INTERVISTA/ Ismaili: Pa gërshetuar turizmin malor, historik dhe agro-turizmin, Berati mbetet i pajetueshëm!

INTERVISTA/ Ismaili: Pa gërshetuar turizmin malor, historik dhe agro-turizmin, Berati mbetet i pajetueshëm!

11:13, 01/05/2023
A+ Aa A-

"Turizmi, agro-turizmi, turizmi malor dhe turizmi i aventurës në këtë qytet është i pazhvilluar, por nuk mundet që të organizohet një paketë turistike  nëse nuk gërshetohet agro-turizmi me turizmin historik, me turizmin malor apo dhe turizmin e aventurës."

"Taksat janë shumë të larta, taksat janë gati me zonat elitare të Tiranës "

"Berati ështi i dyti pas Kukësit me lindshmërinë më të ulët, që do të thotë se rinia nuk kthehet në Berat".

"Kemi detajuar një plan konkret për rininë,  që duhet të kthehet, nëpërmjet uljes të taksave, përjashtimit nga taksat të të gjitha çifteve të reja për një vit, trajnimit të të rinjve me kurse afatshkurtra për të gjitha shërbimet."

Intervistë me z. Zija Ismaili, kandidat i opozitës për bashkinë e Beratit, në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV me moderatorët Flavio Qarri dhe Ola Bregu.

Kafe Shqeto: Z. Ismaili, cilat janë arsyet, pse vendosët të kandidonit për kryetar bashkie në këtë qytet?

Zija Ismaili: Një nga arsyet kryesore pse vendosa të kandidoj për kryetar të bashkisë së Beratit është se ky qytet, gjatë gjithë këtyre viteve, sidomos në katër vitet e fundit, është në gjendje të mjerueshme, në keqmenaxhim, të bërë nga kryetari aktual i bashkisë së Beratit. Qytetarët e Beratit nuk e meritojnë, aq më tepër që është një qytet i mbrojtur nga UNESCO dhe duhet të kemi parasysh se është një qytet që aksesohet nga mijëra e mijëra turistë.

Kafe Shqeto: Ju e keni një vizion, PD ka qenë një forcë politike e rëndësishme për qytetin e Beratit, prezente edhe fuqimisht aty. Çfarë do të thotë impakti i koalicionit “Bashkë fitojmë” në bashkinë e Beratit në eventualitetin e 15 majit, pra, pas datës 14?

Zija Ismaili: Dua të them se jam kandidat që kam konkuruar në zgjedhjet primare që u zhvilluan vitin e kaluar nga PD-ja, ku mora mbështetjen e mbi 85% të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, falë koalicioni të gjerë opozitar dhe gjithë pjesës tjetër të grupeve të interesit  apo dhe shoqatave të ndryshme. Unë kam mbështetjen e pothuajse të gjithë qytetit në lidhje me administrimin e bashkisë pas 14 majit, pasi qytetarët mezi presin ta kenë bashkinë në duart e tyre.

Kafe Shqeto: Nga ana tjetër ju duket se keni evidentuar një nga problematikat më të mëdha në këtë qytet, që është cilësia e jetesës. Si jetojnë sot beratasit?

Zija Ismaili: Referuar Reformës Territoriale të vitit 2014, një reformë famëkeqe, thellësisht politike, e cila i ka ndarë njësitë territorial të vendit vetëm për interesa politike, bashkia e Beratit është e përbërë nga 4 njësi administrative të zonave fushore dhe kodrinore dhe njësia administrative kryesore që është qyteti i Beratit. Katër njësitë administrative përbëhen nga 50 fshatra dhe bashkia, qyteti i Beratit, pjesa historike dhe pjesa tjetër që lidhet, që lehtëson pjesën historike.  Tani, të pesta njësitë administrative që ka bashkia e Beratit, katër prej të cilave janë në zona rurale, janë tmerrësisht të keq administruara. Banorët e këtyre zonave i kanë paguar taksat e tyre, kanë paguar taksë ndriçimi, taksë gjelbërimi, taksë mirëmbajtje, taksë pastrimi dhe në këto katër vite nuk është bërë asnjëherë  asnjë investim, qoftë edhe i vogël në lidhje me këto taksa. Aq më keq që bashkia ka qenë në “errësirë” totale dhe nuk është konsultuar me njerëzit dhe banorët e vet në lidhje  me menaxhimin e taksave apo në lidhje me problematikën e tyre.

Pastaj, nëse flasim për pjesën që është edhe pjesa më e rëndësishme, pjesa historike e qytetit apo qyteti i Beratit, do të shikoni që u bë një investim, pjesa e riurbanizimit të qendrës së qytetit ose pedonalja. Një vit pas asaj, nuk e di se si, me një vendim të papritur, në errësirë të plotë, u vendos që të bëhet parkim i nëndheshëm i qendrës së qytetit!!! Parkim që duhet të mbaronte brenda një viti, në 2021-shin. Sot jemi në muajin maj 2023, është i pambaruar, sheshi është i rrethuar, nuk aksesohet as nga qytetarët, as nga turistët, me pluhur, ndërkohë që edhe rruga tjetër kryesore e qytetit i është nënshtruar një rikonstruksioni para një viti e gjysmë, po aktualisht është duke iu nënshkruar një rikonstruksioni të dytë në të njëjtin vend ku është edhe pjesa e sheshit qendror të qytetit!!!

Të dyja këto rrugë kanë bërë që qyteti të jetë i paaksesueshëm për banorët e vet, bizneset që veprojnë në këtë zonë që janë biznese kryesore të qytetit janë drejt falimentimit pasi rrugët janë të bllokuara. Edhe pjesa e turistëve nuk aksesoret, ka vështirësi në trafik. Trafiku është shumë i rënduar, pluhura, shërbimet nuk afrohen. Të gjitha këto kanë bërë që qyteti të jetë në gjendje relativisht shumë të rëndë.

Kafe Shqeto: Z. Ismaili, a keni ju dhe ekipi juaj, një strategji sesi ky Berati turisik të jetë i gjithi turistik?

Zija Ismaili: Stafi im, në bashkëpunim edhe me intelektualë të qytetit, kemi përgatitur një strategji të mirëfilltë, 100% të realizueshme që ky qytetet të meritojë siç e ka emrin dhe ashtu siç e ka vendin. Është një qytet që nuk na e kanë zgjedhur të tjerët; është një qytet që e ka merituar të jetë qytet në mbrojtjen e UNESCO-.s. Pra, ne e kemi detyrë që ta ruajmë këtë qytet siç ruajmë historinë, të gjithë vlerat e trashëgimisë kulturore, por që të ruhen të gjitha këto vlera detyrimisht, gjëja e parë që duhet të bëjmë, të konsultohemi njëherë me qytetarët tanë, të jemi transparentë me qytetarët tanë mbi të gjitha vendimet që do të marrim. Duhet që ata të jenë vendimmarrës në pjesën dërrmuese të menaxhimit të fondeve të taksave të tyre, në mënyrë që nëse qytetin duam ta kemi siç e duam, duhet ta jetojmë bashkë me qytetarët, jo ta jetojë administrata dhe qytetarët ta vuajnë. Ky është një qytet që jetesën dhe mirëqenien e tij do ta realizojë në pjesën më të madhe të aktivitetit të njerëzve nëpërmjet turizmit. Aktualisht ne kemi pjesën e hotelerisë që e kanë ndërtuar vetë banorët dhe sipërmarrësit, duke ndërtuar bujtina në zonat historike apo përreth tyre.

Turizmi, agro-turizmi, turizmi malor dhe turizmi i aventurës në këtë qytet është i pazhvilluar, por nuk mundet që të organizohet një paketë turistike  nëse nuk gërshetohet agro-turizmi me turizmin historik, me turizmin malor apo dhe turizmin e aventurës.

Nga pozicioni gjeografik që ka bashkia vet, mali i Tomorrit dhe mali i Shpiragut i rrinë përsipër kalasë së Beratit; është 20 km, mali i Tomorrit, që aktualisht ka dhe borë. Pra, në qoftë se ne nuk gërshetojmë turizmin malor me agro-turizmin dhe turizmin historik, ky qytet ngelet i pajetueshëm. Unë do të jap një shifër të thjeshtë: të ardhurat që mbledh bashkia e Beratit të parashikuara për vitin 2023 janë më të vogla se paga e administratës! I bie që ne po falimentojmë një bashki që është nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Kafe Shqeto: Rrezikon edhe Berati të falimentojë?!

Zija Ismaili: Absolutisht. Të ardhurat që ka parashikuar bashkia për vitin 2023, që mblidhen në masën 83-85% janë më të vogla sesa pagat dhe ky është keqmenaxhimi. Struktura organike e bashkisë është shumë e fryrë për efekte elektorale ndërkohë që njerëzit kanë ikur nga qytetit. Njerëzit ikin, shërbime s’ka , bashkia fryn strukturën organike të saj me patronazhistë, me aktivistë e çfarë janë këta që s’i marr vesh çfarë i quajnë.

Kafe Shqeto: Cili është reagimi i banorëve të Beratit, që ta ndajmë pak reagimin politik nga reagimi praktik?

Zija Ismaili:  Jam gjithë ditën në terren duke kontaktuar, duke biseduar me qytetarët. Qytetarët e Beratit janë shumë të pakënaqur në lidhje me administrimin e bashkisë nga ana e administratës dhe e kryetarit aktual të bashkisë së Beratit.

Taksat janë shumë të larta, taksat janë gati me zonat elitare të Tiranës dhe të gjitha njësitë e shërbimit e kanë të papërballueshme për t’i paguar, po t’i shikosh, në të gjitha, baret, restorantet apo njësitë e shërbimit evidentohen tabela “kërkojmë punëtorë”, “kërkojmë kamarierë”; lokale të mbyllura...

Pra, biznesi është në gjendje shumë të vështirë dhe kjo është vetëm nga keqmenaxhimi që është bërë nga ana e bashkisë duke bllokuar të gjitha rrugët e qytetit pa pasur një studim të mirëfilltë në lidhje me planin e zhvillimit dhe se si do të bëhet restaurimi dhe mirëmbajtja e tyre, ndërkohë që çmimet janë shumë të larta.

Për t’u evidentuar është edhe një shifër goxha e rëndë: Berati ështi i dyti pas Kukësit me lindshmërinë më të ulët, që do të thotë që rinia nuk kthehet në Berat, që do të thotë se nesër Berati do të ketë një plakje shumë të shpejtë të popullsisë, Ky është një problem shumë i madh ndaj ne kemi hartuar dhe detajuar një plan konkret për rininë.

Rinia duhet të kthehet sepse ky qytet e meriton ta ketë rininë e vet duke pasur parasysh që nëpërmjet uljes të taksave, përjashtimit nga taksat të të gjitha çifteve të reja për një vit në momentin që ato vendosin që të zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda territorit të bashkisë Berat, trajnimi i të rinjve me kurse afatshkurtra për të gjitha shërbimet që afrohen në qytet, do të bëjë që ky qytet të aksesohet sa më shumë nga të rinjtë e këtij qyteti, që duhet të kthehen qoftë nga Tirana, qoftë nga jashtë shtetit, për të jetuar së bashku me familjet e tyre./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco