Erion Dasho: Je suis non grata

Erion Dasho: Je suis non grata

18:32, 09/05/2023
A+ Aa A-

Doktori i mirënjohur, Erion Dasho i ka bërë një skaner fushatës elektorale që po zhvillohet në vendin tonë në pragun e zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 14 maj.

Dasho është shprehur se në politikë, një taktikë e suksesshme për të tërhequr vëmendjen prej skandaleve është devijimi i debatit drejt temave në dukje po aq skandaloze, por në thelb të padëmshme

JE SUIS NON GRATA

Në politikë, një taktikë e suksesshme për të tërhequr vëmendjen prej skandaleve është devijimi i debatit drejt temave në dukje po aq skandaloze, por në thelb të padëmshme.

Duke stisur nga hiçi "skandalin" mbi diplomën amerikane të Këlliçit, Veliaj detyroi jo pak analistë të zhvendosin vëmendjen drejt "diplomës" së vet amerikane, e cila prej kohësh është bërë objekt diskutimesh.

Problemi është se duke u marrë me diplomën e Këlliçit dhe diplomën pa vulë të Veliajt qoftë edhe për pak ditë, debati u zhvendos nga kullëzimi, betonizimi, prishja e teatrit, ndotja e ajrit, mashtrimi me pyllin orbital, tenderat e alokuar me një konkurrent të vetëm dhe me fond limit, etj., etj.

***

Diploma e Këlliçit nuk është i vetmi marifet i përdorur nga Rilindësit. Duke nisur nga Borati dhe duke përfunduar tek kandidatët e Rilindjes, vihet re një "dashuri" e papritur për qytetarët. Kërcimet, puthjet dhe përqafimet janë bërë lajtmotiv i fushatës e cila tashmë është cilësuar me të drejtë "fushatë tallavaje".

Shtoji kësaj histerinë kolektive me BBV, prononcimet e shumë artistëve shqiptarë të sponsorizuar nga qeveria e bashkia e Tiranës, në favor të Boratit e Lalit të vet.

Të gjithë këta faktorë janë mjaftueshëm të fortë për të tërhequr vëmendjen nga debati konstruktiv dhe strategjik mbi të ardhmen e bashkive, qyteteve dhe fshatrave tona.

Në Durrës, duke përmendur nënën e kandidatit demokrat, kryetarja aktuale e kaloi diskutimin në planin etik në vend që debati të fokusohet tek mega-afera e portit apo tek përmbytja e qytetit të paktën disa herë në vit.

Në Shkodër, duke u marrë me Luizin debati zhvendoset nga braktisja e qytetit prej rilindjes dhe nevojat reale që ka kryeqyteti i veriut, sërish drejt shoëbizit dhe tallavasë.

***

Ndërkohë, në planin kombëtar, kjo fushatë është dominuar nga dy fjalë:

NON GRATA!

Në sytë e publikut, Borati dhe boratët kanë bërë çmos të zhveshin çdo kandidat të opozitës nga meritat dhe vlerat personale duke i cilësuar ata thjesht si zgjatime të Berishës.

Sikundër miliona shqiptarë të tjerë nëpër botë, edhe unë e kam ndjekur debatin mbi shpalljen "non grata" të Dr. Berishës pa patur informacion të plotë mbi shkaqet që e shtynë Departmentin e Shtetit të ndërmarrë një veprim të tillë.

Kam ndjekur reagimet e politikës shqiptare që përgjithësisht kanë qënë emocionale dhe përbaltëse, sikundër kam mësuar edhe për dy hapat e ndërmarrë nga vetë Berisha - kalimin e çështjes në gjykatën pariziene dhe pajtimin e një lobisti për ta investiguar çështjen në burim.

Personalisht, megjithë simpatinë personale dhe vlerësimin për Dr. Berishën, jam në pritje të asaj që do të zbulojnë këto dy ndërmarrje dhe zhvillimeve të mëtejshme.

Por nuk gjej as edhe më të voglën lidhje midis faktit që Berisha vazhdon të figurojë "non grata" për Departamentin e Shtetit dhe fushatës midis Këlliçit dhe Lalit, Carës dhe Sakos, Spahisë dhe Becit, Boçit dhe Llatjes, Ismailit dhe Demos, Sinamatit dhe Gjicit apo Gjonit dhe Ndreut.

Duke i njohur personalisht, madje një pjesë duke i patur edhe miq të afërt e kolegë, mund të them me garanci të plotë se secili prej kandidatëve të opozitës bart vlera shumë më të larta politike, njerëzore dhe profesionale se secili prej kandidatëve rilindës.

Sikundër Tirana ka nevojë për Këlliçin, ashtu edhe Durrësi ka nevojë për Carën, Shkodra për Spahinë, Elbasani për Boçin, Berati për Ismailin, Kukësi për Sinamatin dhe Lezha për Gjonin.

Këta janë djem të këtyre qyteteve që nuk vijnë nga hiçi. Të gjithë kanë shkëlqyer në profesionet e tyre dhe kanë dhënë prova integriteti, ndershmërie dhe angazhimi qytetar.

Nëse "non grata" është i vetmi argument i Boratit kundër zgjedhjes së merituar të Këlliçit, Carës, Spahisë, Boçit, Sinamatit, Ismailit, Gjonit dhe dhjetëra kandidatëve të tjerë të opozitës përballë kukullave të rilindjes, unë me plot gojën mund të them:

"JE SUIS NON GRATA!"

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco