Ping-pong i socialistëve për të shpëtuar mandatin e Olta Xhaçkës

Ping-pong i socialistëve për të shpëtuar mandatin e Olta Xhaçkës

08:57, 28/06/2023
A+ Aa A-

Pasi nuk bllokojnë dot një vendim të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, socialistët kanë vendosur ta mbrojnë kolegen e tyre përmes zvarritjes së procedurave. Ata kthyen të martën procesin e burokracive parlamentare në pikën zero me justifikimin që kështu i detyron vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në fakt, vendimi i Kushtetueses thjesht i heq parlamentit mundësinë që të mos e çojë për gjykim mandatin e Xhaçkës në këtë gjykatë.

Mandati i deputetes u vu në dyshim nga opozita kur u zbulua se qeveria, ku ajo bën pjesë si Ministre e Jashtme, mori vendim për ta shpallur bashkëshortin e saj Artan Gaçin investitor strategjik në lidhje me një hotel me 5 yje që ai po ndërton në Dhërmi. Opozita akuzoi Xhaçkën për konflikt interesi, por ajo u mbrojt duke thënë se bashkëshorti i saj ishte biznesmen prej vitesh dhe përfitimi i tij do të ishte thjesht vendosja e çadrave në plazh.

Procedurat u rikthyen edhe një herë për diskutim në komisionet e Kuvendit dhe socialistët përfituan nga rasti t’i zgjasin akoma më tej duke i kthyer në pikën zero.

“Dispozitivi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese na kthen në pikën zero, tek Këshilli i Rregullores dhe Mandateve”, u shpreh Ermonela Felaj.

Në anën tjetër, Gazment Bardhi kundërshtoi zvarritjen që i bëjnë socialistët vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai ironizoi duke thënë se kur të marrë vendim parlamenti hoteli do jetë përfunduar.

“Ju nuk e mbroni dot zonjën Xhacka. Mos e zvarrisim më, edhe dy seanca kanë mbetur të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse doni pastaj, nëse nuk ka avokat të marrë ndonjë nga ju. Por që ta çojmë aty duhet ta çojmë se kemi një vit që e kemi paraqitur mocionin dhe e zvarrisim. Ajo po mbaron rezortin atje, rrezik shkojmë marrim nga një çadër dhe bëjmë plazh aty , ju vazhdoni akoma është investitorë apo nuk është investitorë. Ta ndajë Gjykata Kushtetuese”, tha Gazment Bardhi.

E gjendur nën akuzë nga opozita për konflikt interesi, disa muaj më parë Xhaçka e sfidoi opozitën ta çonte mandatin e saj në Gjykatën Kushtetuese.

“Ju ftoj ta çoni çështjen në gjykatë Kushtetuese dhe nuk mund të vish sot këtu të hedhësh baltë mbi punën, djersën e tij e ëndrrat apo aspiratat për të bërë një gjë më shumë”, është shprehur ajo.

Por faktet tregojnë të kundërtën. Në fillim socialistët e mbrojtën ministren duke refuzuar ta çojnë mandatin e saj në Kushtetuese, ndërsa tani zvarrisin procedurat duke i nisur nga fillimi.

Xhaçka vetë nuk mori pjesë në mbledhjen e qeverisë ku bashkëshorti i saj u shpall investitor strategjik, por duket se kjo nuk ka mjaftuar.

Bashkëshorti dhe kunata, investitorë strategjikë

“Unë jam investitor strategjik dhe po ndërtoj një hotel, nuk po ndërtoj vila siç bëjnë të tjerët”, ka pranuar për BIRN më herët Artan Gaçi. “Më takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët”, ka shtuar ai. Por sipas dokumentave, në lojë u përfshi edhe kunata e ministres Xhaçka, Tawni Lin Grzych-Sutton, e cila është partnerja prej shumë vitesh e Andi Xhaçkës – vëllai i ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Kompania e Sutton e fitoi të drejtën e përdorimit të tokës në bregdet nëpërmjet një marrëveshje me kompaninë AG TCC sh.p.k – në pronësi 100% të Artan Gaçit, ish-deputet socialist dhe njëkohësisht bashkëshort i ministres Xhaçka.

Kompania e Gaçit mori statusin ‘investitor strategjik’ për ndërtimin e një hoteli me pesë yje dhe me kapacitet prej 106 suitash në Dhërmi, të quajtur “Dreamades Luxury Suites”, ndërsa vendimi i Këshillit të Ministrave i hapi rrugën e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit dhe plazhit përballë hotelit të tij.

Gaçi i tha BIRN se për të shmangur konfliktin e interesit, “kishte gjetur një kompani amerikane me përvojë për të menaxhuar investimin dhe plazhin”.

Në dy vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike përcaktohen edhe lehtësi të tjera për dy kompanitë në pronësi të familjarëve të afërt të ministres Xhaçka, të tilla si asistencë dhe procedurë e përshpejtuar për çdo akt administrativ, funksionimin e shërbimeve mbështetëse të furnizimit me ujë, lidhjen në rrjetin elektrik, kanalizimet e ujërave dhe infrastrukturë rrugore për objektin./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco