Refuzimi i dytë/ Takim i pamundur mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit

Refuzimi i dytë/ Takim i pamundur mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit

10:02, 18/07/2023
A+ Aa A-

Mungesa e Albin Kurtit në takimin informal të kryeministrave të rajonit në Tiranë është tregues se Rama e ka djegur shansin për të qenë mediator mes Kosovës dhe Serbisë. Të qënit palë me Vuçiçin në disa projekte të përbashkëta, që nga korrigjimi i kufijve e deri tek Ballkani i Hapur, e veshi kryeministrin e Shqipërisë me kostumin e politikanit kozmopolit, që i tejkalonte me lehtësi inatet e vjetra ballkanike. Por qëndrimet ekstreme kundër Kurtit duket se po i kushtojnë shumë.

Sa herë i është dhënë rasti për ta sulmuar Kurtin, Rama nuk i ka matur fjalët. S’ka rëndësi nëse ishte përkrah presidentit serb Aleksandër Vuçiç; s’ka rëndësi nëse i lëshonte akuzat nga Tirana, Beogradi, Shkupi, Ohri, Podgorica apo Prishtina; s’ka pasur rëndësi nëse i dilte kundër Kurtit nga mediat shqiptare apo ato të huaja. Herë me cinizëm për kryekomunarët e ngujuar në veri të Kosovës, herë me akuza për refuzimin e Ballkanit të Hapur, herë duke e fajësuar për dështimin e dialogut me Vuçiçin në Bruksel apo duke ia anuluar mbledhjet e përbashkëta të qeverive, Rama e çoi marrëdhënien me Kurtin në pikën më të ulët të mundshme.

Kjo e kësaj të hëne në Tiranë, është ftesa e dytë që merr përgjigje negative nga Kurti, i cili u shfaq në një simpozium në Kretë. Nga qeveria e Kosovës thanë se këtë takim, Kurti e kishte planifikuar prej muajsh.

Refuzimi i parë ishte në Prishtinë në fillim të këtij muaji. Preteksti për t’u takuar ishte i njëjtë, një bisedë paraprake për Procesin e Berlinit, që mblidhet në një samit në Tetor, në Tiranë.

“Procesi i Berlinit samitin e radhës në Tiranë e ka në mes të muajit tetor, tash jemi në fillim të korrikut, nuk është as mes muajit gusht, as shtator, por tetor, shumë mirë që bëhen këto përgatitje kaq herët…” – ishte përgjigjia që mori nga Kurti.

Edhe një muaj më vonë, kryeministri i Kosovës nuk e ka parë të arsyeshme të ishte prezent në takimin e thirrur nga Rama. I refuzuar për herë të dytë, Rama po sheh t’i zhbëhet roli i negociatorit mes atyre që i quan njësoj “koka të nxehta”.

Prandaj ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë ai i mati fjalët. “Ishin të gjithë të ftuar. Kush deshi erdhi, kush nuk mundi s’erdhi” tha para gazetarëve, duke e justifikuar mungesën e homologut të Kosovës, që e kërkon, por nuk e gjen prej muajsh./Lapsi.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco