'Rama, që nga prioriteti që i ka dhënë Erdoganit dhe Vuçiçit, ka bërë një lëmsh në politikën e jashtme'

19:20, 26/06/2023
A+ Aa A-

Ish-ambasadori Agim Nesho gjykon se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po luan një lojë personale në politikën e jashtme, duke bërë një lëmsh në politikën e jashtme shqiptare për t’u bërë vetë protagonist.

Gazetarja Sonila Meço e pyeti z. Nesho sot në emisionin e saj “Task Force” në SYRI TV se si e gjykon deklaratën e fundit të Ramës ku i sheh njëlloj dhe i sulmon si Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin ashtu edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe arrin derisa të përmendë edhe Donbasin.

Rama në Twitter sot shkroi: “Fatkeqësisht, kohët e fundit të dyja palët (Kurti dhe Vuçiç) i kanë pasur sytë nga politika e brendshme dhe sondazhet e ndezura nga retorika nacionaliste. Dialogu vendimtar për të ardhmen e të gjithë rajonit dhe marrëdhëniet e tij me botën demokratike është lënë mënjanë. Ndërkohë, situata në veri të Kosovës po përkeqësohet orë e minutë, duke rritur mundësinë e një “Donbasi” ballkanik, Zoti na ruajt, pikërisht në zemër të Evropës. Edhe vetëm të mendosh për këtë mundësi është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht.

Lidhur më këtë, diplomati i njohur Agim Nesho, gjykon:

“Për ne është e qartë, për të gjithë opozitën shqiptare dhe opinionin publik që këtu ka një element, që z. Rama luan lojën e tij personale. Është një mani që pak liderë e kanë atë që në Amerikë shpesh quhet “selfe delighte” – dashuria me vetveten dhe këtë e kemi parë në një kohë shumë të gjatë. Nuk prodhon asnjë gjë. Nuk ka arritur dot të krijojë një legacy në politikën e jashtme. I ka bërë të gjitha lëvizjet e gabuara, duke filluar që nga prioriteti që i ka dhënë Turqisë dhe Erdoganit ashtu edhe Vuçiçit.

Kjo ka qenë politika e jashtme e tij që duke u përmbledhur, duke bërë shumicën çfarë ka arritur, ka bërë një lëmsh në politikën e jashtme shqiptare vetëm për t’u bërë protagonist.

Dhe ne këtë e kemi parë te Rama, i cili ka dashur të jetë edhe negociues për paqen në Turqi-Greqi dhe konkluzioni im i thjeshtë është që me këtë karrierë, një njeri që lëviz nga një pozicion në pozicionin tjetër për të fituar në politikën e jashtme me interesat e vendit dhe të kombit shqiptar nuk duhet ta marrim seriozisht.

Dua të them dhe një fakt tjetër që e shikoja me interes sot në shtypin shqiptar sesi justifikohet nga shtypi proqeveritar ku thuhet që kredinë që i dha Vuçiçi (zgjidhjen e çështjes së tre policëve), që e mori kryeministri hungarez zgjidhjen e këtij problemi duke e anashkaluar Ramën, - një koment i shtypit shqiptar thoshte se Orbani është futur në këtë lojë të zgjidhjes së çështjes ballkanike nga insistimi i Ramës!!!

Unë do të bëj vetëm një pyetje, se duke ngritur rolin e Ramës jo nga ndërkombëtarët, por nga shërbëtorët shqiptarë - po votimi i Hungarisë kundër interesave të Kosovës në Këshillin e Europës, ishte sugjerim i zotit Rama. që qenka kaq i lidhur për të vendosur për lojtarët që lidhen me interesat e Kosovës dhe të Ballkanit?!  Se këtu ka “nonsense” të jashtëzakonshme.

Prandaj unë mendoj që është një lojë jo vetëm shumë intrigante në ato skemat e tij, që Rama gjithmonë kërkon të përfitojë nga momentet e caktuara, nga dashuria për vetveten, që është një element, kjo tregon që nga dita në ditë atë nuk po e vlerëson më as Vuçiçi për të cilin është kthyer në një argat dhe po i  shërben në të gjitha mënyrat për të ashtuquajturin projekt i tyre serbo-rus për Ballkanin.

Ajo që është më e rëndësishme për Kosovën dhe pranimin e Asociacionit, e cila është tashmë në kushte të caktuara të pranueshme, është një element brenda Kushtetutës së Kosovës që ka ardhur bashkë me rekomandimet e pranuara të Ahtisarit (planit të tij) dhe Kosova në radhë të parë për të respektuar shtetin e saj, duhet të respektojë të gjitha detyrimet ndërkombëtare që kanë ardhur nga qeveritë e kaluara me vendimet dhe marrëveshjet e Brukselit si të 2013-ës, dhe në 2015-ën.

Unë jam nga ata që kam qenë kundër asociacioneve dhe idesë së kësaj në politikë, por ka një diçka që ju Sonila me të drejtë e thatë që kjo është një lojë, është një dialog tashmë që po bëhet nga Perëndimi me Serbinë, është një dialog tolerant (ndoshta edhe kundër, në dëm të një balance, padrejtësi ndaj Kosovës që gjithmonë i kërkon të heshtë përpara zgjidhjeve të kompromisit që kërkon të bëjë me Vuçiçin dhe kjo është një e padrejtë) por me idenë tashmë të një politike të caktuar perëndimore, të shtyrë edhe nga qarqe të caktuara presioni në SHBA siç është Alex Sorros, Këshilli Atlantik në projektin e tij që ka për Ballkanin etj. që influencojnë që kjo është politika më e mirë për të tërhequr Vuçiçin nga Perëndimi.

Kush mund të jetë?! Mund të jetë kjo me qëllim pozitiv, por mund të jenë edhe interesat financiare për të krijuar një zonë konflikti në gjithë Ballkanin, që mund të prodhojë përfitime financiare të jashtëzakonshme,”tha në vazhdim, z. Nesho/ar/sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco