INTERVISTA/ Projekti zhvillimor i Dorjan Lanit për Gjirokastrën, nga kalaja deri thellë në zonat rurale

INTERVISTA/ Projekti zhvillimor i Dorjan Lanit për Gjirokastrën, nga kalaja deri thellë në zonat rurale

11:50, 02/05/2023
A+ Aa A-

"Kemi nevojë për një “edukim” të turistëve në mënyrë që të bëjmë të mundur të thithim investimet - taksa ose pagesa që turistët që lënë në qytetin tonë - dhe një “edukim” i tillë do të bëhet vetëm nëpërmjet një harte apo një uebi dixhital që do të krijojmë duke futur jo vetëm pjesët e Kurorës së bukur të Gjirokastrës, por gjithçka,  duke filluar që nga oraret e linjave të autobusit publik, çmimet e tyre, çmimet e taksive, çmimet e restoranteve, lokacionet." 

"Linja transporti të dedikuara për të bërë një xhiro rreth e rrotull, brenda territorit të bashkisë së Gjirokastrës ose qarkut të Gjirokastrës."

"Me këto promovime që do të bëjmë në Kurorën e bukur të Gjirokastrës, do të zhvillojmë edhe turizmin rural duke përcaktuar pika qëndrimi."

Intervistë me z. Dorjan Lani, kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Gjirokastrës, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV.

Kafe Shqeto: Z. Lani, si vijon fushata në Gjirokastër?

Dorjan Lani: Mund të themi që vazhdojmë një fushatë tradicionale, ashtu siç i ka hije Gjirokastrës, me mirësjellje, me respekt, duke vënë të gjitha vlerat në vendin e vet, duke rritur dhe lartësuar tradicionalitetin e Gjiokastrës aty ku i ka hije. Thënë më shkurt, vazhdojmë të bëjmë një fushatë dashamirëse dhe gjithëpërfshirëse me të gjithë banorët e Gjirokastrës.

Kafe Shqeto: Megjithatë ju jeni në një terren të vështirë dhe pse po flas këtu vetëm për zonën e qytetit, ndërsa pak më gjerë, në territorin e bashkisë së Gjirokastrës kanë treguar tjetër sjellje. Sa i mundur do të jetë kthimi në këto zgjedhje, për qytetin e Gjirokastrës, për fitoren tuaj dhe pse mendoni kështu?

Dorjan Lani: E para e punës, i gjithë territori i bashkisë së Gjirokastrës duhet të ketë një këndvështrim, edhe pse distanca, largësia, tipologjia e një vendi apo fshati të caktuar, që ka përkujdesjen që i takon sipas nevojave më emergjente dhe ne këtë e kemi trajtuar edhe në pjesën e fushatës. Kemi nxjerrë e kemi evidentuar për çdo fshat, çdo krahinë, çdo zonë, çdo njësi administrative, të gjitha ato defekte ose pika nevralgjike më emergjente të cilat do të kalojnë hap pas hapi, sipas tipologjisë së investimit dhe nevojave që do të ketë zona specifike dhe banorët përkatës.

Kafe Shqeto: Nga ana tjetër duket se keni pasur një tjetër qasje për sa i përket punonjësve. “Punë 8 orë dhe jo, 8 orë në punë!” Çfarë keni dashur të thoni dhe si do të ndikojë kjo në zhvillimin e qytetit?

Dorjan Lani: Le ta fillojmë te pjesa e karakterit të gjithkujt sepse secili, dashur pa dashur, ka një tip të caktuar të karakterit dhe atë e shfaq në punë. Jemi të vetëdijshëm të gjithë që tradicionaliteti i orëve të punës në institucionet shtetërore ekzistondhe  ka qenë i tillë që të kemi kohë jo të mjaftueshme; nuk arrihet të plotësohet 8-orëshi sepse dikush ka një kafe, dikush ka një diçka tjetër dhe koha kalon duke pritur që qytetarët të marrin shërbimet e caktuara.

Unë kam qenë pjesë e administratës dikur në një institucion në Gjirokastër dhe duke qenë se vetë i pari i atij institucioni rri 8 orë në punë, natyrisht që edhe vartësit do ta respektojnë në mënyrë absolute, të padiskutuar, atë pjesë. Vetëm kështu do të arrihet të realizohet plani, projekti dhe shërbimi në kohë i të gjithë ankesave apo çfarëdolloj gjëje në përditshmeri për t’ua afruar qytetarëve në kohë reale dhe gjithmonë me mirësjellje dhe dashuri.

Kafe Shqeto: Gjirokastra, për shkak edhe të një lidhjeje politike të zonjës Kumbaro ka thithur fonde miliona eurosh, madje ka habitur dhe donatorët e huaj, ka tejkaluar në lëmin turistik edhe vende si Vlora, Shkodra, Saranda. Megjithatë  duket se këto fonde çuditërisht janë zhdukur, nuk është se i ka parë qyteti apo qytetarët. Ju keni premtuar se do ta ktheni Gjirokastrën në një kryeqendër të turizmit. Si?

Dorjan Lami: Ky vend ka një specifikë shumë të veçantë. Ka nevojë për gjëra shumë të thjeshta që kushdo i ka, vetëm mjafton dëshira. Ka nevojë për dashuri, ka nevojë për vizion, ka nevojë edhe për ndershmëri.

Pjesa e dashurisë lind në vegjëli. Normalisht qyteti ka një specifikë të caktuar në pjesën e ndërtimit dhe në harmonizim me këtë, të të gjitha atyre shkallëve ç’ka i afron traditës, kulinarisë, arkitekturës etj/ etj.

Pjesa e vizionit është ajo që Gjirokastra tashmë vazhdon nën investime betoni, pra të gjitha lagjet e vjetra të qytetit kanë kaluar nën pushtetin e betonit ndërkohë që duhej të lobohej qoftë me fonde të qeverisë, edhe me fonde të huaja, sepse projekte ka plot. Duhet vetëm mënyra se si të dish t’i thithësh këto fonde që kanë atë specifikën e caktuar duke përfshirë edhe këto tri pika që në thamë më sipër.

Në momentin që ne do të arrijmë të bëjmë një kthim apo një rrugëtim, të fillojmë një rrugëtim të rikthimit në kohë për pjesën e ndërtimit të kalldrëmeve duke hequr pjesën e  betonizimit dhe shumë gjëra të tjera dhe sigurisht që ne do t’i japim buzëqeshjen e munguar Gjirokastrës; po nuk kemi vetëm Gjirokastrën, kemi edhe Kurorën e bukur të saj, që për mua dhe në këndvështrimin tim, janë inekzistente.  

Doja të merrja një shembull meqë kemi mbetur te pjesa e turizmit. Në vitin 2022, nga sajte të caktuara zyrtare, pretendohet që të kenë vizituar kalanë e Gjirokastrës rreh 200 mijë turistë. Nga këta 200 mijë turistë, në vijë linerare kemi dhe shumë sajte të tjera larg kalasë, njëqind apo dyqind metra. Këto vende janë vizituar nga 1/17 apo 1/20 e të gjithë këtyre turistëve, domëthënë ne kemi turistë “të paedukuar”sepse nuk dimë të bëjmë promovimin! Pra, nëse në kala kanë shkuar 200 mijë persona, te Shtëpia etnografike kanë shkuar përafërsisht 10-12 mijë e kështu me radhë. Aq më tepër që kemi edhe pjesën e Antigonesë që është një thesar më vete dhe aty kemi një numër shumë të vogël vizitorësh.

Pra, kemi nevojë për një sistemim, për një “edukim” të këtyre turistëve në mënyrë që të bëjmë të mundur të kemi dhe thithim investimet - taksa ose pagesa që turistët që lënë në qytetin tonë - dhe një “edukim” i tillë do të bëhet vetëm nëpërmjet një harte apo një uebi dixhital që ne do të krijojmë duke futur jo vetëm pjesët e Kurorës së bukur të Gjirokastrës, sajtet turistike, por gjithçka që do të përfshihet  në pjesën e Gjirokastrës duke filluar që nga oraret e linjave të autobusit publik, çmimet e tyre, çmimet e taksive, çmimet e restoranteve, lokacionet. Mundësisht, po të jetë e mundur, për çdo “user” që  do të bëhet pjesë e këtij uebi, edhe foto të caktuara për të bërë të mundur promovimin e tyre!

Ne do të bëjmë që atë pjesë të Gjirokastrës që turisti e shikon me sy, ta paraqesim në mënyrë vertikale në internet që turistët të bëjnë një zgjedhje të zgjuar!

Ne kemi shumë sajte, mjafton ne që  të punojmë në mënyrën më të mirë të mundshme qoftë edhe me linja transporti të dedikuara për të bërë një xhiro rreth e rrotull, brenda territorit të bashkisë së Gjirokastrës ose qarkut të Gjirokastrës.

Ne këto cikle nuk i kemi sot dhe në këtë moment duke bërë këto dy linja, automatikisht do të kemi më shumë kohë për t’i dhënë turistit për të harxhuar në Gjirokastër.   

Nga këta 200 mijë turistë që ne sot pretendojmë që të jenë sipas shifrave zyrtare, rreth 20% maksimumi rrinë një ditë në Gjirokastër; pjesa tjetër, 80%, janë turistë ditorë që vijnë me kroçierë ose vijnë nëpërmjet portit të Sarandës apo turistë ditorë që u bie rruga.

Neve na duhet që këtë 20% që vjen një ditë në Gjirokastër, ta kthejmë në dy ditë apo më shumë. E para që të dyfishojmë xhiron për pjesën e hotelerisë apo të “guest house” apo të akomodimeve individuale, të rrisim xhiron e restoranteve dyfish dhe duke qenë se kemi numër të kufizuar të shtretërve në pjesën muzeale të qytetit, të rijetësojmë edhe pjesën urbane të qytetit, qoftë me pjesën e hotelerisë, qoftë me pjesën e restoranteve e çdo lloj gjëje tjetër, do t’i japim frymëmarrje turizimit,.

Nga ana tjetër kemi me këto promovime që do të bëjmë në Kurorën e bukur të Gjirokastrës, do të zhvillojmë edhe turizmin rural duke përcaktuar dy pika qëndrimi, ku dhe aty të zhvillohet pjesa e traditës dhe e zonës përkatëse, duke duke hapur 5-6-7 aktivitete të caktuara sipas tipologjisë së zonës. E thënë ndryshe, me një gur vrasim dy zogj dhe për këto ka nevojë Gjirokastra, dashuri, vizion dhe përkushtim dhe normalisht, edhe ndershmëri./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë, me projektet, planet, idetë e z. Dorjan Lani në videon e Kafe Shqeto në SYRI TV.

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco