Skandali/ Maloku, vartësi i Veliajt, fitoi plot 19 tendera me vlerë 6.1 mln euro

Skandali/ Maloku, vartësi i Veliajt, fitoi plot 19 tendera me vlerë 6.1 mln euro

14:08, 02/05/2023
A+ Aa A-

Pas Mariglen Qatos, një tjetër ish-vartës i Erion Veliajt zbulohet se ka përfituar miliona euro tendera publikë nga Bashkia e Tiranës. Ish-kreu i Njësisë Administrative Zall Herr, Arben Maloku, themelues dhe pronar i kompanisë ARB TRANS, ka marrë 19 tendera me vlerë 6.1 milionë euro nga bashkia, gjatë kohës që ishte zyrtar i saj. Tenderat janë fituar në konflikt të hapur interesi dhe shkelje të ligjeve për prokurimin publik. Arben Maloku, gjithashtu dyshohet se ndërtoi një pallat pa leje gjatë kohës që ishte vartës i Erion Veliajt

Gjatë tetë viteve të drejtimit të Bashkisë së Tiranës, duket se Erion Veliaj ka favorizuar vartësit e tij, të cilët kanë përfituar tendera publikë nga institucioni ku kanë qenë drejtues.

Pas Mariglen Qatos, një tjetër ish-zyrtar i lartë i Bashkisë së Tiranës që drejtohet nga Erion Veliaj, ka përfituar miliona euro tendera publik nga ky institucion.

Bëhet fjalë për Arben Malokun, i cili në vitin 2012 themeloi shoqërinë ARB-TRANS 2010. Pas vitit 2015, kur bashkia e Tiranës nisi të drejtohej nga Erion Veliaj, Arben Maloku u emërua Administrator i Njësisë Zall Herr.

Gjatë kohës që Maloku mori post publik në Bashkinë e Tiranës, duket se ka kryer shitje fiktive të kompanisë për të fshehur konfliktin e interesit.

Konkretisht, në vitin 2018, Arben Maloku ia shet kompaninë ARB-TRANS shtetasit Fatmir Firi, i cili rezulton se është vjehrri i tij.

Më pas, Fatmir Firi u arrestua për mashtrim me TVSH dhe deklarim të faturave viktive për vitin 2019. Por ky nuk është i vetmi skandal, pasi në vitin 2021 Fatmir Firi i dhuron 100% të kuotave shtetasit Shyqyri Malokut, i cili është babai i Arben Malokut.

Pra, vetëm ky fakt ngre dyshime të arsyeshme se Arben Maloku ka qenë pronari faktik i kompanisë edhe gjatë kohës që ai ishte vartës i Erion Veliajt. Por, skandali nuk qëndron vetëm këtu.

Gjatë periudhës që Arben Maloku drejtonte Njësinë Administrative Zall Herr, kompania e tij ka përfituar plot 19 tendera publikë nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në vartësi. Vlera e këtyre tenderave publikë me vlerë totale 6.1 milionë euro.

Por, gjatë kësaj periudhe, Arben Maloku ka ndërtuar edhe një pallat 2700 m2 në zonën e “Myslym Shyrit”, i cili nuk kishte leje ndërtimi. Madje, pas plasjes së këtij skandali në vitin 2022, Erion Veliaj u detyrua ta shkarkonte Arben Malokun nga detyra e Njësisë Administrative Zall Herr.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco