SYRI TV/ Porti i ri tregtar në Durrës pa projekt teknik, NATO kundër masterplanit

13:53, 02/05/2023
A+ Aa A-

Pavarësisht se afatet për përfundimin e hartimit të projektit të fizibilitetit për Portin e ri të Durrësit u shtynë 15 muaj, ende ai nuk është dorëzuar. Projekti i destinuar për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për forcat e armatosura sipas masterplanit nuk i përmbahet kapaciteteve të kërkuara nga NATO. Për shtyrjen e afatit të përfundimit të hartimit të projektit teknik të portit, në tender u shtua fondi me vlerë 223,2 mln lekë.

Nga SYRI TV

Porti i ri tregtar, që parashikohet të ndërtohet në Porto Romano ende nuk ka një projekt të detajuar teknik. Pavarësisht se afatet për përfundimin e hartimit të projektit të fizibilitetit nga 8 muaj u shtynë në 15 muaj, ende ai nuk është dorëzuar.

Shkak për këtë sipas njoftimit në Autoritetin e Prokurimeve Publike (APP) nga Autoritetit Portual Durrës (APD) në shtator 2022 mësohet të ketë qenë kundërshtimi i masterplanit të portit të ri tregtar në Porto Romano nga NATO.  

Ky projekt nuk i përmbahej kapaciteteve të NATO-s për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për forcat e armatosura. Masterplani për projektin e ri tregtar është hartuar nga kompania holandeze “Royal HaskoningDHV” dhe u prezantua për publikun në dhjetor të vitit të kaluar nga autoritetet shqiptare.

Në dokumentet e prokurimit t etenderit citohet:

Supreme Allied Commander Europe SACEUR

“Një aspekt thelbësor i këtij projekti është ndërtimi i një baze autonome detare për Forcën Detare të R.SH., të ndërlidhur me rrjetin rrugor dhe hekurudhor. Projekti  i destinuar për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për forcat e armatosura sipas MASTERPLANIT nuk i përmbahet kapaciteteve të kërkuara nga NATO. Për sa më lart argumentuar, paraqitet nevoja për amendimin e kontratës fillestare, duke u ndryshuar afati i zbatimit dhe vlera totale e kontratës së prokurimit në fjalë. Vlera e amendimit nuk tejkalon masën prej 20% të vlerës së kontratës fillestare”.

 

Do të jetë sërish kompania holandeze që do të hartojë studimin e fizibilitetit të portit të ri. Për shtyrjen e afatit të përfundimit të hartimit të projektit teknik të portit në tender u shtua fondi me vlerë 223,2 mln lekë.

VLERA E PROKURIMIT

Fondi             1,145,354,372 lekë

Fondi i ri       1,365,777,813 lekë

Porti i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romane për t’i hapur rrugë zhvillimit të projektit që e shndërron atë në port turistik, një nismë që ka hasur debate për faktin e formulës së financimit dhe sipërfaqes së lartë që do të jepet për ndërtime “real astate”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco