SYRI TV/ Prokuroria e 'Felajve', ligji u ndryshua në fshehtësi edhe me votat e opozitës së emëruar

11:41, 29/06/2023
A+ Aa A-

Mazhoranca socialiste ndryshoi ligjet e Reformës në Drejtësi, për të favorizuar pikërisht familjarët e Ermonela Felajt. Ky fakt është konstatuar në atë kohë edhe nga Komiteti i Helsinkit, i cili denoncoi se ndryshimet ligjore u bënë në fshehtësi dhe pa konsultim publik. Ishte pikërisht ndryshimi i këtij ligji që i hapte rrugë 4 familjarëve të Ermonela Felajt të emëroheshin në të njëjtin institucion, Prokurorinë e Tiranës

SYRI TV

Një ndryshim ligjor në vitin 2019, i cili i hapi rrugën emërimit të 4 familjarëve të deputetes socialiste Ermonela Felaj në Prokurorinë e Tiranës, është miratuar në errësirë të plotë, në mungesë totale transparence dhe pa asnjë konsultim publik. Këto problematika i ka konstatuar Komiteti Shqiptar i Helsinkit që në verën e vitit 2019, kur Parlamenti miratoi ndryshimet në ligjin “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” me votat e shumicës socialiste dhe deputetët e opozitës së emëruar, të ulur në sallë pasi Lulzim Basha vendosi të largojë ligjvënësit demokratë nga Kuvendi.

Drejtoresha Ekzekutive e Komiteti të Helsinkit, Erinda Skëndaj, në një artikull të emërtuar “Opinion Kritik” deklaron se nuk rezulton të jetë zhvilluar konsultim publik me shoqërinë civile dhe as grupet e interesit për ndryshimin ligjor.

Skëndaj kujton se, kur u miratuan ligjet e paketës së Reformës në Drejtësi në vitin 2016, janë kërkuar opinionet e shoqërisë civile dhe shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndërsa, kur Parlamenti vendosi të amendojë ligjin për statusin e gjyqtarëve, nuk denjoi që të kërkonte opinione dhe ekspertizë të pavarur.

“Kalimi i këtij projektligji me nxitim, duke e miratuar në parim dhe nen për nen, pa konsultim real dhe efektiv, në një prej Komisioneve më të rëndësishme parlamentare, atë të Ligjeve përbën gjithashtu regres në drejtim të standarteve të konsultimit publik”, shprehet drejtuesja e Komitetit të Helsinkit në dokumentin e vitit 2019.

Nisma për amendimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është ndërmarrë nga pesë deputetë socialistë, mes të cilëve edhe vetë Ermonela Felaj. Ky ndryshim i ligjit erdhi në vijim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi disa nene të tij.  Komisioni i Ligjeve e regjistroi në planin e tij të punës në fillim të vitit 2018. Por, ai nuk u mor në shqyrtim për më shumë se një vit e gjysëm. 

Komiteti i Helsinkit konstaton se nuk gjenden proces-verbalet e mbledhjeve të Komisionit të Ligjeve, megjithëse në relacionin e projektligjit thuhet se janë zhvilluar të paktën 7 takime vetëm për këtë çështje. Syri Televizion ka siguruar proces-verbalin e mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, të zhvilluar në 15 korrik 2019, vetëm një ditë para se Parlamenti të miratonte ndryshimet në ligjin “Felaj”. Në atë mbledhje kanë marrë pjesë deputetët e maxhorancës dhe disa prej opozitës së emëruar.

Asnjë prej tyre nuk ka shprehur ndonjë kundërshti për ndryshimet ligjore. Ai ndryshim ligjor hoqi disa pengesa, duke lejuar që në Prokurorinë e Tiranës të emërohen si prokurorë bashkëshorti, motra dhe nusja e vëllait të Ermonela Felaj. Po ashtu, në prokurorinë e kryeqytetit është oficer i Policisë Gjyqësore edhe vëllai i Felajt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco