Pretenca e SPAK/ Lefteri, 'koka e turkut' që mbulon vjedhjen e madhe

Pretenca e SPAK/ Lefteri, 'koka e turkut' që mbulon vjedhjen e madhe

19:18, 18/05/2023
A+ Aa A-

Prokurorët e SPAK kanë kërkuar sot dënimin me 6 vjet e 8 muaj burg (Pas pranimit te gjykimit te shkurtuar) për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, me pretendimin se në bashkëpunim me bosëtë e inceneratorëve, duke shpërdoruar detyrën, i ka dhënë atyre në mënyrë të paligjshme koncesionin 22 milionë euro për djegësin e Elbasanit, duke përfituar përmes një skeme kompanish fiktive afro 3 milion USD në favor të tij.

Lapsi.al e ka skanuar të plotë pretencën plot 62 faqe të lexuara nga prokurorët Arben Kraja dhe Klodjan Braho para gjykatës. Nga leximi i saj del qartë se SPAK ka arritur të faktojë me detaje favozizimin që iu bë nga ish ministri shoqërisë “Alb Tech Energy” për marrjen e konsesionit. Po aty vërtetohet me përpikmëri edhe skema e ndërlikuar financiare që kishte ngritur Koka përmes kompanive fiktive për të marrë rryshfetin e dakordësuar duke kryer kështu krimin e “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Në bazë të këtij hetimi të gjatë prokurorët kanë kërkuar jo vetëm dënimin me burg por edhe sekuestrimin e bizneseve të ish ministrit si kantina e verës “Gjergji Kastrioti Skënderbeu” disa njësi tregtare dhe shtatë apartamente. Pra po të lexosh aktakuzën duket sikur prokurorët kanë bërë një punë të lavdërueshme për të vërtetuar aktivitetin e jashtëligjshëm të ish ministrit.

Por po e pe këtë çështje nga lart të lindin shumë pikpyetje ende të pazgjidhura. A kishte Lefter Koka, atë kohë anëtar i LSI-së fuqi ta detyronte bashkinë e Elbasanit të kontrolluar nga socialistët të shpallte emërgjencën mjedisore në Elbasan, që u bë shkak për shmangjene garës? A kishte ai fuqi të ndikonte mbi ministrat e rilindjes që e miratuan këtë projekt? Ai ishte ai aq i zoti sa ta trajtonte Edi Ramën si sylesh, kur edhe pasi u bënë denoncimet e para e mbrojti punblikisht këtë projekt korruptiv, madje duke sulmuar edhe kritikët e tij? Hetimi i SPAK nuk jep përgjigje për këto dilema. Ai është mjaftuar me kapjen e peshkut të vogël. Duket sikur SPAK ka ndjekur linjën e përcaktuar nga politika, “po dorzojmë dikë për të shpëtuar të tërën”. Këtë tregoi edhe pretenca e lexuar sot që mëton të forcojë alibinë se ish ministri nuk ka pasur përkrahje nga lart.

Kato dyshime u ngjallën në fakt që në shtatorin e vitit 2021, kur pak ditë para se të fillonte sesioni i ri parlamentar, deputeti i sapo zgjedhur i PS-së, Lefter Koka kishte dhënë dorëheqjen. Kjo habi u bë edhe më e madhe nga mungesa e arsyetimit të këtij akti në njoftimin që vetë Koka bëri në Facebook. Shprehja se “…është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël,” nuk i thoshte asgjë kureshtarëve.

Por, për ata që i njohin kulisat dhe prapaskenat e politikës nuk kishte asnjë mister. Lefter Kokën po e lëshonin ata që e kishin mbrojtur dhe përdorur, për ta hedhur në kthetrat e drejtësisë. Edi Rama ia kishte rrëmbyer atë Ilir Metës, e kishte përdorur për ta lënë LSI-në pa deputet në Durrës, e kishte bërë pjesë të listës përkrah me emrin e tij në këtë qytet. Pasi kishte mbaruar punë i’a kishte hequr vështrimin dhe mbështetjen. 

Kryeministri që kontrollon gjithçka edhe në SPAK, e mënjanoi Kokën nga grupi parlamentar në mënyrë që kur të vinte ora e spektaklit me drejtësinë, ai dhe partia në pushtet të njolloseshin sa më pak.

Ky moment mbërriti tre muaj më pas dhe në dhjetor ish ministrit dhe ish deputetit socialist iu unë prangat në dhjetor 2021. Akuzat ishin të rënda: “shpërdorim detyre”, “pastrim parash” dhe “korrupsion” në mega aferen e inceneratorëve.

Pak a shumë, në sferat e larta të politikës të gjithë e dinin se kjo do të ndodhte. Rreth një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, e hidhëruar që Koka e kishte tradhëtuar, shefja e LSI-së, Monika Kryemadhi e denoncoi atë në prokurorinë speciale për aferën e inceneratorëve. LSI e akuzoi Kokën si përfitues të 3.3 milionë eurove nga koncesionari i incineratorit të Elbasanit, një kontratë që u lidh nga vetë Koka si Ministër i Mjedisit.

Sipas denoncimit të LSI-së që e përforconte edhe Ilir Meta nga presidenca, ish ministri kishte ngritur një skemë kompanish fantazëm me të afërm të tij, ku këto lekë paguheshin nga kompanitë e inceneratorëve. 

Natyrisht e gjithë kjo panoramë e zymtë nuk ka qenë e tillë vite më parë, kur Rama e falenderonte Lefter Kokën teksa me një ceremoni pompoze e inaguroi inceneratorin e parë të Elbasanit duke e shpërngulur gjithë qeverinë në kantierin e tij. “I jam mirënjohës ministrit të Mjedisit (Lefter Koka) dhe ministrit të Financave, që ndonëse gjirokastrit, e zgjidhi deri në fund qesen…,” tha Rama nga podiumi i përurimit në Prill 2017.

Dy vjet më pas, Lefter Koka do të bëhej edhe më i domosdoshëm. Kur e gjithë opozita dogji mandatet, i shantazhuar me nënshkrimet që pati hedhur për inceneratorët, Koka nuk pranoi ta linte parlamentin. Ai u bë një nga deputetët e perferuar të ambasadave perëndimore që i përshëndetën të gjithë ata që nuk shkuan pas interesave personale të liderëve që “për interesat e tyre personale minonin të ardhmen e vendit”.

Por Ramës, Lefter Koka nuk iu desh vetëm për të bërë rolin e opozitarit fallco. Për të gjithë është tashmë e njohur ajo video e kryeministrit me “Terin”, në të cilën, nën avujt e disa shisheve verë, ftonin dhe Nasip Naçon të braktiste LSI-në dhe t’i bashkohej fushatës zgjedhore të PS-së.

Ajo që u pa në ato imazhe vulgare dhe të neveritshme për këdo që ka një koncept normal për politikën, pas pak kohësh u bë realitet. Edhe Koka edhe Naço konkuruan me PS-në dhe arritën t’i heqin LSI-së dhe opozitës më së paku një mandat në Durrës dhe një mandat në Berat.

Dhe këtu misioni i Lefter Kokës mbaroi. Firmat e tij të dikurshme, që shërbyen për ta shantazhuar qoftë për të bërë opozitën fallco, qoftë për ta përdorur si rilindas në zgjedhje, tani mund t’i përdorte drejtësisa. Kujdesi i fundit duhej të ishte që pasi e përdorën si mish për top në garën elektorale, tani Koka as mos e njolloste PS. Ai u detyrua të japi dorëheqjen në shtator2021 , tre muaj para se SPAK ta akuzonte për korrupsion dhe pastrim parash. 

Pikërisht këtë linjë logjike ka ndjekur edhe SPAK. Po të lexosh pretencën e Arben Krajës dhe Klodjan Brahos të krijohet pështypja se Lefter Koka bashkë me Stela Gugallian, Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoto kanë pasur aq fuqi sa të komandonin gjithë qeverinë Rama dhe Bashkinë e Elbasanit, në mënyrë që ministri të përvetësonte afro 3 milionë USD. Mjafton të kqyrësh me imtësi 62 faqet e aktakuzës për të kuptuar se SPAK di të hetojë, por nuk është i lirë ta bëjë këtë për këdo. Prandaj dhe Lefteri është një ‘kokë” e merituar turku, që mbulon ata që ideuan skemën e madhe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco