SYRI TV/ KESH del 256 milionë euro me humbje, por bën tender për luks

10:47, 19/07/2023
A+ Aa A-

KESH regjistroi 256 milionë euro humbje në vitin 2022, por kjo duket se nuk e ka penguar entin shtetëror të energjisë të zhvillojë tendera luksi. Pak ditë më parë, KESH ka mbyllur një tender me vlerë 130 mijë euro për kurim imazhi, ku përfshihet ndër të tjera blerja e pajisjeve audio dhe video, të cilat do të përdoren për aktivitete të KESH. Mbetet e paqartë se si një infrastrukturë e tillë muzikore do vihet në punë, pasi për përdorimin e tyre kërkohet numër i madh njerëzish dhe specialistë të fushës

SYRI TV

2022 ishte një nga vitet me bilancet më negative të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, duke shënuar rreth 256 milionë euro humbje. Mirëpo, teksa humbjet në miliona euro shënohen si statistika në raportet e Ministrisë së Financave, enti i drejtuar nga Ergys Verdho duket i pashqetësuar për humbjet, duke i lejuar vetes të bëjë tendera luksi.

Në 17 korrik, KESH ka firmosur kontratën me dy kompani prive, për mbylljen e një tenderi me objekt: Shërbime në funksion të komunikimit, promovimit dhe organizimit të aktiviteteve të KESH sh.a.

Vlera e këtij tenderi është rreth 130 mijë euro me TVSH. Po për çfarë do t`i përdor KESH 130 mijë euro? Përgjigjen e japin dokumentet zyrtare, që KESH ka bashkëngjitur në tenderin e zhvilluar vetëm pak ditë më parë. Sipas dokumenteve, ashtu si parashikohet në kontratë, KESH do të blejë materiale kancelarie, si fotokopje, dosje, letra, stilolapsa, logo etj.

Por jo vetëm kaq, KESH ka vendosur të shpenzojë para sikur të ishte një agjenci eventesh apo aktivitetesh festive, pasi do të blejë edhe dhjetëra pajisje audio dhe video.

Këto pajisje, si bokse, mikser fonie, mikrofona, ndriçim artistik, ekrane led, kompjuterë, fotograf, kameraman, do të përdoren të gjitha për imazhin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Mbetet për t`u sqaruar, se pse KESH ka vendosur të shpenzojë qindra mijëra euro për blerjen e pajisjeve të tilla, në një kohë që e gjithë kjo infrastrukturë kërkon edhe një staf profesionistë mbështetës prej dhjetëra personash për t`u vënë në punë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco