SYRI TV/ Gugallja në arrati, koncesionarja e djegësit të Elbasanit vijon fitimet

13:44, 11/08/2023
A+ Aa A-

Inceneratori i Elbasani është nën sekuestro prej vitit 2021, por vijon të prodhojë miliona euro për koncesionaren Stela Gugallja. Kjo e fundit është dënuar me 4 vite e 8 muaj heqje lirie, por ndërkohë taksat e qytetarëve elbasanas vijojnë të paguajnë hotelet e luksit për Gugalljan e cila qëndron në pritje të shuarjes së dënimit për të. Sipas të dhënave të pasqyruara nga Qëndra Kombëtare e Biznesit, vetëm gjatë viti 2022, firma e Gugalljas “Albtek Energy”, ka përfituar 800 mijë euro.

Nga SYRI TV

Kompania koncesionare e inceneratorit të Elbasanit, “Albtek Energy”, megjithëse është nën sekuestro prej një viti e gjysmë, vijon të prodhojë fitime në vlerë qindra milionë lekë për pronaren në letra të saj në arrati, Stela Gugallja.

Gjatë vitit 2022, kompania “Albtek Energy” ka fituar rreth 860 milionë lekë të vjetra, megjithëse ajo e ka dorëzuar inceneratorin e Elbasanit një ditë para se shoqëria e Gugalljas të vendosej nën sekuestro, në 16 Dhjetor 2021.

Shoqëria “Albtek” është nën administratimin e Arjan Baçit, përfaqësues i Agjencisë Shtetërore të Pronave të Sekuestruara.

Administratori Baçi ka dorëzuar së fundmi pasqyrat financiare të kompanisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Në bazë të të dhënave zyrtare, rezulton që kompania ka përfituar rreth 800 mijë euro gjatë vitit të kaluar.

Gjithnjë sipas dokumenteve zyrtarë, bilanci është miratuar nga ortaku i vetëm, që vijon të jetë Stela Gugallja. Është e paqartë se si është zhvilluar komunikimi mes administratorit shtetëror, Arjan Baçi dhe pronares zyrtare në arrati të kompanisë, Stela Gugallja. Kjo e fundit është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pasi akuzohet për korrupsion aktiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash.

Në muajin maj të këtij viti, SPAK-u kërkoi dënimin me 4 vjet e 8 muaj burgim për Gugalljan, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Elbasanit.

Prokuroria e Posaçme zbuloi se pronari de fakti i kompanisë “Albtek Energy”, e cila fitoi kontratën koncesionare 21 milionë euro për impiantin e mbetjeve në Elbasan, është Mirel Mërtiri, bashkëjetuesi i Stela Gugalljas.

Për Mërtirin, prokurorët kërkuan dënimin me 10 vjet burgim në atë proces gjyqësor.

Mërtiri është gjithashtu nën hetim për landfillin e Tiranës, së bashku me mikun e tij, Klodian Zoton. Ndërsa ky i fundit është pjesë e dosjes hetimore edhe për inceneratorin e Fierit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco