Der Standard: Pavarësisht protestave masive, SHBA po përkrah Vuçiçin

Der Standard: Pavarësisht protestave masive, SHBA po përkrah Vuçiçin

10:12, 14/06/2023
A+ Aa A-

Dhjetëra mijëra serbë kanë dalë në rrugë çdo javë për një kohë të gjatë për të demonstruar kundër regjimit të Alekandër Vuçiçit. Por kreu i shtetit mbështetet nga SHBA

Nga Adelheid Woelfl, DER STANDARD

Herë pas here, ajo nxjerr këmbët nga shkuma e banjos dhe përkëdhel orën e artë Rolex. Jovana Jeremiç, e cila është e shtrirë në një vaskë të rrethuar me pëlhurë me lule rozë dhe të bardha, u përzgjodh nga televizioni serb Pink për të trajtuar dy masakrat që shkaktuan 18 viktima në Serbi. ‘Mami Gucci’ as nuk e gërvishti sipërfaqen e problemit. Ajo e përshkruan një nga vrasësit si një përbindësh dhe thotë se nuk duhen fajësuar njerëzit e gabuar- përkatësisht stacionet televizive.

Që kur ndodhën dy aktet e dhunës në fillim të majit, kanalet Pink TV dhe Happy TV janë kritikuar si media që promovojnë një klimë dhune në Serbi, sepse lejojnë kriminelët- përfshirë kriminelët e luftës- të thonë fjalën e tyre, minimizojnë dhunën në familje dhe seksizmin, ndërsa kultivojnë racizmin ndaj pakicave. Pink dhe Happy janë gjithashtu shtylla mediatike e regjimit autokratik të Aleksandër Vuçiç.

Të ngjallur

Veçanërisht aktet e dhunës ndaj të rinjve kanë tronditur shoqërinë serbe. Gjatë gjashtë javëve të fundit, dhjetëra mijëra kanë dalë në rrugë çdo të premten, duke kërkuar që të ndalohen mediat që përhapin lajme të rreme dhe glorifikojnë dhunën. Ata kritikojnë aleancën e Vuçiçit me kriminelët dhe kultin e kudondodhur që e rrethon atë. Dhe theksojnë se në Serbi, që nga fillimi i vitit ka pasur 18 feminicide.

Dhuna e fundit shkaktoi gjithashtu valë tronditëse dhe dy javë më parë, huliganët serbë të futbollit dhe ish-forcat serbe të sigurisë sulmuan ushtarët e NATO-s në qytetin e Zveçanit në veri të Kosovës. Disa prej tyre pësuan lëndime jashtëzakonisht të rënda nga fishekzjarret e kriminelëve, të cilat ishin mbushur me gozhda dhe vida.

Por nuk ishte regjimi serb që i kontrollon këta kriminelë, ai që u kritikua më pas nga Perëndimi. SHBA fajësoi kryeministrin kosovar, Albin Kurti për përshkallëzimin sepse ai kishte dërguar katër kryetarë të zgjedhur të komunave- të gjithë shqiptarë- në komunitetet në veri të Kosovës.

Ambasadori i SHBA në Serbi, Christopher Hill, madje tha së fundmi se Vuçiç mund të llogaritet si një partner i mirë, ndërsa është e diskutueshme nëse SHBA mund ta llogarisë më Kurtin si partner. Siç u bë e ditur të martën në mbrëmje, nën presionin e Perëndimit, Kurti ka pranuar ndërkohë përsëritjen e zgjedhjeve të diskutueshme lokale në zonat e minoritetit serb.

SHBA anuluan pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet e NATO-s, Defender 23. Vendet e tjera si Belgjika dhe Franca po kërcënojnë të anulojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, të premtuar për vitin e ardhshëm, ndërsa të tjerat duan të tërheqin paratë nga Kosova.

Ndërsa qeveria pro-amerikane e Kosovës po godet korrupsionin me njëfarë suksesi, dhe Kurti i majtë-perëndimor mori pjesë në ‘Pride’ të Prishtinës të dielën, Perëndimi po mbështet joliberalin Vuçiç, i cili dërgoi ushtrinë e tij në kufirin e Kosovës dhe po bashkëpunon me Kremlinin.

Politika hegjemoniste

Perëndimi mesa duket nuk është aktualisht i interesuar për demokratizimin e Ballkanit Perëndimor; përkundrazi, forcat hegjemoniste dhe nacionaliste në rajon po mbështeten në kurriz të shteteve të vogla shumëkombëshe. Interesat e biznesit dhe lobistët luajnë një rol në këtë. Sipas OJQ-së CRTA, 60 përqind e të ardhurave nga reklamat në mediat serbe, vijnë nga kompanitë perëndimore.

Austria, e cila mban lidhje shumë të ngushta me regjimin e Vuçiçit, dëshiron të krijojë një kolegj mbrojtës për Ballkanin Perëndimor në Sarajevë, së bashku me vendet e tjera të Europës Qendrore. Në këtë rast, megjithatë, nuk është e qartë nëse Kosova do të lejohet të marrë pjesë. Sigurisht, Serbia nuk e dëshiron këtë. Kur STANDARD pyeti nëse Kosova mund të merrte pjesë, Ministria e Mbrojtjes tha: “Pjesëmarrja e Kosovës po diskutohet”.

Edhe Ministria e Mbrojtjes e Kosovës mban qëndrim: “Vendimi për përfshirjen e Kosovës në këtë projekt në fund i takon BE-së dhe vendeve pjesëmarrëse. Pjesëmarrja në këtë projekt mund të shihet si një mundësi e rëndësishme për Kosovën për të forcuar marrëdhëniet tona me fqinjët”.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama anuloi mbledhjen e përbashkët të qeverisë me qeverinë e Kosovës, të planifikuar për të mërkurën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco