'Viti i 7-të radhazi'/ Anijet shqiptare ngecin në 'listën e zezë' të performancës

'Viti i 7-të radhazi'/ Anijet shqiptare ngecin në 'listën e zezë' të performancës

18:01, 29/07/2023
A+ Aa A-

Anijet shqiptare u renditën për të shtatin vit radhazi në ‘listën e zezë' të performancës nga Memorandumi i Parisit – një organizatë me 27 vende anëtare që kryen inspektime mbi standardet e anijeve në Europë.

Shqipëria renditet në këtë listë së bashku me Tanzaninë, Sierra Leonen, Togon, Moldavinë apo Algjerinë – një vlerësim që tregon se anijet shqiptare janë mjete lundruese me rrezik të lartë për operatorët ndërkombëtarë. Gjithashtu, pikëpyetje ngrihen për rolin e autoriteteve përgjegjëse për kontrollet dhe marrjen e masave për daljen nga kjo listë.

Në deklaratën zyrtare, Komiteti i Memorandumit të Parisit njoftoi se miratoi listat e reja të performancës për flamujt e 66 vendeve që ata kanë pasur në monitorim.

Të 66 vendet u kategorizuan në tre lista, të bardhë, gri dhe të zezë, sipas standardeve të shërbimit dhe sigurisë. Lista e fundit e performancës së anijeve hyri në fuqi me 1 korrik të këtij viti.

Listat “E Bardhë, Gri dhe e Zezë (WGB)” paraqesin spektrin e plotë, nga flamuj të cilësisë të lartë deri te flamuj me një performancë të dobët që konsiderohen me rrezik të lartë, ose shumë të lartë. Renditja në listë është bazuar në numrin e përgjithshëm të inspektimeve gjatë një periudhe 3-vjeçare.

Nga të dhënat rezulton se në anijet shqiptare u kryen mbi 55 inspektime gjatë periudhës 2020-2022, nga të cilat anijet me flamur shqiptar u bllokuan 8 herë. Prania e anijeve shqiptare në listën e zezë është tregues se ato do të inspektohen sa herë që do të prekin porte të Bashkimit Evropian.

Shqipëria ka aderuar në Memorandumin e Parisit, Paris MoU me ligjin nr.9852 të datës 26.12.2007, proces të cilit i ka paraprirë dhe një memorandum mirëkuptimi “Për kontrollin shtetëror portual”. Memorandumi i Parisit ushtron një regjim inspektimi për anijet qe prekin në porte te BE, me qëllim që të merren masa kundër anijeve që nuk janë në përputhje me rregullat dhe standardet e kërkuara të sigurisë.

Prej vitesh, gjendja teknike, vjetërsia, higjena, kultura detare dhe problemet në punësimin dhe përvojën e kualifikimit të marinarëve e ka mbajtur flotën tregtare shqiptare në listën e zezë të lundrimit ndërkombëtar. E ndërsa situata në lidhje me kontratat e punës dhe përvojën detare të marinarëve është përmirësuar vitet e fundit dhe falë Konventës Detare të Punës, gjendja teknike dhe aspekte të tjerë të përmendura më sipër mbeten problematike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco