Kosova, e kushtëzuar nga Dialogu dhe sanksionet, shpreson të marrë kandidaturën për BE

Kosova, e kushtëzuar nga Dialogu dhe sanksionet, shpreson të marrë kandidaturën për BE

14:13, 13/09/2023
A+ Aa A-

Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është e mundur vetëm përmes valës se re të zgjerimit në 2030. Gjithmonë nëse dialogu me Serbinë deri atëherë merr një epilog, dhe pesë vendet anëtare e njohin Kosovën. Qeveria thotë janë në pritje të marrjes së pyetësorit, për të ecur më tutje në këtë proces. Nga ana tjetër, opozita është e rezervuar karshi mundësisë që edhe vendi ynë të jetë pjesë e pakos integruese në BE në vitin 2030, pasi ka disa pengesa gjatë kësaj rruge, shkruan Syri Kosova.

Nga Albionë Zhitia

Kosova si vendi më i izoluar në rajon (të paktën edhe për pak muaj), ka filluar të ëndërrojë që në këtë valë të re të zgjerimit të bëhet edhe ajo anëtare e Bashkimit Evropian.

Kanë kaluar nëntë muaj që kur Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarsim në Bashkimin Evropian, mirëpo, deri më sot nuk ka asnjë lëvizje në lidhje me ketë temë. Përkundër kësaj, Qeveria e Kosovës mendon se është në rrugën e drejtë për t'u integruar sa më parë. Aq më tepër tani, kur në samitin e Bledit për herë të parë Brukseli hapi zemrën dhe përcaktoi një datë të mundshme, që shtetet e Ballkanit Perëndimorë të kenë një fije shpresë për t’iu bashkuar familjes evropiane.

Ndaj, ekzekutivi kosovar e mirëpret vizionin e  Charles Michelit, të paktën këtë e thotë për Syri Kosovën,  Klisman Kadriu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Bisnik Bislimi që është i ngarkuar për dialog dhe integrime evropiane në Qeverinë Kurti 2.

“Kosova e mirëpret vizionin e ofruar nga ana e Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, në emër të Bashkimit Evropian në Bled të Sllovenisë se Ballkani Perëndimor dhe BE duhet të jenë gati për zgjerim deri në vitin 2030.

Qeveria e Republikës së Kosovës po dëshmon në vazhdimësi që institucionet tona janë të maturuara e të gatshme për hapa të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian. Në këtë frymë, erdhi dhe aplikimi për anëtarësim në dhjetor të vitit të kaluar, për të cilin presim marrjen e pyetësorit sa më parë dhe ecjen tutje në proces. Kosova po e zbaton Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit që 7 vite”, deklaron Kadriu për Syrin.

Më tet, Kadriu shprehet se deri më tani Qeveria Kurti ka marrur rezultate pozitive në përmbushjen e reformave sipas standardeve evropiane.

“Niveli i përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane është pozitiv gjatë dy viteve të fundit. Së fundmi, raporti i gjysmës së parë të vitit 2023, të Planit Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE), tregoi se më shumë se gjysma e reformave të parapara e planifikuara janë zbatuar ose janë në zbatim e sipër sipas afateve. Pra ka një plan e strategji të mirëfilltë në këtë drejtim, pikërisht e inkuadruar edhe në PKIE.

Me progresin më të madh demokratik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor në dy vitet e fundit, të dëshmuar dhe nga raporti për vendin i Komisionit Evropian, ai i Parlamentit Evropian si dhe indekset e rankimet ndërkombëtare, Kosova është në rrugën e drejtë për të bërë reformat e nevojshme dhe për të plotësuar kriteret e Acquis communautaire për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian deri më 2030”, thekson Klisman Kadriu.

Ai shton se “vendi ynë, meriton statusin e vendit kandidat. Ne besojmë që përmes angazhimit tonë dhe rezultateve të dëshmuara vitet e fundit, mund të bëjmë progres edhe më të shpejtë e meritor”, vlerëson këshilltari i Besnik Bislimit.

Edhe pse nga ekzekutivi deklarojnë se po punohet që vendi ynë të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, kjo e fundit i ka vendosur Kosovës sanksione për shkak të situatës së tensionuar në veri,që ndodhi gjatë muajve të fundit. Kjo gjë po bën që opozita të jetë e rezeruvar karshi mundësisë që së bashku me shtetet e rajonit të jemi pjesë e familjes evropiane.

Ish-ministrja e Integrimit, Mimoza Ahmetaj, njëherit anëtare e PDK-së, në një deklarim për Syri.net Kosovën thotë se derisa ndodhemi në këto rrethana, është e pamundur anëtarsimi i Kosovës në BE.

“Vet fakti që ne ndodhemi nën sanksione nga Bashkimi Evropian, një gjë  e tillë është e pamundur. Vetëm në rastin nëse situata ndryshon dhe Kosovës i hiqen sanksionet, atëherë ne mund të flasim për mundësi për integrimin e Kosovës në BE, deri në vitin 2030, kjo është shpresa e vetme. Sigurisht nuk mungon vullneti qytetarë, ku shumica është pro integrimit evropian po sidoqoftë që të jetë, në rrethanat aktuale një gjë e tillë është e pamundur”.

Për me tepër ajo vlerëson se qeveria nuk është duke punuar si duhet sa i përket procesit të integrimit.

“Fatkeqësisht Qeveria aktuale nuk po vepron si duhet, Kosovës nuk i janë nevojit sanksionet, për vet faktin që nuk kanë ditur si ta menaxhojnë situatën, kanë sjellë këto pasoja është treguesi më i mirë që nuk janë në rrugën e duhur”.

Njëjtë si Ahmetaj, po mendon edhe LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, vetëm se ajo ngre edhe shqetësimin se kjo qeveri nuk e ka shumë seriozisht integrimin në BE.

“Së pari qeveria nuk ka as ministri integrimi, kjo flet shumë për seriozitetin e kësaj qeverie. E dyta shumica e stafit që ka qenë anëtarë të ministrisë në zyrën e kryeministrit e kanë lënë punën, kështu qe  kemi deficit të jashtëzakonshëm të njerëzve që merren me procesin e integrimeve. Momentalisht i gjithë procesit të integrimit evropian është stopuar për shkak të dialogut me Serbinë dhe nuk është duke ndodhur asgjë. Kurse dëshmia më e mirë është që tani Kosova është në sanksione nga BE-ja, e gjithë kjo është rezultat i mos seriozitetit të kësaj Qeverie”, deklaron Lushaku Sadriu për Syri Kosovën.

Shanset që Kosova të bëhet pjesë e BE-së në vitin 2030, sipas ish ministrës Ahmetaj, janë vetëm nëse ndryshon mënyra e votimit.

“Kërkohet konkonsesu brenda shtetet anëtare për cështjen e pranimit të shteteve të reja në BE. Megjithatë, tek çështja e votimit është diçka që po diskutohet brenda BE-së që të ndryshoj, e të bëhet nga vendimi me konsensus,  të bëhet me votim me shumicë së kualifikuar, e që është formë e votimit që e njeh BE-ja në shumë procese, në rastin e tillë mosnjohja është pak e rëndësishme”, analizon ish ambasadorja Mimoza Ahmetaj.

Në anën tjetër,  Jehona Lushaku-Sadriu thekson se teorikisht është e mundur, pasi BE-ja ka nisur të ndryshoj mënyrën e të menduari sa i përket anëtarësimit të shteteve të reja.

“Teorikisht është e mundur, sepse hapi i fundit është hap politikë ku 27 shtetet të BE-së me marr qëndrim rreth anëtarësimit të secilit shtet. Deri tash ka pasur qasje individuale ndaj shteteve, po tash ka  filluar të mendoj që gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, nëse do të integroheshin në një valë të vetme është më mirë për rajoni. Si rezultat i kësaj edhe Kosova mundet me qenë në pjesë e saj, përkundër që kemi pesë shtete mos njohës”, thotë ajo.

Pesëshja problematike që nuk e ka njohur ende Kosovën

Rruga integruese e Kosovës mbetet e vështirë, sidomos për faktin se 5 vende anëtare të BE-së vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Për këtë ish ambasadorja Mimoza Ahmetaj shprehet se Kosovës i nevojitet njohja nga këto vende.

“Kosovës i nevojitet njohja e pesë shteteve anëtare dhe besoj se për një gjë të tillë, nëse hapen rrugët nga ky vit deri në 2030 do të duhej ta tejkalonim këtë cështje e  mos njohjes dhe të arrinim që gjitha këto shtete t’i bindin ta njohin shtetasin tonë, përfundon Ahmetaj.

Në të njëjtën linjë është edhe Lushaku Sadriu nga LDK, ajo njohjen e pesë vendeve anëtare të BE-së e lidh ngushtë me epilogun finale të dialogut me Serbinë.

“Mendoj që nuk do të jetë e mundshme praktikisht që të integrohet Kosova deri sa të sqarohet çështja e njohjeve dhe të marr epilog dialogu me Serbinë. Një përmbyllje e dialogut me Beogradin, do të sillte pastaj edhe njohjet e pesë vendeve anëtare të BE-së. 2030 ËSHTË datë ambicioze, por ndoshta është thënë që t’i inspirojë më shumë vendet e Ballkanit që të marrin një dinamik të re për integrim.  Në anën tjetër është shumë mirë ky afat, sepse jep një efekt pozitiv, se sa mundemi ne me i mbërri reformat e brendshëm dhe plotësimin e kritereve ka hapësirë për diskutim”, përfundon Jehona Lushaku Sadriu.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më së shumti në rrugën e tyre drejt BE-së, pasi të dyja shtetet kanë hapur kapituj në negociatat për anëtarësim.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur vitin e kaluar negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat, po ashtu vitin e kaluar.

Kosova, ndërkaq, është e fundit në rrugën drejt BE-së. Dhjetorin e vitit të kaluar, ajo ka aplikuar për anëtarësim në bllok. Deri më tani, shteti ka nënshkruar vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në tetor të vitit 2015.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco