SYRI TV

Pas akuzave të Kryeministrit Albin Kurti ndaj Lajçak dhe Borell për sjellje të njëanshme ndaj Serbisë në tryezën e Dialogut, ka reaguar Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë për Zërin e Amerikës se SHBA do të vijojë të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi ndërsa shprehu zhgënjimin për dështimin e dialogut.

“SHBA mbetet e angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falenderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak. Ne presim që të dy vendet t'i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”

Gjithashtu dhe Bashkimi Evropian ka reaguar përmes një deklarate pas takimit të 14 shtatorit në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi, ku shpreh shqetësimin për mungesën e angazhimit nga dy palët.

BE ka theksuar se kërkon nga palët të respektojnë konfidencialitetin në dialog derisa shpreh shqetësimin për mungesën e hapave për depërshkallëzim të situatës në veri të Kosovës.

“BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar. BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”

BE shton më tej se masat ndëshkuese ndaj Kosovës do të mbeten në fuqi derisa Kosova të angazhohet në plotësimin e kërkesave.

Një ditë më parë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se Lajçak u paraqit në takim me një skenar të dizenjuar më parë, ku parashikohej zbatimi i atyre pikave që i interesojnë Serbisë dhe e akuzoi për fshehje të dokumenteve të diskutuara më herët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco