Fox News: Fajësoni George Soros për erën e qelbur të drogës që po shkatërron qytetet e Amerikës

Fox News: Fajësoni George Soros për erën e qelbur të drogës që po shkatërron qytetet e Amerikës

18:51, 14/08/2023
A+ Aa A-

Nga Rachel Ehrenfeld, FOX NEWS

George Soros mbushi 93 vjeç më 12 gusht dhe nuk mendoj ndonjë mënyrë më të mirë për të festuar se sa avujt e marijuanës që dalin nga një shishe apo pikë. Si ato që dalin nga buzët e Hunter Bidenit të trullosur.

Në fillim të viteve 1990, në kulmin e epidemisë së krakut, ishte Soros ai që financoi klinikat e “reduktimit të dëmit” për të shpërndarë pipa droge si pjesë e “kompleteve të sigurta të tymosjes”. Komplete të ngjashëm për përdoruesit u vunë në dispozicion të të varurve nga droga më 2022 përmes kryqëzatës së administratës Biden për të mundësuar konsumin e paligjshëm të drogës në të gjithë Amerikën.

Më 1994, pak pasi Soros themeloi Institutin e tij të Shoqërisë së Hapur në Manhattan, filantropi vendosi të testojë sistemin amerikan të drejtësisë penale dhe të minojë vendosmërinë e publikut për të ruajtur qëndrime dhe vlera morale të trashëguara prej kohësh. Spekulanti i zgjuar synoi në mënyrë selektive ligjet penale që rregullonin përdorimin e drogave të paligjshme. Në atë kohë, përdorimi i substancave ilegale konsiderohej i papranueshëm nga 90% e amerikanëve. Por dinaku Soros parashikoi që qëndrimet e amerikanëve do të ndryshonin pasi marijuana të legalizohej dhe shumë do të ishin të gatshëm të përdornin drogë. Kishte pasur të drejtë.

Në tri dekada, Soros kishte arritur të kthente plotësisht pikëpamjet e amerikanëve. Një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew në nëntor 2022 zbuloi se 88% e popullsisë amerikane mbështeste legalizimin e marijuanës. Propaganda e tij pretendonte se zbatimi i ligjeve që ndalonin abuzimin e drogave të rrezikshme shkaktoi “më shumë dëm sesa vetë drogat”. Në vitin 1995, ai pranoi se “disa droga krijojnë varësi”, por bëri edhe deklaratën e pavërtetë se “disa të tjera, si marijuana, nuk janë”.

Më 2021, një studim i Institutit Kombëtar të Abuzimit me Drogën (NIDA) zbuloi se më shumë se 52.5 milionë amerikanë përdornin marijuana, me një fuqi më të lartë të përbërjes së saj që ndryshon mendjen THC (tetrahydrocannabinol). Miliona të tjerë u bashkuan gjatë bllokimeve të pandemisë COVID, pasi bizneset e paligjshme të drogës nuk pësuan mungesë furnizimi.

Ndërsa numri i të varurve u rrit, të paktën 16.3 milionë amerikanë u diagnostikuan me “çrregullim të përdorimit të kanabisit”. Dhe shumë studime e lidhin përdorimin kronik të marijuanës me një rrezik më të lartë të kancerit të mushkërive, atakut në zemër dhe sëmundjeve të tjera, veçanërisht në mesin e një popullate të plakur. Deri më sot, nuk ka asnjë ilaç për të trajtuar varësinë ndaj marijuanës.

Përparimi i axhendës së Sorosit padyshim që kërkonte ndryshime në statutet federale dhe shtetërore. Në vend që të lobonte në Kongres për të zbutur ligjet ekzistuese, Soros investoi miliona dollarë në zhvillimin e organizatave pro-drogës, me sa duket duke promovuar “qasje më efektive ndaj problemit të drogës në vend”.

Soros dhe disa miliarderë të tjerë synuan me zgjuarsi Kaliforninë dhe Arizonën, të cilat kishin një histori të pasur të abuzimit me drogën dhe një numër të konsiderueshëm përdoruesish të drogës. Aq shumë pará u hodhën në këtë ofensivë sa Joseph Califano, Jr., cari i drogës i Administratës Clinton, e quajti me zemërim Sorosin “Babushi i legalizimit”.

Sikur të mos mjaftonte kthimi i SHBA në një strehë droge, Soros duhej të ishte i trullosur kur zbuloi se qyteti i Nju Jorkut ishte kurorëzuar kryeqyteti global i përdorimit të marijuanës.

Raporti Botëror i Drogës i Qendrës për Avancimin e Shëndetit (CFAH) më 2022 vuri në dukje Nju Jorkun si konsumatorin më të madh në botë të marijuanës. CFAH nxori statistika nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e vitit 2022 dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) për të treguar se banorët e Nju Jorkut konsumuan 62.3 ton marijuanë me vlerë rreth 8 miliardë dollarë. Me një kosto mesatare prej 12,50 dollarë për gram, përdoruesit e rregullt shpenzonin të paktën 300 dollarë në ditë.

Megjithatë, në kontrast me propagandën e Sorosit se legalizimi i drogës do të eliminonte tregjet për substanca të paligjshme – duke frenuar kështu krimin e lidhur me drogën – tregjet e zeza dhe gri të sotme janë bërë përfituesit kryesorë të kërkesës në shpërthim për marijuanë, e blerë kryesisht nga dyqanet e paligjshme, duke privuar shtetet nga miliarda dollarë të ardhura nga taksat.

Për më tepër, konsumi në rritje i marijuanës po kontribuon në rritjen e kostove të kujdesit shëndetësor. Droga shpesh përmban kimikate toksike - E. coli, metamfetaminat dhe narkotikët e tjerë, duke përfshirë fentanilin vdekjeprurës - duke sëmurë shumë konsumatorë dhe duke rritur mbidozën. Ndërsa Soros dhe lëvizja e tij pro legalizimit injoruan paralajmërimin e NIDA-s më 2014 se “Më shumë se gjysma e përdoruesve të rinj të drogave të paligjshme fillojnë me marijuana”, numri në rritje i të varurve nga droga në të gjithë vendin ka rritur të pastrehët, rreziqet shëndetësore dhe krimin që, së bashku me erën e keqe që dominon rrugët e qyteteve të vogla dhe të mëdha, po largojnë turistët, bizneset dhe banorët.

Një efekt anësor madhor i THC, përbërësi kimik aktiv në kanabis, jo vetëm që ndikon në mendjen e njeriut por edhe shkakton obezitet. THC rrit nivelin e hormoneve që rregullojnë urinë, duke vepruar si një stimulues i shkëlqyer i oreksit. Ndërsa kjo ndihmon në forcimin e pacientëve me sëmundje kritike, ajo i bën përdoruesit e rregullt të hanë tepër dhe të shtojnë peshë me shpejtësi. Sipas një sondazhi të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), midis 2017 dhe 2020 (para bllokimit nga COVID), të paktën 42% e amerikanëve ishin obezë. Kufizime të ndryshme të vendosura nga epidemia e keqpërdorur rëndë e COVID kontribuuan në nivele më të larta të obezitetit në të gjithë popullsinë amerikane. Amerikanët që shtuan marijuanën në dietën e tyre përjetuan rritje në peshë – dhe përshpejtuan prekjen nga sëmundjet.

Sot, kanabisi është i ligjshëm në 37 shtete dhe në Uashington DC, dhe ka një presion në rritje ndaj Kongresit për të legalizuar këtë drogë të rrezikshme që ndryshon mendjen, sepse do të gjeneronte miliarda dollarë të ardhura në mbarë vendin.

Suksesi i përpjekjeve të Soros për ta bërë dikur të paimagjinueshmen të pranueshme dhe të ligjshme ndoshta i tejkaloi pritshmëritë e tij më të egra. Ai mund të jetë pak i zhgënjyer pasi arriti të legalizojë vetëm marijuanën, jo të gjitha drogat. Por duke ditur që djali dhe trashëgimtari i tij, Alexander, vazhdon të zhvillojë një fushatë të fuqishme për legalizimin e të gjitha drogave, është arsye e mjaftueshme për t’u rehatuar e për të festuar me cigare shtesë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco