SYRI TV/ Hetimi për Ahmetajn shton akuzat për Zoton dhe Mërtirin

12:16, 12/07/2023
A+ Aa A-

Hetimi për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetajn shton akuzat për bosët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mertitiri. Nga dosja e Ahmetajt evidentohet se një nga akuzat është korrupsioni aktiv në 6 raste, çka rëndon më shumë pozitën penale të Zotos e Mërtirit, mbi të cilët tashmë rëndon një akuzë e re. Dy biznesmenët në arrati kanë llogari të hapura me drejtësinë shqiptare, teksa SPAK ka kërkuar mbi 10 vite burg për Zoton e Mërtirin, përgjegjës për aferën me djegësin e Elbasanit e Fierit

SYRI TV

Një nga akuzat e Prokurorisë së Posaçme, për të cilën kërkon arrestimin e Arben Ahmetaj, është korrupsioni pasiv në 6 raste. Sipas SPAK-ut, ish-zv/kryeministri ka përfituar pasuri të paluajtshme, të cilat janë paguar nga biznesmenët e plehrave, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, në këmbim të favorizimit me kontratat koncesionare për landfillët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.

Kjo situatë rëndon më shumë pozitën penale të Zotos e Mërtirit, të cilët pritet të akuzohen për veprën penale të “korrupsionit aktiv”, për shkak se kanë paguar në natyrë apo financiarisht për zyrtarin e lartë qeveritar.

Dy biznesmenët në arrati kanë llogari të tjera të hapura me drejtësinë shqiptare. SPAK kërkoi pak javë më parë dënimin e tyre me nga 10 vjet burgim, në gjyqin për inceneratorin e Elbasanit. Po ashtu, për Zoton është kërkuar 12 vjet burgim edhe për inceneratorin e Fierit.

Kompanitë e Zotos dhe Mërtirit siguruan kontrata monopoliste nga qeveria e Edi Ramës për ndërtimin e inceneratorëve të mbetjeve në tre qytete.“Albtek Energy” fitoi koncesionin për inceneratorin e Elbasanit. Kompania ka pronare Stela Gugalljan, por SPAK dyshon se pronari real është bashkëjetuesi i saj, Mirel Mërtiri. Klodian Zoto zotëron 70 përqind të kontratës koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. Emrat e Zotos dhe Mërtirit shfaqen si themelues edhe në kompaninë offshore “Integrated Energy bv”, e cila fitoi kontratën koncesionare 128 milionë euro për inceneratorin e Tiranës.

Dokumentat zyrtare tregojnë se pronarët në letra të koncesionarit të Sharrës janë një italian dhe një francez. Por, drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, deklaroi pak kohë se hetimet për inceneratorin e Tiranës nuk po avancojnë, pasi Prokuroria Speciale nuk po mundet të identifikojë pronarët realë. Deklarata e Dumanit krijon dyshimet se pronarët në letra janë fiktivë. Aktualisht, asnjë prej inceneratorëve nuk është në funksion, megjithëse qeveria dhe Bashkia e Tiranës kryejnë rregullisht dhe pa asnjë ndalesë pagesat për kompanitë koncesionare, të cilat nuk ofrojnë shërbimin e plotë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco