Drejtësia me regji, Amant Josifi dhe gjithmonë 'bishtat', kurrë kokat

Drejtësia me regji, Amant Josifi dhe gjithmonë 'bishtat', kurrë kokat

14:24, 16/09/2023
A+ Aa A-

Nga Petrit Vasili.

Çdo institucion apo agjenci shtetërore e ngarkuar me luftën ndaj krimit aktualisht në vendin tonë, merret vetëm me “bishtat” ose nuk vepron fare duke i dhënë gjithë kohën e duhur krimit dhe korrupsionit që të thellojnë veprimtarinë e tyre.

Në rastin e Amant Josifit, gazeta me madhe spanjolle: "Në rastin e Josifit, ai ishte përgjegjësi i degës së dedikuar për mashtrimin e qytetarëve spanjollë me epiqendër Shqipërinë".

Pra, identifikohet si epiqendër Shqipëria për veprimtarinë e Amant Josifit, arrestimi i të cilit ka ndodhur që në 6 shtator dhe është mbajtur fshehur nga qeveria dhe policia sepse kishte mbështetjen e plotë të tyre.

Ndërkohë, zero veprim nga institucionet shqiptare lidhur me këtë rast, të cilat me mosveprimet e tyre janë shndërruar haptas në bashkëpunëtore të krimit dhe jo luftues të pakompromis të tij.

E njëjta gjë ndodh me inceneratorët, ndërkohë që Veliaj është koka e aferës së inceneratorëve të Tiranës, ai nuk arrestohet dhe pagesat miliona euro vazhdojnë.

Drejtësia me regji nuk vepron, ndërkohë pagesat për inceneratorin e Tiranës vazhdojnë sepse gjoja respektojnë kontratën.

Qeveria e Edi Ramës ka prishur dhjetëra kontrata në mënyrë të njëanshme të pajustifikuar dhe të paligjshme për të cilat po paguhen qindra milionë euro dhe ku rrezikohen të paguhen qindra milionë euro të tjera.

Ndërkohë për një kontratë mafioze të provuar me fakte e prova si ajo e inceneratorit të Tiranës nuk bëhet ndërprerja e menjëhershme e saj sepse me këto para po blejnë heshtjen e mafiozëve në arrati.

Ndërkohë që ish-ministra dhe ish zv.kryeministri janë në burg dhe arrati, koka e aferës së inceneratorëve, Edi Rama, as nuk është pyetur dhe as është marrë në përgjegjësi penale.

Po kështu edhe me koncesionet në shëndetësi, ku koka e aferës, ish-ministri Beqaj është i lirë dhe jashtë çdo lloj përgjegjësie, ndërkohë që bishtat janë nën hetim apo të burgosur.

Po kështu ndodh edhe me qindra tendera sekrete apo të zakonshem ku vidhen pa fund para publike.

Arrestohet ndonjë drejtor apo specialist, por urdhëruesit e tyre, ministrat, janë gjithmonë të paprekur.

Shqiptaret e panë në kohën e pandemisë kur u bë batërdia më e madhe me tenderat sekretë në ministrinë e Mbrojtjes dhe të Shëndetësisë me çmime deri në dhjetëfishin e çmimit dhe ministret dolën tërësisht pa lagur nga kjo grabitje, që ndodhi në kohën më të vështirë për shqiptarët.

Drejtësia me regji nuk vepron qëllimisht ndaj kokave dhe merret me bishtat.

Goditja e bishtave dhe jo e kokave betonon pandëshkueshmërinë dhe mban hapur autostradën e korrupsionit pandemik të pandëshkuar.

Drejtësia me regji, që mbron kokat dhe godet bishtat në këtë mënyrë hedh në erë shtetin ligjor dhe i hap rrugën shtetit të krimit dhe trafikantëve.

Kësaj loje të ndyrë politike të kokave, që mbrohen nga bishtat, i ka dalë boja dhe drejtësia dhe agjencitë e tjera vetëm po rëndojnë e thellojnë përgjegjësitë e tyre duke u futur në një situatë të pashpresë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco