SYRI TV/ SHBA, 13 akuza për mikun e Ramës, Changpeng Zhao, pronari i ‘Binance’ akuzohet për mashtrim

14:32, 06/06/2023
A+ Aa A-

Një tjetër “mik i mirë” i kryeministrit Edi Rama po përballet me akuzat e drejtësisë amerikane. Çangpeng Zhao shefi i kompanisë së kriptomonedhave “Binance” akuzohet për një mashtrim gjigand me kriptomonedhat. Zhao në nëntor të 2022 pas takimit me kryeministrin shqiptar, shkruante se shtytja e adoptimit të kriptove nuk ndalet kurrë, teksa vetëm disa muaj më pas mbi të rëndojnë akuza për një mashtrim miliarda dollarësh.

Syri tv

Në mesditën e një fundjave të nëntorit të 2022, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim informal me Çangpeng Zhao, presidentin e kompanisë së kriptomonedhave “Binance”. Pas këtij takimi Zhao shkruante në rrjetet sociale: “ Jam takuar këtë të shtunë të bukur me kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama. Shtytja e adoptimit të kriptove nuk ndalet kurrë.

Vetëm pak muaj pas këtij takimi autoritetet amerikane kanë ngritur të paktën 13 akuza ndaj Zhaos, nën dyshimet e mashtrimit gjigant me kriptomonedhat. Mediet amerikane shkruajnë se Komisioni i Letrave me Vlerë dyshon se bosi i shoqërisë “Binance” kishte krijuar një rrjet kompanish nëpërmjet të cilave ka qarkulluar miliarda dollarë nga shoqëria e tij në SHBA drejt një filiali të tij në Evropë.

Të njëjtat media citojnë dy drejtorë ekzekutive të kompanisë “Binance”, që deklarojnë se janë detyruar të japin dorëheqjen brenda një kohe shumë të shkurtër pasi nuk ishin dakord me praktikat që ndiqte pronari i shoqërisë. Rregullatori amerikan deklaron se “Binance” fitoi 11,6 miliard dollarë të ardhura, shumica e të cilave erdhën nga tarifat e transaksionit nga qershori 2018 deri në korrik 2021.

Që nga fillimi i saj bursa ka punuar në fillim haptazi dhe më vonë fshehurazi për të joshur klientët amerikanë, nën drejtimin dhe kontrollin e themeluesit të saj Zhao deklaroi komisioni amerikan i letrave me vlerë SEC.

Autoriteti rregullator ka paraqitur pretendimet e saj para një jurie në Gjykatën e Distriktit të Kolumbias. Dokumenti rreth 135 faqe paraqet në mënyrë të përmbledhur shkeljet e pretenduara nga bosi i “Binance” , Changpeng Zhao.

Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk ka dhënë  asnjë detaj për takimin e zhvilluar mes tij dhe Changpeng Zhao, më 22 nëntor të vitit 2022. Shqipëria nuk është aspak imune nga aferat e manipulimit me kriptomonedhat. Pak muaj më parë një operacion ndërkombëtar zbuloi se një zyrtar i rëndësishëm qeveritar, Amant Josifi, gjendej në hierarkinë e një organizate kriminale që kishte mashtruar qindra mijëra persona në vlerë mbi 2.4 miliardë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco