Dëboi 'gylenistët'/ Ish-shefi i AKI dënohet me 4 vite e 8 muaj burg

Dëboi 'gylenistët'/ Ish-shefi i AKI dënohet me 4 vite e 8 muaj burg

11:00, 19/07/2023
A+ Aa A-

Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) Driton Gashi është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për dëbim të paligjshëm të gjashtë shtetasve të Turqisë që kishin lejeqëndrimi dhe leje pune në Kosovës, në atë që njihet si rasti “Gylenistët”.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prej ku iu shqiptua dënimi, u tha se Gashi shpallet fajtor për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thuhet se Gashi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat sipas kompetencës duke rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe mosdhënien e lejes për njërin prej tyre, “për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit”.

Në anën tjetër, nga akuza janë liruar ish-drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Ramadani dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 24 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër këtyre tre ish zyrtarëve nën dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë”.

Aktakuza u ngrit pasi më 29 mars të vitit 2018, përmes një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në orët e hershme të mëngjesit u arrestuan gjashtë shtetas turq.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Ankaraja dyshon se ata janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016, kurse institucioni “Gulistan” konsiderohet i tij.

Pas arrestimit ata u dërguan në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, prej ku, duke shfrytëzuar një fluturim privat, u dërguan në Turqi.

Pas mbërritjes atje, u përballën me një proces gjyqësor, ku në fund, u dënuan me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco