DEKLARATA/ Avokatët grekë: Edi Rama të lejojë Belerin të bëjë betimin

DEKLARATA/ Avokatët grekë: Edi Rama të lejojë Belerin të bëjë betimin

14:14, 18/09/2023
A+ Aa A-

Asambleja e Dhomave të Avokatisë Greke ka reaguar këtë të hënë, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në qeli Fredi Belerin, i akuzuar për shitblerje votash. Në këtë mënyrë, vendimi i sotëm i gjykatës rrëzon për herë të gjashtë kërkesën e Fredi Belerit për ndryshimin e masës së sigurisë.

Në reagimin e Asamblesë së Dhomave të Avokatisë Greke theksohet se, sipas tyre, ky vendim është në shkelje të tri neneve në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e po ashtu në shkelje të parimit të proporcionalitetit. “Edi Rama të lejojë Belerin të bëjë betimin si kryetar i zgjedhur. Në fakt, nuk ka asnjë vendim gjykate që e ndalon Belerin të bëjë betimin”, thuhet më tej në këtë reagim.

Ndërkohë, seanca e sotme e apelit u ndoq nga ambasadorja greke Kostandina Kamitsi dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. Një ditë më parë, ishte dhe vetë kryeministri grek, Mitsotakis, ai që kërkoi lirimin e Belerit, duke thënë se kjo çështje po hedh hije në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje. Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij.

DEKLARATA

Asambleja e Dhomave të Avokatisë Greke
Arrestimi dhe vazhdimi i ndalimit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë Fredi Beleri shkelje e nenit 3 të Protokollit nr.1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në çështjen Beleri kemi shkelje të përsëritura të nenit 3 të Protokollit Nr.1 i cili zbatohet si për zgjedhjet kombëtare ashtu edhe për ato lokale. Më konkretisht e drejta për zgjedhje të lira përbën një parim themelor dhe është thelbësore për vendosjen dhe ruajtjen e themeleve të një demokracie të vërtetë të qeverisur nga shteti i së drejtës. Neni 3 i Protokollit nr.1 i jep të drejtën një individi për të dalë si kandidat në zgjedhje dhe nëse zgjidhet të drejtën për të ushtruar efektivisht mandatin e tij.

Në rastin e Belerit, e drejta për të ushtruar efektivisht mandatin e tij është shkelur për shkak të masës së paraburgimit. Detyra e një përfaqësuesi të zgjedhur është të përfaqësojë elektoratin e tij, të tërheqë vëmendjen ndaj shqetësimeve të tyre dhe të mbrojë interesat e tyre. Aq më tepër ky është rasti nëse akuzat ndaj atij përfaqësuesi, kanë bazë politike.

Masa e paraburgimit e vendosur ndaj Belerit si nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ashtu edhe nga gjykatat e SPAK-ut të Tiranës është jashtëzakonisht e rëndë, në mos arbitrare, sepse masa e kundërshtuar synon të pengojë aplikantin të ushtrojë mandatin e tij si kryetar i zgjedhur i Himarës.

Qeveria shqiptarë është e detyruar të marrë në konsideratë masa më pak të ashpra për të mbrojtur të drejtën e Belerit për të ushtruar detyrën si kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë. Për rrjedhojë ka shkelje të nenit 3 të Protokollit Nr.1.

B. Shkelje e nenit 10 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut

Ndalimi i Belerit si dhe refuzimi arbitrat nga gjykatat shqiptare për ta lejuar atë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të kryejë detyrën e tij, cenon të drejtën e tij të shprehjes politike. Kjo ndodh sepse i heq mundësinë për të përfaqësuar efektivisht votuesit e tij dhe bie ndesh me integritetin dhe efektivitetin e procedurës zgjedhore të 14 majit 2023, duke minuar përfundimisht synimin e saj, pra identifikimin dhe materializimin e vullnetit të popullit. Si rezultat ka shkelje të nenit 10 të Konventës.

C. Shkelje e nenit 6-2 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut

Komentet dhe vërejtjet e përsëritura të bëra nga Kryeministri, vlerësimi negativ i njëanshëm i tij për ccështjen Beleri dhe përdorimi i gjuhës së prerë e të pakujdesshme ndikon në opinionin publik për sa i përket fajësisë së Belerit dhe paragjykon vendimin e ardhshëm të Gjykatës.

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama shkuan përtej një mosmarrëveshjeje të thjeshtë me një kundërshtar politik. Të krijohet përshtypja se kryeministri është shprehur i kënaqur me arrestimin dhe ndalimin e vazhdueshëm të Belerit. Kryeministri mishëron, par exellence autoritetin politik përgjegjës për organizimin dhe funksionimin e duhur të drejtësisë në Shqipëri.

Ai duhet të ishte veccanërisht i kujdesshëm për të mos thënë asgjë që mund të krijonte përshtypjen se ai dëshironte të ndikonte në rezultatin e procedurave në pritje përpara Gjykatës.

Si rezultat kjo përbën shkelje të nenit 10 të Konventës.

Shkelje e parimit të proporcionalitetit

Parimi i proporcionalitetit kërkon që të ketë një marrëdhënie të arsyeshme ndërmjet një objektivit të caktuar që duhet arritur dhe mjeteve të përdorura për të arritur atë objektiv.
Paraburgimi i Belerit për më shumë se 4 muaj për një shkelje të supozuar të ligjit të fushatës në vlerë prej 300 euro është haptazi një masë joproporcionale. Ccdo kufizim i të drejtave që i imponohet një personi duhet t’i shërbejë një qëllimi legjitim dhe të respektojë parimin e proporcionalitetit.

Edi Rama të lejojë Belerin të bëjë betimin si kryetar i zgjedhur

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka pohuar vazhdimisht se “autoritetet e pavarura gjyqësore” po e pengojnë Belerin të dalë nga burgu për të bërë betimin si kryebashkiak i Himarës.

Në fakt nuk ka asnjë vendim gjykatë që e ndalon Belerin të bëjë betimin. Përkundrazi, në aktgjykimin numër 226 të datës 26 qershor 2023, nga Gjykata Speciale e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila shqyrtoi kërkesën time për leje për të bërë betimin si kryetar bashkie, shprehimisht thuhet se:
“Gjykata konstaton se…nuk është autoriteti kompetent dhe se i mungon juridiksioni për të vendosur për miratimin e lejes së kërkuar nga individi nën hetim”.
Autoritetet kompetente për dhënien e kësaj leje janë (a) Drejtori i Institucionit të Ekzekutimit të Dënimeve Penale, ku ai banon aktualisht dhe (b) Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Këto subjekte janë njësi të thjeshta administrative dhe jo “autoritete të pavarura gjyqësore”.

Kryeministri shqiptar duhet t’u japë autorizimin e nevojshëm vartësve të tij, përkatësisht Drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Dënimeve Penale të burgut të Durrësit, ose Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke i lejuar ata të lehtësojnë transportin e Belerit për në Himarë, të shoqëruar nga oficerë policie, në mënyrë që të bëjë betimin e detyrës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco