Përse po ikin mjekët?! - Shënimi i një kërkueseje shkencore

Përse po ikin mjekët?! - Shënimi i një kërkueseje shkencore

10:02, 19/07/2023
A+ Aa A-

Nga Dr. Jonida Haxhi, mjeke dhe kërkuese e njohur shkencore në Itali

Unë jam diplomuar në vitin 2008 dhe gjatë fakultetit më shqetësonte hendeku që shihja mes asaj që studioja në librat që më dërgonin nga USA dhe asaj çfarë bëhej në leksione.

Më shqetësonte edhe fakti që nuk bëhej kërkim shkencor nga askush dhe nuk mund të kishe një pikë referimi për shkencën.

Unë kam protestuar vetëm tek dera e Dekanit për të kërkuar që të bëja një temë diplome, por atë vit u vendos që askush nuk do të bënte tema dhe askush nuk do të lejohej të bënte tema.

Është një arsye mbase "idiote", por besoj që për mua personalisht ishte momenti që më bëri të vendos që herët a vonë do të ikja.

Momenti i dytë ishte kur propozova një projekt kërkimor me ata që në atë kohë ishin Prof.ass e Prof. dhe komenti ishte: "Hajt, se je e re dhe ke akoma dëshirë për të bërë gjëra, por do të të kalojë”/

Vendosa të largohem pa marrë pjesë në konkurs specializimi, mendoja në USA, por pastaj jeta rodhi në mënyrë të tillë që familjen e re e krijova në Itali, ku bëra PhD, njoha diplomën shqiptare (me 100 peripeci, por të paktën kurrikulat në letër janë të shkruara mirë, pavarësisht asaj që bëhet realisht) dhe hyra në specializimin që doja (Endokrinologji).

Tani jam staf kërkimor në Sapienza, punoj si specialiste e lirë dhe edhe pse nuk është USA apo Harvard. Për të arritur deri këtu nuk më është dashur të falenderoj apo t'i perulem askujt përveç familjeve të mia që më kanë mbështetur gjithnjë.

Herë pas here mendoj të ndërroj shtet, por jo të kthehem në Shqipëri, sepse argumenti me të cilin punoj i përket një sub-specialiteti shumë specifik që në Shqipëri mbase do të hyjë pas 20 vjetësh ose mbase kurrë.

*Marrë në profilin e Dr. Erion Dashos.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco