Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Gazeta e madhe spanjolle: Josifi me lidhje të forta politike, arrestimi i tij ka shkaktuar tërmet në Shqipëri

Gazeta e madhe spanjolle: Josifi me lidhje të forta politike, arrestimi i tij ka shkaktuar tërmet në Shqipëri

19:14, 15/09/2023
A+ Aa A-

Nga Rebeca Carranco, EL PAIS

Policia ka arrestuar në Dubai një nga drejtuesit e dyshuar ndërkombëtarë të mega-mashtrimit të ndërmjetësve të rremë, me tentakula në të gjithë Europën dhe rreth 17 mijë viktima të mundshme në Spanjë.

I arrestuari është Amant Josifi, i cili u ndalua më 6 shtator dhe të cilin skuadra speciale Mossos dhe Garda Civile e kishin përcaktuar si një objektiv me ‘vlerë të lartë’.

Josifi është pronar i disa qendrave të thirrjeve në Shqipëri, nga të cilat policia dyshon se janë telefonuar viktimat e këtij rrjeti për të ofruar investime false. Ndaj tij, gjykata ka lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për krimet e mashtrimit dhe organizatës kriminale, ndër të tjera.

Josifi është i lirë, siç e ka konfirmuar edhe avokati i tij, i cili pretendon se ai jeton prej tre vitesh në këtë vend. Policia nuk arriti ta arrestonte në Shqipëri gjatë mega-operacionit ndërkombëtar që kreu në nëntor të vitit të kaluar, ku u përfshinë disa shtete.

Josifi është një biznesmen i njohur në Shqipëri, me lidhje të forta politike. Arrestimi i tij ka shkaktuar një tërmet në shtetin evropian, ku ai ka shërbyer si këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes në periudhën 2018-2020.

Një nga avokatët e tij në Spanjë pretendoi për gazetën se Josifi ishte thjesht një biznesmen, që e kishte marrë me qira qendrën e thirrjeve telefonike dhe nuk e dinte se çfarë lloj aktivitetesh kryheshin aty. Avokati i tij kërkoi që ai të paraqitej për të dëshmuar me video-konferencë. Arrestimi, sipas burimeve gjyqësore, është kryer përmes Interpolit. Josifi është lënë i lirë, pa asnjë masë sigurimi, në pritje të paraqitjes së kërkesës për ekstradim nga gjykata e La Seu.

Skuadra speciale e Mossos dhe Garda Civile po heton nga një gjykatë e vogël në La Seu në Lleida, një mega-mashtrim ndërkombëtar për më shumë se katër vjet. Ky mashtrim është i zhytur në faqe interneti, domene, platforma, emra pas mashtrimesh dhe mijëra persona janë joshur me oferta investimesh në tregje valutore, kriptovaluta, lëndë të para dhe produkte të tjera financiare.

Si rezultat i kësaj pune, policia katalanase zhvilloi një motor kërkimi me 470 faqe të supozuara mashtruese. Nga ankesa fillestare e një të moshuar, të cilës iu morën 800 mijë euro përmes mashtrimit, u krijua një ekip ndërkombëtar, me përfshirjen e vendeve të tjera si Gjermania, Italia, Gjeorgjia dhe Shqipëria. Policia thotë se rrjeti ka fituar rreth 2.4 miliardë euro me qindra mijëra viktima në mbarë botën.

Hetimi i çështjes ka zbardhur funksionimin e qendrave të nxehta, të hapura 24 orë në ditë, me dhjetëra persona që hiqen sikur janë ndërmjetës të përkushtuar për të mashtruar pamëshirshëm qytetarët nga e gjithë bota. Viktimat besonin se po investonin në produkte financiare me përfitim të lartë dhe në kriptovaluta, por në realitet, paratë shkonin direkt në xhepat e organizatës kriminale.

Policia pohon se një nga markat nën të cilat vepronin ata ishte edhe EverFX, e cila sponsorizoi edhe klubin e Seviljes në futboll. Një nga drejtuesit kryesorë të platformës EverFX, Pablo A. M., 33 vjeç, u arrestua nga Mossos në dhjetor të vitit të kaluar, kur avioni me të cilin udhëtonte nga Rumania, u ul në aeroportin El Prat de Llobregat.

Jashtë hetimit u lanë ndërmjetësit e rremë, duke pasur parasysh vështirësitë e kombinimit të legjislacioneve të ndryshme të çdo vendi. Policia i përqendroi të gjithë përpjekjet për të ‘prerë kokat’ e atyre që i konsideron përgjegjësit kryesorë të këtij rrjeti kriminal. Në rastin e Josifit, ai ishte përgjegjësi i degës së dedikuar për mashtrimin e qytetarëve spanjollë me epiqendër Shqipërinë. Policia ndërhyri në të njëjtën kohë në qendrat e thirrjeve të përhapura në disa vende, duke përfshirë Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Ukrainën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco